Kryeredaktori i A2CNN, Yzeiri: Reduktimi i pagave dhe vështirësitë tjera nuk i kanë ndalur gazetarët, janë edhe më përgjegjës e ngulmues për të ushtruar punën e tyre

Nga Dren Gërguri

COVID-19 ka ndikuar te media në forma të ndryshme në Shqipëri. Në një intervistë për Portalb.mk, Elert Yzeiri, kryeredaktor i A2CNN tregon për sfidat me të cilat është përballë profesioni i gazetarisë gjatë situatës pandemike. Yzeiri thotë se vështirësitë i kanë nxitur gazetarët të ushtrojnë profesionin e tyre edhe me më shumë përgjegjësi.

Si po e transformon COVID-19 gazetarinë në Shqipëri?

Yzeiri: Kjo nuk ka qenë një periudhë e mirë, jo vetëm në aspektin human që është më i rëndësishmi, por edhe në atë profesional. Edhe në media kjo është ndjerë shumë, veçanërisht për ata gazetarë dhe reporterë që detyrën e tyre e kanë patur në tërren. Në gjykimin tim, gazetarët (duke ju referuar eksperiencës në këto muaj në A2CNN) janë bërë më të ndjeshëm, janë bërë më të përgjegjshëm, shumë më kërkues dhe hulumtues. Duke e prekur nga afër situatën, sjelljen, frikën, mbrojtjen dhe hidhërimin e njerëzve, kanë mundur të nxjerrin më të mirën e tyre. Edhe pse në shumë raste është dashur që të respektojnë distancimin social, gazetarët kanë formësuar një qasje më të mirë me përditshmërinë, linjat editoriale dhe qartësinë në informimin e publikut. Duke qenë çështje shumë sensitive, kjo ka bërë që kujdesi të jetë maksimal, në çdo fjalë të thënë apo shkruar, në çdo pyetje, në çdo pamje të xhiruar, duke qëndruar brenda etikës, duke mos cënuar apo krijuar gjendje të këqija emocionale, duke evituar hapjen e panikut, duke respktuar veçanërisht zërin e profesionistëve.

Cilat mënyra/metoda digjitale po përdoren nga gazetarët për të komunikuar me burimet e tyre dhe a mendoni se ata, tani, janë më të hapur të komunikojnë duke shfrytëzuar mjetet digjitale në krahasim me periudhën para pandemisë?

Yzeiri: Ne jetojmë në një epokë dixhitale dhe më mirë se kurrë era dixhitale na ka ardhur në ndihmë për të qenë të lidhur në këtë periudhë. Të gjitha aplikacionet e telefonisë celulare u bënë burim ndërlidhës për të realizuar intervista apo për të përçuar video, foto dhe informacione në këtë periudhë. Cilësia e figurës dhe zërit nuk ka qenë më e mira e mundshme, por ka qenë e pranueshme për transmetime dhe mendoj se ajo do të mbetet edhe në një të ardhme, si mjet ndihmës për shumë televizione. Edhe gazetarët dhe reporterët në këtë rast kanë fituar shprehi të reja komunikimi, të cilat u kanë shërbyer më së miri.

Nga këndvështrimi juaj, institucionet dhe kompanitë a publikojnë më shumë të dhëna në internet në krahasim me më parë dhe a keni vënë re dallim në kualitetin e të dhënave dhe të informacioneve?

Yzeiri: Për sa i përket Shqipërisë nuk mendoj se ka ndryshuar shumë. Institucionet shtetërore këtu janë shumë hermetike dhe informacionet gjithnjë janë shumë të rezervuara, me komunikata të strukturuara dhe pa hapësirën për t’u informuar mjaftueshëm. Mendoj se duhet të ketë më transparencë dhe informacion.

Cila është përshtypja juaj – besimi i audiencës në raportimin e medieve është rritur, është zvogëluar apo ka mbetur i pandryshuar gjatë periudhës së pandemisë?

Yzeiri: Duke ju referuar A2CNN mendoj se besueshmëria është rritur ndjeshëm gjatë kësaj periudhe dhe këtë e reflektojnë edhe shifrat që ne disponojmë nga të dhënat tona. Gjithashtu kjo është dukshme edhe nga interesi që krijohet tek të ftuarit e pranishëm në intervista dhe në studiot tona. Ashtu siç e thashë edhe më lart, mediat kanë qenë shumë më të përgjegjshme dhe kujdesshme në raportimin e informacionit dhe kjo ka bërë që edhe publiku të ndjekë me më shumë kujdes mediat.

Sa kanë punuar kompanitë mediale që të plotësojnë kushtet e nevojshme të gazetarëve për punë gjatë krizës së pandemisë dhe cilat kanë qenë format e mbështetjes?

