Rexhepi: Pandemia mund të ndikojë te ana financiare por jo direkt në cilësinë e gazetarisë

Nga Dren Gërguri

Pandemia ka nxjerrë në pah potencialin për të bërë gazetari duke përfituar sa më shumë nga teknologjia. Kështu thotë, ndër të tjera, Brikenda Rexhepi, redaktore përgjegjëse në gazetën ‘Koha Ditore’ dhe autore e emisionit ‘Desku’ në KTV, në një intervistë për Portalb.mk.

Si po e transformon COVID-19 gazetarinë në Kosovë?

Rexhepi: Gjatë pandemisë mënyra e punës ka ndryshuar në masë të madhe, në kuptimin e marrjes së deklaratave, mbulimit të ngjarjeve, kujdesit të shtuar në komunikim të drejtpërdrejt. Kanë hyrë në funksion videolidhjet me Zoom, Viber dhe WhatsApp gjë që edhe ka qene evidente në storie televizive. Me gjithë rrezikun por me masa tejet rigoroze, gazetarët nuk e kanë ndalur punën në terren duke mbuluar pikat kufitare para se ato të mbyllen tërësisht, karantinat, spitalet, etj. Nëse mënyra e përgatitjes së lajmit është dashur t’i përshtatet situatës kur masat kanë qenë më të shtuara, me lirimin e tyre situata ka nisur t’i kthehet normalitetit. Ndonëse mediat kanë pasur leje për të dalë në teren gjatë kufizimit të lëvizjes për qytetarët, disa gazetarë në mungesë transporti kanë mbetur nëpër qytete të tjera dhe përveç artikujve të shkruar kanë realizuar edhe storie përmes telefonit. Kjo ka nxjerrë në pah potencialin e “mobile-journalism” si një mënyrë prodhimi që mund të avancohet edhe më shumë në të ardhmen përmes trajnimeve e sigurimit të aparaturave cilësore.

Cilat mënyra/metoda digjitale po përdoren nga gazetarët për të komunikuar me burimet e tyre dhe a mendoni se ata, tani, janë më të hapur të komunikojnë duke shfrytëzuar mjetet digjitale në krahasim me periudhën para pandemisë?

Rexhepi: Ato që i kanë përdorur edhe para pandemisë: WhatsApp, Viber, FCB Messenger. Vlen të përmendet se KOHA ka organizuar një trajnim për gazetarët për sigurinë kibernetike dhe ruajtjen e të dhënave pak kohë para shpërthimit të pandemisë. Më problematike ka qenë gjetja e burimeve të reja, ngase ato krijohen pas marrëdhëniesh më të gjata mirëbesimi gjë që ka qenë e pamundur të ndodhë në kohë pandemie për shkak të masave kufizuese por edhe të hezitimit të njerëzve të kenë kontakte të drejtpërdrejta pas largimit të masave.

Nga këndvështrimi juaj, institucionet dhe kompanitë a publikojnë më shumë të dhëna në internet në krahasim me më parë dhe a keni vënë re dallim në kualitetin e të dhënave dhe të informacioneve?

Rexhepi: Kohëve të fundit u pat shpeshtuar postimi i deklaratave dhe i infove në përgjithësi në internet – rrjete sociale, e gjatë pandemisë kjo ka qenë edhe më e shprehur. Cilësia dhe sasia e të dhënave dhe informacioneve është përcaktuar si edhe më parë nga institucioni/personi që e ka shpërndarë atë. Nuk ka ndikuar pandemia si e tillë në këtë aspekt. Për më tepër, seancat e kuvendit, komisionet parlamentare, mbledhjet e qeverisë… janë ndjekur përmes linqeve në pamundësi që kameramanët dhe gazetarët të jenë të pranishëm.

Cila është përshtypja juaj – besimi i audiencës në raportimin e medieve është rritur, është zvogëluar apo ka mbetur i pandryshuar gjatë periudhës së pandemisë?

Rexhepi: Besimi i audiencës besoj varet nga reputacioni i mediumit, ndërkohë që afërsia me media, veçanërisht me televizione është rritur për shkak të kufizimeve të lëvizjes. Mediumet në përgjithësi e kanë trajtuar pandeminë në mënyrë profesionale duke mos publikuar info e pamje që do të cenonin privatësinë (përveç kur publikimi është lejuar) dhe duke raportuar korrekt në aspektin e vërtetësisë.

Sa kanë punuar kompanitë mediale që të plotësojnë kushtet e nevojshme të gazetarëve për punë gjatë krizës së pandemisë dhe cilat kanë qenë format e mbështetjes?

Rexhepi: KOHA ka siguruar vazhdimisht maska, dorëza dhe dezinfektues për të gjithë personelin e saj. Ata janë inkurajuar që t’i bartin maskat e dorëzat dhe të bëjnë dezinfektimin sa më shpesh. Po ashtu në baza javore është dezinfektuar i gjithë vendi i punës nga kompani profesioniste. KOHA u ka mundësuar orar të përshtatshëm të gjithë punëtorëve varësisht nga specifikat: prindërve që të punojnë nga shtëpia ose të dalin në punë pasdite nëse nuk ka pasur kush të kujdeset për fëmijët; gazetarëve që nuk kanë pasur transport nga qytetet e tjera të punojnë nga shtëpia; pushime mjekësore për ata që kanë pasur nevojë, etj.

Cilat metoda në luftën kundër dezinformatave janë praktikuar nga mediet e Kosovës?

Rexhepi: Në mediumin ku punoj vlen parimi konfirmim-publikim. Nëse përfaqësues të institucioneve/personalitete dezinfomojnë dhe për shkak të pozitës që mbajnë deklaratat u publikohen, natyrisht me referencë, përgjegjësia dezinformuese bie mbi ta.

Nëse mund ta mendoni gazetarinë pas pandemisë, si do të dukej dhe cilat mendoni se do të jenë pasojat e qëndrueshme/afatgjate të pandemisë edhe pasi ajo të mbarojë?

Rexhepi: Gazetarët e mediumet veç duhet të mbështeten në parimet thelbësore të profesionalizmit dhe objektivitetit, dhe sikur pas luftës ashtu edhe pas pandemisë do ta vazhdojnë punën duke iu adaptuar kryesisht risive/sfidave/mundësive teknologjike. Pandemia mund të ndikojë te ana financiare e mediumeve meqë ka rënie të numrit të reklamave, por jo direkt në cilësinë e gazetarisë. Dikush mund edhe t’i ndërlidhë këto dy aspekte, por kjo NUK vlen për mediumet e pavarura dhe profesionale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button