Gjeneralët kërkojnë rikthimin e shërbimit ushtarak

Udhëheqësia e lartë e gjeneralëve të ARM-së së shpejti planifikon të ngrejë iniciativë deri te organet kompetente për organizimin e referendumit ku do të parashtrohej pyetja se a i duhet Maqedonisë përbërje rekrutësh në armatën aktuale profesionale.

Burime për “Nova Makedonija” thonë se, tani për tani, ideja për referendum për këtë çështje është në fillet e saja dhe nuk është precizuar asnjë detaj se si do të dukej i gjithë ky projekt. Poashtu, akoma nuk dihet se a do të kërkojnë gjeneralët nga Kuvendi të realizojë referendum konsulativ ose të detyrueshëm. 

Bashkëbiseduesit thonë se një gjë është e qartë, se për një çështje të këtillë me rëndësi nga fusha e mbrojtjes, gjithmonë duhet të dëgjohet zëri i popullit.

Qëndrime të kundërta

Ata që udhëheqin me armatën e Maqedonisë janë të ndarë për këtë çështje. Kreyshefi i Shtatmadhorisë së ARM-së, gjeneral-majori Goranço Koteski, dhe ministri i mbrojtjes, Fatmir Besimi kanë qëndrime të kundërta për këtë problematikë. 

Gjenerali Koteski thotë se ka mendime të qëndrueshme sa i përket çështjes së rikthimit të shërbimit ushtarak, koncept që u hoq nga përdorimi në vitin 2006, si pjesë e standardeve të NATO-s për profesionalizimin e ARM-së, me argumentimin se çdo shtet duhet të ketë përbërje të rregullt ushtarake që do ta plotësojë atë profesionale, për shkak se kjo është edhe më e lirë, por edhe më me rëndësi në aspekt të sigurisë së vendit. 

Për dallim nga ai, ministri Besimi konsideron se nuk ka nevojë për ritkhimin e sistemit të rekrutëve për plotësimin e njësive të ARM-së, në të njëjtën kohë duke e porositur Koteskin, se ky është një ndryshim i madh për të cilin nuk vendos ai, por sektori civil, gjegjësisht qytetarët, nëpërmjet deputetëve të tyre në Kuvendin e RM-së.

Në NATO, përbërje rekrutësh kanë Danimarka, Estonia, Greqia, Norvegjia dhe Turqia. Në Evropë, shërbim të detyrueshëm të afatit ushtarak ka në Austri, Bellorusi, Qipro, Finlandë, Zvicër dhe Ukrainë. 

Në vitin 2006, Maqedonia e hoqi obligimin e qytetarëve që detyrimisht ta kryejnë shërbimin ushtarak, por la mundësi për kryerje vullnetare të shërbimit ushtarak. Prej këtyre rekrutëve plotësohen aradhat e ushtarëve profesionalë të ARM-së, por burime ushtarake thonë se kjo nuk është e mjaftueshme. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button