PDK të refuzojë AAK-në për koalicion?

Partia Demokratike e Kosovës po bëhet gati për t’i dhënë një përgjigje negative Aleancës për Ardhmërisë së Kosovës rreth çështjes së koalicionit.

Burime të gazetës “Express” thonë se Hashim Thaçi do ta refuzojë kërkesën e Ramush Haradinajt për ta udhëhequr Qeverinë. Krejt kjo shtyri të enjten zëdhënësin e AAK-së, Ernest Luma, ta quajë kreun e PDK-së të pabesë.

Burime të “Expressit” kanë treguar se lideri i PDK-së nuk e ka në plan t’i ofrojë postin e Kryeministrit Haradinaj.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë një ditë më parë se po pret fundin e javës për të parë nëse koalicioni me PDK do të ndodhë ose do të shpallet i dështuar.

“Kryetari i PDK-së e ka përsëritur edhe publikisht se nuk dëshiron të negociojë me askënd postin e Kryeministrit. Kjo është edhe përgjigja që do t’i jepet AAK-së dhe Ramush Haradinajt”, ka thënë njëri prej udhëheqësve të PDK-së.

Edhe zyrtarët e AAK-së të enjten kanë dhënë sinjale se po dështon nisma e Ramush Haradinajt për të hyrë në koalicion me PDK-në.

Zëdhënësi i AAK-së, Ernest Luma, nëpërmjet rrjeteve sociale është marrë me personalitetin e Liderit të PDK’së.
Për Hashim Thaçin ka thënë se është i pabesë, duke i premtuar se do t’i organizohet edhe atij një pritje madhështore në aeroport pasi të kthehet prej “ekzili”.

“Rrena dhe pabesia e fundit e Hashim Thaçit po merr fund. Kështu po më duket. Ndërsa, Qeveria e ardhshme e Kosovës garanton një pritje madhështore në aeroport, kur Hashim Thaçi do të kthehet nga ‘ekzili’ eventual i tij. RESPEKTE”, ka shkruar Luma në Facebook.

Në fakt, Lideri i PDK-së pati organizuar pritje shtetërore për Ramush Haradinajn, kur ky i fundit ishte kthyer nga Haga

Lajme të ngjashme

Back to top button