RMV, dinamika e ngadalshme e reformave në media, rrezikon eurointegrimet

Përmbushja e reformave në sferën e mediave në RMV, të cilët dolën nga Marrëveshja e Përzhinos, ende nuk gjen zbatim të plotë. Vendi ec me hapa të ngadalshme në përmirësimin e sferës mediatike, gjë që është kusht për aderim në Bashkimin Evropian, shkruan Portalb.mk.
Sipas raporteve vendase dhe ndërkombëtare, nuk ka siguri të mjaftueshme për gazetarët dhe në përgjithësi për mediat në Maqedoni.

“Mbetet fakti se reformat institucionale dhe sistematike në fushën e mediave janë të domosdoshme. Pra, ende nuk është e mundur të thuhet se ekziston një situatë e qëndrueshme dhe e përmirësuar në këtë fushë.” thuhet në raportin e Komisioni Evropian. Ky institucion në raportet e tij regullisht vë në pah se nevojiten domosdo përpjekje të vazhdueshme për reforma në shërbimin publik dhe sigurim të fondeve të pavarura.

MRTV
MRTV

Raportet gjithashtu tregojnë për nevojën për të mbrojtur të drejtat e gazetarëve, si dhe për të kryer hetime përkatëse dhe efikase nga gjyqësori dhe institucionet e tjera përgjegjëse për sulmet ndaj gazetarëve dhe lirimin e tyre të plotë nga çdo ndikim nga qendrat e pushtetit.

“Për një kohë të gjatë, ne jemi referuar për kulturën e mosndëshkimit në rastet kur janë shkelur të drejtat e gazetarëve dhe individëve të mediave, gjë që ka inkurajuar dhunën e mëtejshme ndaj tyre. Ekziston gjithashtu përshtypja se mediat në përgjithësi janë të ndara në baza politike dhe se kushtet e punës së gazetarëve nuk janë përmirësuar.” thuhet në raport.

Nëse në të gjitha këto çështje nuk punohet në mënyrë strategjike, të njejtat mund të bëhen pengesë serioze për proceset e integrimit evropian, thonë ekspertët.

Drejtoresha e KEMM, Marina Tuneva, foto Borçe Popovski "Kolektif"
Drejtoresha e KEMM, Marina Tuneva

“Sigurisht jo gjithçka qëndron në legjislacion, por zbatimi i tij efektiv dhe i duhur është gjithashtu shumë i rëndësishëm. E rëndësishme është të ndryshohen zakonet dhe qëndrimet e qendrave të pushtetit dhe politikanëve që mediat shpesh i trajtojnë si shërbim të tyre, dhe jo si një shërbim në emër të qytetarëve. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të respektohen standardet profesionale në raportimin e mediave dhe vetë-rregullimi, në mënyrë që të jetë e qartë për audiencën se cilat media kanë besueshmëri dhe cilat jo”, tha për Portalb.mk, Marina Tuneva nga Këshilli i Etikës në Media.

Sipas saj, shteti ka një detyrim të promovojë pluralizmin e mediave dhe të sigurojë kushte të drejta për funksionimin e mediave private në sektorin e mediave.

Në fushën e reformës në media, sipas Tunevas, është shumë e rëndësishme të shihet që ekziston një plan i qartë kombëtar për të përmirësuar statusin e gazetarëve dhe mediave, i cili, natyrisht, do të krijohej në bashkëpunim me komunitetin e gazetarisë dhe me përfaqësuesit e vetë mediave.

Nga Fondacioni për Internet dhe shoqëri “Metamorfozis” thonë se ndryshimet për përmirësimin e gjendjes së mediave kanë dinamikë të ulët.

“Në prag të vitit 2020, nuk u vërejt asnjë reformë e madhe dhe thelbësore në aspekt të Lirisë së shprehjes sipas reformave prioritare dhe urgjente të Priebe’së. Ka ndryshime të reformave por shpejtësia apo dinamika dhe fushëveprimi i tyre janë nën dinamikën dhe cilësinë e pritur.” shprehet për Portalb.mk, Violeta Gligoroska nga “Metamorfozis”.

Pjesëtarja e “Metamorfozis”, Violeta Gligoroska /foto: Vanço Xhambaski

Sipas saj, hapi më i madh është bërë në shtyllën e “Qasjes së lirë në informacionin publik”, ku pas emërimit të udhëheqësve të bordit rregullator të sapo krijuar (Agjensia për Mbrojtjen e së Drejtës për Qasje të Lirë në Informacionin Publik) janë zgjidhur lëndët e prapambetura nga viti 2019.

“Progresi më i vogël, ose aspak, është në fushën e reformës së mediave dhe Shërbimit Radiodifuziv Publik, dhe në fushën e shpifjes dhe reformës së legjislacionit për fyerje. Megjithëse qeveria ka hequr vetë-reklamimin, paratë publike ende po rrjedhin në media përmes ndërmarrjeve të tjera publike dhe përmes buxheteve lokale komunale dhe formave të tjera të subvencioneve“, shprehet Gligoroska.

“Metamorfozis”, së shpejti do të publikojë raportin e dytë tremujor të monitorimit reformave në media, i cili i referohet periudhës së muajit shkurt-prill, që do të tregojë detajisht se çfarë përparimi është bërë në mediat e vendit.

Ndryshe, Komisioni Evropian (KE) pritet t’a finalizojë kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut.  Zëdhënësja Ana Pisonero, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve më 25 qershor deklaroi se “Komisioni akoma është duke punuar në tekste të projekt-kornizave”.

 

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media” të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.

Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button