Komente: Çfarë kryeministri i duhet Maqedonisë së Veriut?

Partitë politike, garuese për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 15 korrik, të mërkurën edhe zyrtarisht filluan fushatën e tyre zgjedhore, për të paraqitur para opinioni ofertat e tyre politike me të cilat do të synojnë pjesëmarrjen në qeverinë e ardhshme. Oferta politike që është komentuar më së shumti në opinion dhe e cila u shpalos para fillimit të fushatës, ka qenë ajo e Bashkimit Demokratik për Integrim, e cila kësaj here identifikohet me idenë për zgjedhje të kryeministri të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Një ide e këtillë u përcoll me reagime të shumta në mesin e shqiptarëve, por edhe te etniteti maqedonas.

Të anketuarit për Portalb.mk, vlerësojnë se kryeministri i Maqedonisë së Veriut nuk duhet të ketë ngjyrosje etnike, por duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, në mënyrë të barabartë. Sipas tyre, Maqedonisë së Veriut i duhet një kryeministër i cili do të punojnë në përmirësimin e arsimit, shëndetësisë, ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve. Ndërsa, kryeministri shqiptar nuk do të duhet të përbënte pengesë, por as të jetë kusht.

Mersel Bilalli

Mersel Bilalli, profesor universitar

Maqedonisë si duket i është sëmundje kronike deficit apo mungesë të një kryeministri apo lideri tjetër i cili ka ideal. Pra, njerëzit janë të lodhur me segmente etnike, që të mbulohen paaftësitë dhe strukturat që kanë menaxhuar me fatkeqësinë e popujve. Ato duan zhvillim, ecje përpara, duan standarde, shkollim efikas, shëndetësi të nivelit të lartë. Qoftë edhe të vjen nga kozmosi sot një kryeministër. Ajo është imperativ i kohërave dhe dëshirë e njerëzve. Çdo manipulim tjetër pra është në sferën e luftës së krimit të organizuar për ta mbajtur pushtetin. Pra, duhet person i cili do të ketë ideal ta zhvillojë shtetin dhe ta përmirësojë mirëqenien e qytetarëve, pa dallim të segmenteve etnike.

Ali Pajaziti, profesor universitar dhe publicist

Ali Pajaziti
Ali Pajaziti

Maqedonisë së Veriut i duhet një koncept  i një shoqërie pa paragjykime, pa ngarkesa në bazë etnike, kur çdo qytetar do të jetë potencialisht kryministër ose president i shtetit; pa rezervime me bazë etnike, pa poste të paarritshme dhe të paprekshme, pa tabu në aspekt të mobilitetit social vertikal. Po, duhet të ketë edhe kryeministër shqiptar, por pa avancime kontekstuale dhe partiake, pa bagazh të njeriut që e promovon një parti si “stoli” që sjell pikë politike, pa monopol të një platforme poltike të akcilës parti.  Kryeministrin shqiptar mund ta sjellë edhe presioni publik por edhe shtendosja e raporteve ndëretnike, kur më një gjë e tillë do të bëhet punë ordinere, kur askush s’do merret me identitetin etnik të kadidatit por me CV-në dhe performancat e tij. Atëherë nuk do të jetë me rëndësi a është shqiptar nga një parti shqiptare apo nga një parti maqedonase, ndonëse ky i dyti gjihherë do ta mbajë etiketën e “shqiptarit tjetër”.

Bardhyl Jashari
Bardhyl Jashari

Bardhyl Jashari, drejtor i organizatës joqeveritare “Metamorfozis”

Nuk duhet nënvlerësuar vlera simbolike e kësaj ideje. Besoj se asnjë votues shqiptar në Maqedoni nuk është kundër asaj që kryeministri të jetë shqiptar, prandaj e gabuar është pyetja “pse jo?”. Kujt i drejtohet? Kush thotë jo? Pyetja e vërtetë është “pse na duhet kryeministër shqiptar?” dhe kësaj pyetje duhet t’i përgjigjet vet BDI. Pra, ajo që është më me rëndësi dhe duhet BDI të përgjigjet gjatë fushatës është se çfarë do të sjell kryeministri shqiptar për qytetarët shqiptar në vend, por edhe për gjithë të tjerët. Nëse BDI mendon se kryeministri shqiptar është zgjidhje për problemet e qytetarëve në Maqedoni, le të tregoj pse dhe si. Cilat janë problemet që nuk kanë mund të zgjidhën deri tani për shkak se kryeministri nuk ka qenë shqiptar? Përveç vlerës së madhe simbolike, çfarë do të sjell tjetër për qytetarët shqiptarë? Si do të ndikoje kjo pozitivisht në ngritjen e kualitetit të jetës? Zgjedhjet dhe fushatat zgjedhore kanë për qëllim mes tjerash të tregojnë se çfarë do të bëjnë partitë për të mirën e qytetarëve po që se qeverisin me vendin, si do e bëjnë këtë? Ata duhet të sqarojnë qartë se si një koncept që ata promovojnë përputhet dhe u përgjigjet prioriteteve dhe nevojave të votuesve.

