fbpx

Mashtrime, gënjeshtra dhe urrejtje, “Infeksioni” tjetër prej koronavirusit

Teksa qeveritë luftojnë për të frenuar transmetimin e covid-19, ato gjithashtu luftojnë për të ndalur përhapjen e dezinformatave në internet, të lidhura me të.

Pandemia ka rezultuar në përhapjen e shpejtë të teorive të komplotit që paraqesin rrezik për shëndetin publik, një rritje të urrejtjes anti-aziatike në internet, si dhe një përhapje të mashtrimeve mbi covid-19.

Pjesa më e madhe e dezinformatave në internet rreth koronavirusit po shpërndahen nga faqet që kanë mbështetur teoritë e komplotit për tema të tjera, siç janë vaksinat dhe sulmet e 11 shtatorit, thotë John Gregory i NewsGuard, një firmë që vlerëson besueshmërinë e lajmeve dhe faqeve të informacionit. Firma fillimisht vuri re një rritje të dezinformatave mbi covid-19 në javën e fundit të janarit, pasi virusi filloi të mbulohet gjerësisht në emisionet e lajmeve, transmeton Bota.al.

“Pjesa më e madhe e faqeve që ne kemi identifikuar për shkëmbimin e dezinformatave mbi koronavirusin dhe pandeminë janë sitet që ne i kishim vlerësuar tashmë si jo të besueshme”, thotë Gregory.

Evropë, firma identifikoi 36 faqe në Facebook që i konsideronte “super-përhapëse” të dezinformimit mbi koronavirusin, të cilat së bashku kishin më shumë se 13 milion përdorues. “Vëllimi është i pashembullt,” thotë Gregory.

Disa faqe janë duke përdorur covid-19 si një mënyrë të re për të përhapur lajme, thotë Gregory. Për shembull, faqet e komplotit që kishin pohuar në mënyrë të rreme se sinjalet 5G shkaktojnë kancer, që atëherë kanë nisur të lidhin 5G me pandeminë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Kate Daunt në Universitetin e Cardiffit dhe kolegët e saj anketuan më shumë se 700 njerëz midis 21 Marsit dhe 5 Prillit, dhe zbuluan se 51 përqind e të anketuarve kishin parë dezinformata rreth koronavirusit gjatë muajit të kaluar.

Në mesin e grupit që raportoi se nuk kishin parë ndonjë lajm të rremë në lidhje me covid-19, studiuesit zbuluan se 41 përqind nuk i kontrollonin kurrë lajmet për vërtetësinë e tyre, para se t’i ndanin ato me të tjerët. “Këta individë janë më pak të informuar dhe mund të shohin dezinformim, por pa e kuptuar atë,” thotë Daunt.

Nuk janë thjesht lajme të rreme që po përhapen në internet. Srijan Kumar në Institutin e Teknologjisë së Georgias në Atlanta dhe kolegët e tij vunë re rritje të gjuhës së urrejtjes anti-aziatike në Tuiter, duke analizuar gati 31 milion postime në këtë platformë, në lidhje me covid-19.

Ata e përkufizuan gjuhën e urrejtjes anti-aziatike, si çdo postim që ishte abuziv ose poshtërues ndaj një individi ose grupeve të njerëzve aziatikë, apo që i fajësonin ata për krijimin, përhapjen ose keqinterpretimin e covid-19.

Ekipi identifikoi afërsisht 3 përqind – ose 891,000 postime – si gjuhë urrejtjeje, dhe 10 përqind e tyre u postuan nga bot-et në internet. Ai gjithashtu zbuloi se rreth 200,000 postime ishin kundër-urrejtës, domethënë ata kritikonin në mënyrë aktive racizmin dhe gjuhën e urrejtjes, ose mbështesin apo mbronin njerëzit aziatikë.

Gjuha e urrejtjes, si virusi, duket se është ngjitëse. Edhe duke marrë parasysh faktin se njerëzit kanë tendencë të ndjekin të tjerët me pikëpamje të ngjashme, përdoruesit që panë gjuhë urrejtjeje anti-aziatike të postuar nga dikush që e ndiqnin, kishin pesë herë më shumë të ngjarë të hidhnin më shumë postime me përmbajtje urrejtëse.

Në të kundërt, studiuesit zbuluan se postimet kundër-urrejtjes dekurajuan të tjerët që të hidhnin mesazhë të ngjashme. Kjo sugjeron që platformat e mediave sociale duhet të marrin masa për të zvogëluar ekspozimin e përdoruesve ndaj përmbajtjes së urrejtjes, thotë Kumar. “Kjo nuk ka të bëjë vetëm me gjuhën e urrejtjes në internet,” thotë ai. “Eshtë gjithashtu se si njerëzit ndikohen në botën reale.”

Mashtrimet

Pandemia e koronavirusit gjithashtu ka çuar në një shtim të mashtrimeve. Në prill, rregullatori i komunikimit në Mbretërinë e Bashkuar Ofcom paralajmëroi për thirrje telefonike dhe tekste nga mashtrues që hiqeshin si qeveri, agjensi shëndetësore publike dhe madje edhe vetë Ofcom.

Mesazhet me tekst shpesh imitojnë formulimet zyrtare, të tilla si kërkimi i parave përmes gjobave të rreme për gjoja shkelje të rregullave të bllokimit. Telefonuesit janë paraqitur si punonjës shëndetësie ose gjurmues të kontaktit, duke ofruar teste dhe trajtime.

Deri në 29 maj, gati 4.7 milion stërlina ishin humbur prej këtyre lloj mashtrimeve në të gjithë vendin, dhe më shumë se 2000 njerëz ishin mashtruar, sipas ActionFraud, qendra e raportimit në Mbretërinë e Bashkuar për mashtrime dhe krime në internet.

Ajo gjithashtu kishte marrë më shumë se 11,200 raportime mbi e-maile mashtruese të lidhura me koronavirusin, të cilat kërkojnë të vjedhin informacionin personal të një përdoruesi.

Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike në Mbretërinë e Bashkuar ka vërejtur një rritje në faqet e internetit, të mashtrimeve që shesin teste të rreme, maska për fytyrën dhe vaksina.

Ajo nisi një shërbim raportimi për postë elektronike të dyshimtë në 21 prill, duke marrë më shumë se 600,000 ankesa në pak më shumë se pesë javë.

Kriminelët në internet po përfitojnë nga frika e njerëzve për shëndetin, thotë Jake Moore në firmën e sigurisë në internet ESET. “Të kapur prej këtij paniku, [njerëzit] po japin shumë informacione për të cilin ata ndoshta do të mendoheshin dy herë, në një tjetër situatë,” thotë ai.

Moore thotë se mashtrimet në lidhje me koronavirusin kanë ndjekur tendencat në lajme. Një shqetësim aktual ka të bëjë me ata rreth aplikacionit të gjurmimit të kontakteve në Mbretërinë e Bashkuar, ku njerëzit marrin tekste ose emaile false nga adresa vetëm pak të ndryshme nga ato zyrtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button