Pllamenka Bojçeva: Jemi të hapur për bashkëpunim për mbrojtje të qasjes së lirë tek informatat me karakter publik

Agjencia për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë tek informatat me karakter publik ka përfunduar pothuaj 800 lëndë të prapambetura nga viti 2018 dhe 2019 dhe veprimi për ankesat e kërkuesve të informatave rrjedh rregullisht në suaza të afateve të përcaktuara ligjore, thotë drejtoresha e Agjencisë, Pllamenka Bojçeva në intervistën për Meta, transmeton Portalb.mk.

Në vitin 2020 në Agjenci kanë ardhur gjithsej 209 për herë të parë, për 193 është vepruar, kurse të tjerat janë në procedurë.

Bojçeva, në intervistë flet edhe për sfidat në punën, dënimet për mosveprim sipas kërkesës për informata, hapjen e institucioneve si dhe rolin e Agjencisë për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë tek informatat me karakter publik në edukimin e nëpunësve të cilët duhet të japin informata.

Cilat janë sfidat kryesore në punë me të cilat ballafaqoheni për momentin si Agjenci për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë tek informatat me karakter publik? 

– Sfidë kryesore në punën e Agjencisë është ngritja e autoritetit dhe kredibilitetit të saj në nivel më të lartë, nëpërmjet promovimit në institucion të respektueshëm dhe të njohur, qëllimi dhe detyra kryesore e të cilit është sigurim i njërës prej të drejtave themelore të njeriut, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa kjo është qasja e lirë tek informatat me karakter publik. Në atë drejtim nevojitet ekuipim shtesë urgjent i Agjencisë, para se gjithash, me kuadër profesional dhe udhëheqës. Tanimë kemi filluar me realizim të masave konkrete. Përkatësisht,  jemi duke e përgatitur Analizën funksionale dhe të Rregulloreve për organizim dhe sistematizim të brendshëm të Agjencisë. Përgatitja e këtyre dokumenteve si dhe aktivitetet aktuale për përpunim të softuerit për evidentim elektronik dhe menaxhim të ankesave dhe kërkesave të pranuara për qasje të lirë, ueb faqe të re të Agjencisë, pastaj Plan Strategjik të Agjencisë, si dhe përgatitje të doracakut për veprim të zyrtarëve te bartësit e informatave, janë pjesë e aktiviteteve në suaza të IPA 2 projektit shfrytëzues i të cilit, ndër të tjerët është edhe Agjencia për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë tek informatat me karakter publik.

Në aspekt të kompetencave të Agjencisë, sfidë paraqet puna e Komisionit për kundërvajtje i cili për herë të parë është inkorporuar me Ligjin për qasje të lirë tek informatat me karakter publik nga viti 2019. Komisioni për kundërvajtje është formuar dhe ka filluar me punë. Agjencinë e presin edhe shumë detyra tjera. Njëra prej tyre është azhurnimi i Listës së bartësve të informatave, e cila çdo ditë plotësohet me subjekte të reja, ashtu që nga gjithsej 1.257 bartësve në fund të vitit 2019, shifra e tyre është rritur në mënyrë drastike dhe për momentin është 1.348. Veprimi sipas ankesave të kërkuesve të informatave, pas përfundimit të pothuaj 800 lëndëve të prapambetura nga viti 2018 dhe 2019, zhvillohet në mënyrë të rregullt, në suaza të afateve të përcaktuara ligjore. Agjencia duhet të fillonte me trajnim të zyrtarëve te bartësit e informatave, mirëpo duke i pasur parasysh gjendjet me virusin kovid-19 për fat të keq të gjitha aktivitetet e planifikuara në këtë plan janë prolonguar. Dhe kuptohet, sfidë paraqet përpilimi i udhëzuesit/praktikumit për zbatim të testit të shkallës së dëmit. Sa për sqarim, testi për dëm duhet të zbatohet me qëllim të verifikohet nëse dhënia e ndonjë informate mund t’i shkaktojë dëm interesit të mbrojtur me ligj apo do të jetë e dobishme nga aspekti i interesit publik.

