Ndërkombëtarët kërkojnë që serbët të gjykojnë rastet e serbëve në Kosovë

Departamenti Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë e në atë të Apelit është krijuar ekskluzivisht për t’i gjykuar aktakuzat që ngrihen nga Prokuroria Speciale.

Njëjtë sikur edhe Prokuroria Speciale, ky departament gjykon rastet e ndërlikuara, por që janë në nivel vendi. Pas rreth një viti që ky departament është funksionalizuar, është shtuar edhe presioni që të akuzuarit serbë të gjykohen vetëm nga trupi gjykues me shumicë serbe.

KOHA ka mësuar se përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë kanë kërkuar nga gjyqësori që krimet e profilit të lartë me të akuzuar serbë të gjykohen nga trupi gjykues i kësaj etnie.

Por, sipas kryetarit të Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, një gjë e tillë nuk parashihet në infrastrukturën ligjore për Departamentin Special. Në rregulloren e Këshillit Gjyqësor të Kosovës specifikohet se trupi gjykues përbëhet nga tre gjyqtarë profesionistë, por nuk përmendet fare etnia.

Megjithatë, Zyra Ligjore e Ministrisë së Drejtësisë javë me parë kishte nxjerrë një opinion ligjor që përbërja e trupit me shumicë serbe ekskluzivisht për gjykimet e të akuzuarve serbë është e ligjshme. Ky opinion u nxor një ditë para se qeveria Hoti të votohej.

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk është njoftuar fare për këtë opinion ligjor dhe e ka parë vetëm pasi i është dërguar gjykatës.

Ndarja e gjyqtarëve në baza etnike, kur bëhet fjalë për gjykimin e krimeve të profileve të larta me të akuzuar serbë, sipas avokatit Arianit Koci, është ndarje e sistemit të drejtësisë.

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe asaj të Apelit ishte themeluar si synim që të rritet efikasiteti i punës në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimin e terrorizmit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button