Scano: Paraqitja e rasteve të reja me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut është shqetësuese

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe në video-konferencën e rregullt për media sot ishte i shoqëruar nga Fabio Scano, këshilltar i drejtorit rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Evropën, ku u dhanë vlerësime për situatën aktuale me koronavirusin e ri (COVID-19) në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri Filipçe tha se ditët e fundit, gjatë vizitës së Scano-s, kanë vizituar institucionet publike shëndetësore dhe laboraratoritë ku bëhen testimet për COVID-19, ku kanë diskutuar dhe shkëmbyer mendime për ballafaqimin me pandeminë.

Ai u shpreh se Zyra lokale e OBSH-së në Shkup është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e vendit, duke e falënderuar atë për kontributin e dhënë.

“Për momentin, vendi ynë përballet me një valë të virusit më të fuqishëm se sa i pari si pasojë e lehtësimit të masave, por më shumë si pasojë e një vargu të ngjarjeve, tubimeve familjare, festimeve, në të cilat praktikisht nuk janë respektuar masat e rekomanduara”, tha Filipçe.

Ministri bëri thirrje për më shumë mbështetje nga qytetarët dhe respektim të plotë të masave, duke shtuar se kështu shumë shpejtë do të tejkalohet situata.

Këshilltari rajonal i OBSH-së, Fabio Scano falënderoi Ministrinë e Shëndetësisë për mbështetjen e dhënë duke ofruar qasje të plotë në informata.

“Paraqitja e rasteve të reja në Maqedoninë e Veriut është shqetësuese. Leksioni është se deri sa të kemi një vaksinë që funksionon, nuk mund të ulim nivelin e mbrojtjes sonë. Veprimet e ndërmarra në ditët, javët dhe muajt që vijnë, do të jenë kyçe për parandalimin e infeksioneve dhe shpëtimin e jetëve”, theksoi Scano.

Ai shtoi se ajo që mund të vërehet në botë për momentin është se COVID-19 nuk zhduket por përhapet shpejtë dhe vret.

Scano tha se në Shkup ka arritur të hënën, ku ka zhvilluar takime të shumta, përfshirë presidentin Stevo Pendarovski, liderët fetarë të vendit si dhe ka vizituar komunat më të prekura.

Ai përshëndeti masat e ndërmarra nga institucionet vendase, përkushtimin e stafit mjekësor, ndërsa shtoi se është i impresionuar nga kujdesi për të moshuarit në shtëpitë e pleqve, që sipas Scanos, ka mundësuar shmangien e shumë vdekjeve që janë regjistruar në vendet tjera.

Scano tha se situata aktuale me rritjen e numrit të të infektuarve mund të menaxhohet, duke bërë thirrje për bashkëpunim më të madh mes qytetarëve dhe institucioneve.

Kujtojmë se sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 në vend arrin në 5.595, numri i të shëruarve në 2.166 ndërsa numri i viktimave në 265.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button