Në çfarë mënyre Agjencia për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë tek informatat me karakter publik i sanksionon bartësit e informatave të cilët nuk bashkëpunojnë me kërkuesit në sigurimin e të dhënave të kërkuara? A ka filluar me punë Komisioni për kundërvajtje dhe çfarë dënime shqipton ai? 

– Siç thashë në përgjigjen e pyetjes së parë, me Ligjin për qasje të lirë tek informatat me karakter publik nga viti 2019 janë instaluar sanksione për kundërvajtje. Gjoba është në shumë prej 500 euro në kundërvlerë të denarit. Gjobë për personin zyrtar te bartësit e informatave në shumë prej 250 euro është paraparë për kundërvajtje të përcaktuara në nenin 39 të Ligjit. Përndryshe, Komisioni për kundërvajtje filloi me punë dhe veç më ka përpiluar Rregullore për veprim të këtij komisioni dhe ka filluar të veprojë lidhur me lëndët e para.

Në raportin tuaj për tremujorin e pare,informoni që janë parashtruar 109 ankesa nga të cilat dhjetëra kanë qenë të parashtruara prej gazetarëve, kurse të tjerat janë nga organizata qytetare dhe individë. Sa prej këtyre ankesave janë zgjidhur dhe në favor të kujt?

– Për momentin në vitin 2020 në Agjenci kanë ardhur gjithsej 209 ankesa për herë të parë, për 193 është vepruar, kurse të tjerat janë në procedurë. Ngaato që janë punuar, 104 janë në favor të kërkuesve, 36 janë ndërprerë me kërkesë të parashtruesit për shkak se gjatë procedurës ankimore është pranuar përgjigje për kërkesën, 28 janë trajtuar si ankesa me vonesë dhe të tjerat janë refuzuar.

Në raportin vjetor për punën e agjencisë tuaj për vitin 2019 thuhet që vitin e kaluar është rritur numri i kërkesave të papërgjigjura, të refuzuara dhe të transmetuara për qasje të lirë tek informatat me karakter publik nga ana e institucioneve. Cilat janë shkaqet kryesore për tendencën e këtillë negative vitin e kaluar?

– Të dhënatqë i përmban Raporti vjetor për vitin 2019 janë fituar nga analiza e raporteve vjetore të parashtruara nga bartësit e informatave. Komisioni i atëhershëm, tani Agjencia për qasje të lirë tek informatat me karakter publik, si organ i shkallës së dytë vepron vetëm për ankesa të pranuara nga ana e kërkuesve.

Në raportin vjetor për vitin e kaluar thuhet që mbi 16 përqind e bartësve të informatave me karakter publik nuk kanë parashtruar raporte dhe së këtejmi nuk dihet nëse dhe sa prej këtyre institucioneve janë përgjigjur për kërkesat për qasje të lirë tek informatat. A ekziston mundësi publikisht të shpallen këto subjekte dhe cilat janë dënimet për ata që nuk e respektojnë këtë detyrë ligjore?

– Përgjigja për këtë pyetjegjendet në dispozitën për kundërvajtje për personin zyrtar i cili nuk do ta përpilojë raportin vjetor për zbatim të këtij ligji dhe nuk do ta parashtrojë në Agjenci.

Pjesë e gazetarëve dhe organizatave joqeveritare ankohen që bartësit e informatave nuk përgjigjen për çështje të rëndësishme të interesit publik ose shpesh herë përgjigjen vetëm formalisht në kërkesën nëpërmjet dërgimit të përgjigjeve të pjesshme. Çfarë është këtu roli i Agjencisë për sigurim të qasjes së kërkuar tek informatat me karakter publik në raste të këtilla?

– Roli i Agjencisë si organ i shkallës së dytë për veprim për ankesa është të sjellë aktvendim me të cilin në mënyrë meritore do të vendosë dhe do ta angazhojë bartësin t’ia dërgojë kërkuesit informatat e kërkuara. Në rast të mosrespektimit të aktvendimit të Agjencisë, mund të ngritet procedurë për kundërvajtje me propozim të kërkuesit ose me detyrë zyrtare.

