Kreu i PDSH-së në Luginën e Preshevës tregoi arsyet pse i bojkotoi zgjedhjet e djeshme

Partia Demokratike Shqiptare në Luginën e Preshevës, e kryesuar nga Ragmi Mustafa zgjodhi të bojkotojë zgjedhjet në Serbi, të cilat u fituan bindshëm nga partia e presidentit aktual Aleksandar Vuçiç.

Kreu i kësaj partie tregoi në Euronews Albania rrethanat të cilat sipas tij detyruan PDSH-në të mos merrte pjesë në zgjedhje. Ai tha se shqiptarët e Luginës janë të diskriminuar dhe të shtypur nga politika në Serbi, ndërkaq shtoi se jo një apo dy deputetë, por as 20 të tillë nuk mund të çojnë përpara të drejtat e shqiptarëve në Beograd.

“Asnjë çështje e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk është avancuar. Në këtë fushë, përkundër thirrjeve të autoriteteve kombëtare në Tiranë dhe në Prishtinë që të dilej në zgjedhje, Serbia vazhdonte me diskriminim flagrant të shqiptarëve duke i hequr nga gjendja civile, në mënyrë që shqiptarëve t’u humbasë identiteti. Ka edhe shumë shkelje edhe në arsim dhe në përdorimin e flamurit kombëtar”, tha ai.

Pushtetin e presidentit aktual z. Mustafa e cilësoi si një “autokraci të tërbuar”, që dhunon të drejtat e shqiptarëve.

“Zëri i shqiptarëve has në vesh të shurdhër në Beograd, qoftë në mandatin e kaluar, qoftë në këtë autokraci, e cila është e tërbuar me në krye Aleksandër Vuçiç. Ne përpiqemi që problemet t’i zgjidhim nëpërmjet ndërkombëtarëve, sepse ashtu mbaroi lufta në vitin 2001”, tha ai.

Partia Demokratike Shqiptare në Luginën e Preshevës kërkon që shqiptarët të kenë përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë dhe atë të Kosovës. Sipas kreut të saj Ragim Mustafa, në këtë formë përfaqësimi, shqiptarët e Luginës do mund të çojnë përpara të drejtat e tyre, të cilat u janë mohuar prej vitesh.

“Serbia është ajo që duhet të bëjë hapin e parë që të trajtojë shqiptarët si qytetarët të saj dhe në këtë fushë nuk janë të mundshëm që të arrijnë të çojnë përpara të drejta e tyre. PDSH është për bashkim me Kosovën, është e interesuar që të ketë përfaqësuesit e saj në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button