Petar Arsovski
Petar Arsovski

Petar Arsovski, analist politik

Në parim nuk ka asnjë dallim nëse kryeministri është shqiptar apo maqedonas dhe mendoj se është gabim që theksi të vihet aty se, një kryeministër është më i mirë, sepse vjen nga një apo tjetër përkatësi etnike. E rëndësishme është që të jetë i përkushtuar në agjendën e cila i nevojitet shtetit momentalisht. Ajo është integrimet euroatlantike, sundimi i së drejtës, drejtësia, rimëkëmbja ekonomike e kështu me radhë dhe të punoj në interes të të gjithë qytetarëve dhe jo nëse vjen nga një apo tjetër përkatësi etnike. Kështu që, në parim as nuk guxon të jetë pengesë që kryeministri të jetë shqiptar, as duhet të jetë kusht të jetë shqiptar apo maqedonas. Kryeministri zgjidhet sipas aftësisë së tij dhe jo sipas gjenealogjisë së tij.

Selim Ibraimi
Selim Ibraimi

Selim Ibraimi, analist politik

Qytetarëve të Maqedonisë së Veriut ju duhet një kryeministër që i përfaqëson drejtë dhe të gjithë pa dallim të etnisë dhe fesë. Kryeministri duhet jo vetëm para fushatave zgjedhore të deklarohet se është për të gjithë qytetarët dhe pastaj të ndërrojë qëndrimet. Ai  nëse nuk mendon njëjtë për të gjithë, pozita e tij apo funksioni i tij ka për tu parë si i njëanshëm në mjediset e përziera etnike. Maqedonia e Veriut aktualisht ka nevojë për kryeministër që do të vijë nga partitë politike dhe jo nga dëshirat personale të liderëve politikë. Në Maqedoninë e Veriut kryeministër mund të bëhet edhe një shqiptarë, vlleh, rom apo serb, dhe ashtu duhet të jetë dhe të instalohet një vetëdije politike që Maqedonia e Veriut të ecë përpara si shtet për të gjithë pa dallime etnike e fetare. Vetëm, një përzgjedhje e tillë do ta stabilizojë vendin brenda dhe jashtë. Perceptimet etnike për një kryeministër nga grupet tjera etnike duhet të ndryshojë si mundësi për vazhdim të kohezionit të brendshëm.

Fatmir Sulejmani
Fatmir Sulejmani

Fatmir Sulejmani, profesor universitar dhe publicist

Shtetet multietnike, multikulturore e multikonfesionale, si puna e Maqedonisë së Veriut, kanë nevojë për kryeministra të pangarkuar me paragjykime nacionaliste, që do të angazhohen për të mirën e të gjithëve. Mjerisht, të paktën prej kur di për veten, ky vend nuk është qeverisur kurrë nga një kryeministër i tillë – i aftë, i ndershëm, i paanshëm dhe i pakompleksuar. Natyrisht, kryeministri nuk është e thënë të zgjedhet përherë nga rradhët e popullit shumicë në vend, sepse të rinj të zot e të shkolluar brenda e jashtë vendit mund të gjesh sa të duash edhe në mesin e shqiptarëve, që në këto troje jetojnë denbabaden.

Erol Rizaov, gazetar

erol-rizaov
Erol Rizaov

Na duhet kryeministër i cili ka kapacitet demokratik, kulturë të gjerë, tolerantë, i gatshëm për kompromise, të cilit i janë të hapura dyert te burrështetas dhe politikan botëror dhe fqinjësor, i cili di të menaxhoj me raporte delikate të koalicionit, që e pranon përgjegjësinë dhe llogaridhënien për punën e tij dhe ministrave e bashkëpunëtorëve të tij. I tillë do të ishte portreti i kryeministrit ideal dhe qeveri e koalicionit komplete politike.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button