Studentët ankohen që u mungojnë gjërat personale nëpër dhomat në “Stiv Naumov”, përgjegjësit merren me rastin

Veshje, mbathje, mjete për higjienë personale, mbulesa për shtrat janë vetëm pjesë e gjërave personale për të cilat një grup studentësh të akomoduar në konviktin studentor “Stiv Naumov” në Shkup pohojnë që u mungojnë në dhoma. Rastin fillimisht e kanë ndarë në rrjetet sociale, me ç’rast përmendin që të njëjtën gjë e kanë vërejtur gjatë shpërnguljes nga konvikti, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Ata akuzojnë që sendet janë zhdukur në periudhën kur konviktet janë mbyllur për shkak të pandemisë, ndërsa studentët kanë qenë në shtëpi.

“Kur është përcaktuar data për shpërngulje nga konvikti studentor gjatë grumbullimit të gjërave, e vërejta që nuk i kam atletet, pjesë të gardërobës, mjete për higjienë dhe ngjashëm. Shoqes time të dhomës gjithashtu i mungojnë gjëra. Nuk kishte shenja të hyrjes me dhunë, dera nuk ishte e thyer, dritarja nuk ishte e hapur, supozohet që brenda është futur dikush që ka qasje tek çelësat e të gjitha dhomave”, thuhet në postimin e studentes Sara Mihajllova në rrjetin social Fejsbuk.

Ajo është e akomoduar në konviktin studentor “Stiv Naumov” dhe për Meta.mk ka konfirmuar që pas postimit në Fejsbuk, ka vërejtur që rasti i saj nuk është i vetmi dhe që edhe studentë tjerë janë përballur me të njëjtin problem.

“Bëhet fjalë për dëm prej rreth pesëmbëdhjetë mijë denarë. Kontaktuam me studentë tjerë nga konvikti dhe e kuptuam që nuk jemi të vetmit të cilëve u janë vjedhur gjëra dhe se ka edhe shumë të tjerë të cilëve gjithashtu u mungojnë gjëra personale”, thotë Mihajllova.

Thotë që me këtë vihet në pikëpyetje siguria e konvikteve studentore dhe që si grup presin rasti të zgjidhet.

“Në konviktin studentor ka rojtarë të cilët kanë për detyrë ta ruajnë konviktin, ndërsa ka edhe drejtor në secilin objekt veçmas. Kur e vërejtëm që na mungojnë gjëra menjëherë u drejtuam tek drejtorët. Të gjithëve na është dhënë përafërsisht përgjigja e njëjtë – që nuk ka kamera dhe është e vështirë të zbulohet kush është fajtor. Prandaj kemi vendosur të gjithë të bëjmë diçka bashkërisht, të drejtohemi si grup në të gjitha instancat kompetente. Çdo ditë jemi duke pritur informata të reja dhe shpresojmë që do të gjejnë mënyrë për të na ndihmuar të zgjidhet rasti”, shton Mihajllova.

Me rastin është njoftuar edhe kryetari i Konviktit Studentor Shtetëror – Shkup, Dario Nikollovski. Në deklaratë për Meta.mk, thotë që është duke u punuar në drejtim të zgjidhjes së problemit.

“Në komunikimin me studentët. Ata janë ankuar që u mungojnë gjëra në dhomat dhe nuk kanë vërejtur asnjë dëmtim të dyerve dhe dritareve. Për momentin jemi duke punuar në drejtim të zbardhjes së rastit. Më shumë opsione janë të mundshme, mirëpo nuk dëshiroj të gaboj para se t’i shqyrtojmë të gjitha momentet. Ne si udhëheqësi jemi në anën e studentëve”, thotë Nikollovski.

Pohon që siguria e studentëve është në radhë të parë dhe që në vazhdimësi punohet në drejtim të avancimit të saj.

“Studentët nuk kanë qenë aty, ashtu që siguria e tyre nuk ka qenë drejtpërsëdrejti e rrezikuar dhe asnjëherë nuk do të lejojmë kjo të ndodh. E vetmja gjë që u vë në pikëpyetje është siguria e gjërave të tyre personale që kanë qenë në dhoma. Ne për herë të parë në konviktin studentor “Kuzman Josifovski-Pitu” kemi vendosur video-mbikëqyrje. Në planin për prokurime publike është përcaktuar edhe sigurim i jashtëm. Të përkujtoj që kam trashëguar institucion me borxh prej 300 milionë dhe e gjithë kjo rrjedhë në mënyrë të vështirësuar. Megjithatë, jemi duke lëvizur dhe jemi në rrugë të mirë”, shton Nikollovski.

Rast i këtillë gjatë shpërnguljes për momentin është vërejtur vetëm në konviktin studentor “Stiv Naumov”. Studentët kanë afat deri më 3 korrik të shpërngulen nga konviktet studentore.

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button