Research In Motion tashmë do të quhet BlackBerry

Research In Motion ka dalë me versionin e ri të sistemit operativ, BlackBerry 10, dhe bashkë me platformën e ri-dizajnuar mobile, prodhuesi i njohur kanadez gjithashtu ka prezantuar edhe dy modele të reja të telefonave inteligjentë në një konferencë shtypi në Nju Jork.

Bëhet fjalë për një sistem plotësisht të ri, i ndarë nga sistemet e mëparshme operative BlackBerry, me filozofi plotësisht të re, por edhe me përmirësime të ndjeshme të përdorimit. Sipas fjalëve të drejtorit ekzekutiv Thorstein Heins, BlackBerry 10 ka për detyrë të mënjanojë njollën e “përdoruesve të biznesit” nga pajisjet BlackBerry dhe ti afrohet një game më të gjerë të konsumatorëve.

Drejtori i kompanisë, e cila deri më sot njihej me emrin Research In Motion, ose shkurt RIM, Thorsten Heins doli në skenë për të shpalosur karakteristikat e BB10  dhe telefonave BlackBerry Z10 dhe BlackBerry Q10, modelet e para të cilat do të bazohen në BB10.

“Ky model është njëri ndër më të mëdhenjtë e industrisë tonë”, tha Heins.  Më tej, ai ka deklaruar se kompania do ta ndryshojë emrin nga Research In Motion në BlackBerry, e cila tani do të njihet me emrin e shkurtër BBRY, ose BB.

Shpresa më e madhe e BlackBerry-t është modeli i ri Z10, i cili do të duhej t’i bëj konkurrencë iPhone-it dhe Android-ve. Pajisja ka ekran 4,2 inç me rezolucion 1280 x 756 pika që jep dendësi prej 356 ppi. Dimensionet e kësaj pajisje janë 130 x 66 x 9,3 mm, ndërsa pesha është 138 gram. Punon me procesor dy bërthamësh Snapdragon S4 Plus me fuqi prej 1,5 GHz në kombinim me 2 GB RAM. 

Për fansat e BlackBerry-t gjithsesi do të jetë interesant edhe modeli BlackBerry Q10, i cili përmban tastierën tradicionale QWERTY për të cilën ka qenë gjithmonë i njohur BlackBerry. Kjo pajisje ka ekran me formë katrore me 3,1 inç madhësi dhe rezolucion 720 x 720 pika (330 ppi). Procesori është i njëjtë sikurse te modeli Z10, pra dy bërthamësh Snapdragon me fuqi 1,5 GHz. Sipas informacioneve të deritashme, BlackBerry-t e ri do të mbështesin Skype-in dhe protokollet e tjera VoIP, që në gjeneratat e mëparshme nuk ishte e mundur.

BlackBerry Z10 në shitje do të dal që nga 5 shkurti, derisa modeli BlackBerry Q10 do të duhej të jetë i disponueshëm globalisht nga muaji prill. Sa i përket çmimeve, BlackBerry Z10 do të jetë në të njëjtin rang me Galaxy S3, Nokia Lumia 920 dhe top modelet tjera. 

Lajme të ngjashme

Back to top button