OSBE/ODIHR shpalosi qëllimet dhe ekipin e Misionit në Maqedoninë e Veriut

Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) njoftoi se sot ka filluar zyrtarisht Misionin e posaçëm për vlerësim të zgjedhjeve (MPVZ) në Maqedoninë e Veriut për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 15 korrik, transmeton Portalb.mk.

“Misioni do të udhëhiqet nga Laima Andrikiene (Lituania) dhe përbëhet nga ekipi kryesor i tetë ekspertëve ndërkombëtar të vendosur në Shkup”, thuhet në njoftim e OSBE-së.

Në njoftim sqarohet se Misioni vjen pas ftesës zyrtare nga autoritetet e RMV-së.

OSBE/ODIHR shpalosi qëllimet e Misionit në procesin zgjedhor:

-Vëzhguesit do të ndjekin aspektet themelore të zgjedhjeve si regjistrimi i votuesve, regjistrimi i kandidatëve, aktivitetet e fushatës si dhe mbulimi mediatik i fushatës, puna e administratës zgjedhore dhe e organeve përkatëse shtetërore, implementimi i kornizës ligjore si dhe zgjidhja e kontesteve zgjedhore.

-Misioni do të bëjë vlerësimin e zgjedhjeve lidhur me përputhjen e tyre me angazhimet e OSBE-së, dhe me detyrimet dhe standardet tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike si dhe ato të legjislacionit kombëtar.

-Gjithashtu do të bëj monitorimin kualitativ dhe kuantitativ të mbulimit mediatik të fushatës zgjedhore.

-Misioni gjithashtu do të mbaj takime me përfaqësues të autoriteteve relevante dhe të partive politike, me shoqërinë civile, mediat si dhe komunitetin ndërkombëtar.

-Do të jetë në bashkëpunim të afërt me autoritetet shëndetësore të Maqedonisë së Veriut dhe do të ndjek protokollet shëndetësore të caktuara nga ana e tyre.

-MPVZ i ODIHR-it nuk do të kryejë vëzhgim sistematik ose gjithëpërfshirës të procedurave të votimit, numërimit dhe futjes në tabelë të të dhënave në ditën e zgjedhjeve, në përputhje me metodologjinë e ODIHR-it për misionet e vlerësimit të zgjedhjeve.

-Megjithatë, anëtarët e Misionit do të vizitojnë një numër të kufizuar të vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve.

-Një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve, ODIHR-i do të shpall gjetjet preliminare lidhur me procesin zgjedhor dhe do të diskutojë përfundimet në një konferencë për shtyp.

“Një raport përfundimtar me një vlerësim të të gjithë procesit zgjedhor, që përmban rekomandime do të publikohet afërsisht dy muaj pas përfundimit të procesit zgjedhor”, njoftojnë nga OSBE/ODIHR.

Ndryshe, ekipi vëzhgues i misionit i OSBE/ODIHR realizuan takim me Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në të cilin u informuan për vijimin e procesit zgjedhor.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) javën e kaluar  e miratoi librin e rishikuar të afateve për zgjedhjet parlamentare për të cilat partitë politike arritën marrëveshje që të mbahen më 15 korrik.

Libri i afateve është përgatitur në përputhje me Dekretin e Qeverisë me fuqi ligjore për Zgjedhjet, me të cilin, veç të tjerash parashikohet, heshtja të fillojë më 12 korrik në mesnatë, më 13 korrik të votojnë personat me Kovid-19, në izolim dhe vetizolim për të cilët do të formohen vendvotime speciale këshilla të përbërë nga punonjës shëndetësore dhe përfaqësues të partive, ndërsa më 14 korrik të sëmurët dhe të burgosurit e tjerë që do të aplikojnë për të votuar. Qytetarët e moshës madhore do të kenë mundësi të votojnë në ditën e zgjedhjeve nga ora 7:00 deri në orën 21:00.

Kujtojmë se, zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin paraparë që të mbaheshin më 12 prill, por u anuluan për shkak të paraqitjes së koronavirusit. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button