Spasovski: Votimi nuk do të rrezikojë shëndetin e qytetarëve

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, është shprehur se realizimi i të drejtës së votës nuk do të rrezikojë shëndetin e qytetarëve, duke bërë thirrje për dalje sa më të madhe në zgjedhje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut janë caktuar për më 15 korrik, ndërsa kryeministri Spasovski në video-konferencën e sotme për media u shpreh se nëse respektohen masat, rreziku i të infektuarit me koronavirus nga votimi është më i vogël se nga shkuarja në dyqan.

Ai rikujtoi se nga sot fillon fushata parazgjedhore, duke shtuar se ky proces zgjedhor do të zhvillohet në kushte të pandemisë “që nuk mbahet mend në historinë më të re botërore”.

Spasovski tha se nevojitet funksionim i vazhdueshëm i të gjitha institucioneve të shtetit, me theks të veçantë në Kuvend dhe Qeveri funksionale, duke shtuar se “zgjedhjet janë zgjidhja që të dalim me sukses nga kjo krizë shëndetësore, sociale dhe ekonomike”.

“E drejta e qytetarëve për të shfrytëzuar votën e tyre, nuk do të rrezikojë shëndetin e tyre. Iu referohem epidemiologëve të cilët theksojnë se procesi i votimit nuk i ekpozon votuesit në rrezik, nëse i respektojnë masat. Në vendvotime ndalemi 3 deri në 5 minuta, që është më pak nga shkuarja jonë në dyqan apo në treg”, tha Spasovski.

Ai shtoi se është e rëndësishme që masat e kujdesit, respektivisht mbajtja e maskës dhe e distancës, të zbatohen si në ditën e zgjedhjeve, ashtu edhe gjatë fushatës parazgjedhore.

Spasovski gjithashtu tha se këto janë zgjedhjet e para që Maqedonia e Veriut i organizon si vend anëtar i NATO-s dhe që është në fazën e fundit para anëtarësimit në BE, andaj theksoi se kjo është një obligim dhe motiv shtesë për realizimin e zgjedhjeve sipas standardeve evropiane.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, më 16 qershor e ka nënshkruar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Data konsensuale e pushtetit dhe opozitës, siç njoftoi Xhaferi, është 15 korrik 2020.

Kujtojmë se, zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin paraparë që të mbaheshin më 12 prill, por u anuluan për shkak të paraqitjes së koronavirusit. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button