Është publike se kush e financon IRI-n, media mos të gënjejë dhe shpifë

Burimi: Krithink

Procesi zgjedhor në Maqedoninë e Veriut ka lënë hapësirë të njollosen organizata botërore të cilat për shumë vite kanë dëshmuar se janë matësit më objektiv të opinionit publik. Kjo vërtetohet me metodologjinë që e përdorin këto organizata gjatë realizimit të sondazheve. Kështu, në shënjestër të kritikave në media së fundmi ishte Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI), pasi publikoi rezultatet e sondazhit i cili mes të tjerash tregoi rejtingun e liderëve politik në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Anketa e IRI-t: gënjeshtër e sponzorizuar nga faktorë të jashtëm destabilizues!” 

Linku original i artikullit: “Anketa e IRI-t: gënjeshtër e sponzorizuar nga faktorë të jashtëm destabilizues!” 

Data e publikimit: 09.06.2020

Data e recensimit: 14.06.2020

Recensuese: Fatbardha Curri

“Anketa e IRI-t: gënjeshtër e sponsorizuar nga faktorë të jashtëm destabilizues!”, me këtë gjuhë që aspak nuk i përket gjuhës mediatike e vlerësoi portali “Insider.al” anketën e IRI-it. Gjuha denigruese vazhdoi edhe në artikull.

“Anketa e Institutit Republikan Amerikan (IRI) që u publikua dhe po qarkullon këto dita duket se nuk është tjetër veçse një gënjeshtër dhe trilim i sponzoruar nga faktorë të jashtëm që nuk ja duan të mirën vendit”, thuhet në artikullin që e recensojmë. Artikulli ka disa lëshime:

  1. Anketa paraqitet si gënjeshtër dhe trillim. Megjithëse në artikull adresohen vlerësime të tilla, nuk tregojnë se ku i bazojnë dhe cilat janë burimet e tyre. Do të thotë artikulli nuk citon burime të informacioneve, edhe pse jep vlerësime për anketën e IRI-it.
  2. Lëshimi i dytë. Mungojnë faktet. Meqë kemi mungesë të burimit të informacionit, kemi edhe mungesë të fakteve. Është normë universale dhe jo vetëm parim gazetaresk, se kur adresohen kritika për ndonjë organizatë, në rastin tonë IRI-n, kritikat duhet të argumentohen me fakte ose të bazohen në fakte. Në mungesë të fakteve, ne nuk mund të flasim as për verifikimin e tyre. Prandaj këtu vlerësojmë se media ka bërë edhe shkelje të parimit bazë të gazetarisë që thotë se informacionet që publikohen në media, duhet të verifikohen.

“Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur”, thuhet në Kodin etik të gazetarëve.

3. Lëshimi i tretë. Në artikull gjithashtu jepet informacioni se “anketa është e sponsorizuar nga faktorët të jashtëm që nuk ia duan të mirën vendin tonë”. Edhe pse jepen akuza të drejtpërdrejta për financimin e IRI-t, edhe kjo nuk argumentohet me fakte. Do të thotë nuk jepet përgjigje për atë: kush janë sponzorizuesit e anketës që thuhet në artikull apo kush janë faktorët e jashtëm që nuk ia duan të mirën Maqedonisë së Veriut.

Brenda artikullit autori e kundërshton veten, sepse sa thotë se “është sponzorizuar nga faktorë të jashtëm”, më vonë thotë se anketa “është e porositur dhe paguar shtrenjtë direkt nga Ziadin Sela dhe partia e tij”.

Kjo është edhe shpifje, sepse publikisht IRI ka njoftuar se anketa është realizuar me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

4. Lëshimi i katërt. Artikulli ngrit dyshime për rangimin e liderit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dhe liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Ngritja e dyshimit është e pabazë, sepse gjatë publikimit të anketës IRI ka njoftuar edhe për metodologjinë e realizimit të anketës që vlen për të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Metodologjia parasheh që rezultatet kanë ardhur pas intervistave personale që janë realizuar gjatë 2 shkurt – 6 mars 2020, në shtëpi të qytetarëve të vendit tonë. Mostra (numri i personave pjesëmarrës) lëviz nga 966 deri në 1.517 me mundësi të gabimit prej 2.5 në 3.2 pikë.

5. Lëshimi i pestë. Argumentimi i kritikave bazohet në anashkalimin e anketës nga mediat e vendit. I vetmi argument që jepet për akuzat, është ngritja e dyshimit për vërtetësinë e anketës, për shkak të së cilët siç vlerëson media, ajo u anashkalua nga mediat.

Por, pavarësisht asaj se a raportuan ose jo mjaftueshëm mediat për anketën e IRI-t, mostrajtimi i anketës nga mediat, nuk është argument që të përfundohet se anketa e IRI-t është gënjeshtër, trilluese dhe e sponsorizuar.

Ajo që gënjeu publikun, duke trilluar informacione është pikërisht media Insider.al, e cila duhet përdorur konceptin e manipulimit si “Thirrja për mungesën e provave të kundërta” i cili paraqet prirje për të besuar se një deklaratë është e vërtetë vetëm sepse i mungon prova që nuk është e vërtetë. Në këtë rast, media është munduar të “shesë” informacionin se anketa e IRI-t është gënjeshtër pasi ajo sponzorizohet nga faktorë të jashtëm, duke mos i nxjerrë informacionet që i kundërshtojnë këto teza të medias, e që janë se sondazhi është mbështetur nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe se rezultatet për rejtingun e liderëve politik bazohen në metodologji që vlen për të gjithë shtetet e Ballkanit perëndimor.

Nga këtu përfundojmë, se pavarësisht asaj se liria e mediave është e drejtë e patjetërsueshme, kjo nuk të thotë se ajo duhet të keqpërdoret duke publikuar informacione që nuk argumentohen me fakte, edhe kur nëpërmjet atyre informacioneve ngritën dyshime për financim të organizatave të mëdha siç është IRI. Liria e fjalës garantohet vetëm në bazë të dispozitave që parashihen me Kushtetutë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button