Gazetarët hulumtues thonë që bartësve të informatave në disa raste më tepër u ka konvenuar të paguajnë dënim me para se sa t’i sigurojnë informatat e kërkuara me karakter publik, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje lidhur me procedura tenderi apo afera korrupsioni. A konsideroni që zgjidhja aktuale ligjore ofron zgjidhje adekuate ndëshkimore për ata bartës të informatave të cilët përpiqen ta manipulojnë ligjin?

– Zgjidhja aktuale ligjore përveç zgjidhjeve për kundërvajtje nuk ofron zgjidhje tjera ndëshkimore. Mirëpo, të mos e harrojmë edhe mundësinë e kërkuesve që në afatet e parapara ligjore të iniciojnë kontest administrativ pranë gjykatës kompetente për shkak të mosveprimit të poseduesve për aktvendimin e miratuar nga ana e Agjencisë.

A ndjeni ndonjë ndryshim në qasjen për dërgim të informatave me karakter publik nga ana e institucioneve shtetërore dhe autoriteteve komunale në jehonën e koronakrizës?

– Po, me themelimin e Agjencisë dhe faktin që organi i shkallës së dytë tash më funksionon (që nuk ka qenë rasti në gjysmën e dytë të vitit 2018 dhe 2019) si dhe duke i pasur parasysh dispozitat për kundërvajtje të përfshira në Ligj, mendoj që qasja e bartësve të informatave ndaj kërkesave të pranuara po ndryshon. Koronakriza ndoshta ndikon në veprim me vonesë për kërkesat e pranuara, që më së shumti është për shkak të faktit që pjesë e punonjësve janë të çliruar nga kryerja e detyrave të tyre dhe/ose të njëjtat i kryejnë nga shtëpia. Për atë shkak, kemi 36 aktvendime të miratuara për ndërprerje të procedurës për shkak se në ndërkohë kërkuesi na ka njoftuar që e ka pranuar përgjigjen me vonesë, përkatësisht pas parashtrimit të ankesës dhe të njëjtën e tërheq.

A planifikoni ndonjë aktivitet ndaj institucioneve bartës të informatave me karakter publik në drejtim të sensibilizimit të tyre, ndërsa në funksion të hapjes më të madhe të tyre ndaj kërkuesve dhe përgjegjësi më të madhe në periudhën e ardhshme?

– Gjithsesi, siç thash, në periudhën që vijon, ndërsa menjëherë pas shenjave të para të tejkalimit të krizës me virusin në mënyrë intensive do të punohet në edukim sistematik dhe të vazhdueshëm të personave zyrtarë te bartësit për mënyrën e veprimit sipas kërkesave për qasje të lirë. Përkatësisht, janë planifikuar trajnime të rregullta në hapësirat e Agjencisë një deri dy herë në javë, varësisht nga interesi, janë përcaktuar edhe trajnime me BNJVL për personat zyrtar në vetëqeverisjen lokale, mirëpo do të përsëris, situata me virusin i ka prolonguar të njëjtat. Në atë drejtim, në ndërkohë realizimi i idesë për përgatitje të dy video prezantimeve është në rrjedhë, njëri i dedikuar për kërkuesit, tjetri për personat zyrtar te bartësit e informatave. Është planifikuar organizim i TAIEKS punëtorisë me temën: qasje tek informatat me karakter publik, si vegël për gazetari hulumtuese dhe media, që mund të mbahet në tetor/nëntor 2020. Në drejtim, siç thoni të “sensibilizimit” dhe hapjes më të madhe të bartësve të informatave ndaj kërkuesve, Agjencia në mars të vitit 2020 ka përpiluar dhe në fillim të muajit mars 2020ka publikuar Udhëzim për zbatim të Ligjit për qasje të lirë tek informatat me karakter publik. Në fund do të dëshiroja të theksoj që Agjencia për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë tek informatat me karakter publik u shndërrua në institucion transparent, i hapur ndaj mediave, OJQ-ve, kërkuesve dhe bartësve të informatave, opinionit më të gjerë në përgjithësi.

 

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Teksti është prodhuar në kuadër të projektit “Opservatori i reformave në media” të cilin e zbaton Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, me mbështetje financiare nga “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.

Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret se i pasqyron pikëpamjet e “Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button