Yzeiri: Shëndeti i punonjësve është më i rëndësishmi, ndaj edhe kujdesi për të gjithë ka qenë maksimal. Gazetarët gjithnjë kanë qenë të pajisur me maska, doreza dhe dezinfektues, edhe në ambientet e punës janë bërë dezinfektime të përditshme. Në studio është respektuar distanca sociale mes prezantuesve, por edhe për kameramanët apo personelin tjetër teknik. Gjithashtu edhe mjetet e punës, kamerat dhe mikrofonët janë dezinfektuar dhe janë mbështjellë me mbrojtëse të përkohshme.

Si ka ndikuar COVID-19 në qëndrueshmërinë e mediave dhe sigurinë e punës së gazetarëve në Shqipëri?

Yzeiri: Për fatin e mirë nuk është mbyllur asnjë medium, ndërkohë për sa i përket pagave në shumë media ka patur reduktime të pagave. Është një periudhë shumë e vështirë. Gjykoj që ndoshta edhe shteti duhej kishte një qasje tjetër ndaj mediave.

Cilat aspekte të punës dhe jetës së gazetarëve kanë qenë më të prekura gjatë periudhës së pandemisë?

Yzeiri: Padyshim që aspekti më i rëndësishëm ishte rreziku i prekjes nga virusi, sepse më pas do të shkaktonte një reaksion zinxhir, duke bërë që të prekten edhe kolegë, miq apo familjarë të tyre, në kontaktet e mëpasshme.

Cilat metoda në luftën kundër dezinformatave praktikohen në mediet e Shqipërisë?

Yzeiri: Dezinformimi luftohet vetëm me profesionalizëm. Një media cilësore raporton në mënyrë profesionale, me informacione të konfirmuara në burime zyrtare, duke bërë fact checking apo research të kujdesshëm. Kjo është detyrë e editorëve, kryeredaktorëve, producentëve që duhet të rrisin vigjilencën dhe të kërkojnë double check të informacioneve dhe burime që kanë shfrytëzuar reporterët dhe gazetarët.

Kush janë burimet kryesore të dezinformimit në Shqipëri?

Yzeiri: Mendoj se dezinformimi vjen nëpërmjet rrjeteve sociale. Individë të caktuar, por jo në pak raste edhe njerëz të përfshirë në politikë janë bërë burime të keqinformimit, e më pas mediat kanë rënë prehë e këtyre informacione që më pas kanë përfunduar në televizion, radio, gazeta dhe faqe interneti.

A është intensiteti i dezinformatave i njëjtë tani, si para fillimit të pandemisë si dhe çfarë mendoni për llojin e dezinformatave të shpërndara gjatë kësaj periudhe?

Yzeiri: Kam krijuar një përshtypje se pjesa më e madhe mediave, ato më seriozet kanë qenë të kujdesshme, duke qëndruar larg informacioneve dezinformuese.

A ka ndikuar pandemia në qasjen e informacionit?

Yzeiri: Gazetarët janë bërë më të ndjeshëm dhe natyrshëm më të thelluar në punë që ata bëjnë. Ka rritur përgjegjshmërinë ndaj detyrës dhe këto mendoj se janë vlera që nuk kemi mundur ti ngjizim më parë. Unë them se do të jemi gazetarë më të mirë, pas kësaj pandemie.

Cilat kërcënime për lirinë e medieve janë shfaqur gjatë periudhës së pandemisë?

Yzeiri: Siç edhe ju e dini prej kohësh, kryeministri shqiptar e quan median një kazan të madh, kjo besoj se është një fyerje shumë e rëndë. Në ditët e para të izolimit, vetë kryeministri përdori kompanitë kryesore të celularëve që të shpërndanin mesazhin e tij për distancim social, por ndër të tjera ai i kërkonte publikut të qëndronte larg medias. Kjo nuk është vetëm fyerje, por edhe cënim i lirisë.

A jeni më të shqetësuar për privatësinë tuaj tani që një pjesë e madhe e komunikimit ndodh online ose përmes telefonit?

Yzeiri: Në një epokë të tillë, ku teknolgjia shpon shumë thellë, privatësia është vjedhur me kohë dhe kjo ka krijuar edhe imunitetin në komunitetin e gazetarëve. Frikë jo.

Nëse mund ta mendoni gazetarinë pas pandemisë, si do të dukej dhe cilat mendoni se do të jenë pasojat e qëndrueshme/afatgjate të pandemisë edhe pasi ajo të mbarojë?

Yzeiri: Unë shpresoj shumë që pas pandemisë gazetaria të jetë më e përgjegjshme, më e kujdesshme, më reale. Kjo kohë na bëri të kuptojmë që mediat janë shumë të rëndësishme dhe ato nuk janë entitete private, të dikujt apo të ndonjë grupi ato janë pasuri e një vendi, ato i përkasin audiencës së tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button