Antikorrupsioni ka hapur rast për punën e drejtorit të Agjencisë për film në RMV

Komisioni për parandalim të korrupsionit ka hapur lëndë për punën e drejtorit të Agjencisë për film, Gorjan Tozija, ka konfirmuar për SDK.mk kryetarja e Komisionit, Biljana Ivanovska.

“Një anëtar i Komisionit është duke punuar në lëndën për punën e drejtorit Tozija, por nuk mund të zbuloj më tepër detaje, për shkak se praktika jonë është që secili anëtar ta punon lëndën dhe kur të jetë gati do ta prezantojë para anëtarëve tjerë. Pasdite kemi takim dhe do t’u japim informacione plotësuese”, u përgjigj Ivanovska në pyetjet tona nëse lënda ka të bëjë me pagesën e parakohshme për të gjitha projektet e aprovuara filmike nga Agjencia dhe për atë se çka konkretisht hetohet në këtë lëndë dhe në cilën fazë janë hetimet.

Sipas informatave jozyrtare, me këtë lëndë shqyrtohet ligjshmëria e pagesës urgjente të të gjitha projekteve filmike nga ana e Agjencisë për film në mars në fillim të krizës me koronën. E kontestueshme për pjesën më të madhe të projekteve të paguara është se, nga producentët nuk ka as garanci bankare e as dokumentacion për faza të përfunduara paraprake. Në pajtim me Ligjin për veprimtari filmike, producenti filmik para se ta nënshkruan marrëveshjen në afat përkatës duhet të parashtrojë garanci bankare në lartësi prej 25% të shumës së mjeteve të cilat i paguan Agjencia.

Me masën të cilën Agjencia e paralajmëroi më 24 mars, për dy ditë pune ka paguar gjithsej 27 projekte filmike, siç ka njoftuar atëherë, “të cilat janë në fazë të avancuar të realizimit, përkatësisht ato të cilat kanë përfunduar apo janë para përfundimit”, “për t’iu ndihmuar punonjësve të pavarur filmik (frilenserëve) dhe shtëpive të produksionit”.

“Drejtori i Agjencisë për film, Gorjan Tozija në suaza të kompetencave të tij ka ndërmarrë masa për ndihmë për punonjësit filmik (frilenserë) dhe shtëpitë e produksionit. Pas rekomandimeve të Qeverisë, në marrëveshje me kryetarin e Shoqërisë së punonjësve filmik, Igor Ivanov, ndërsa pas takimit konstruktiv me ministrin për Kulturë, Hysni Ismaili në suaza të autorizimeve të tij ligjore, Agjencia për film, prej mjeteve nga buxheti vjetor, ka bërë pagesë për projektet e nisura filmike të cilat janë në fazë më të thellë të realizimit përkatësisht ato që kanë mbaruar apo janë para përfundimit. Duke e zbatuar këtë masë Agjencia për film për këto dy ditë pune ka paguar gjithsej 27 projekte filmike“, qëndron ndër të tjerat në Komunikatën e Agjencisë nga 24 marsi.

Megjithatë, në bazën e të dhënave Financa të hapura të Ministrisë për Financa, shihet që ndër të paguarit ka më tepër projekte që as nuk janë filluar. Sipas bazës së të dhënave, në periudhën mars-maj 2020, ka rreth 50 pagesa me gjithsej përreth një milion euro, për projekte që janë aprovuar në konkurset e Agjencisë nga viti 2014 deri 2019. Pagesat kryesore janë bërë më 17, 20 dhe 24 mars.

Masa e Agjencisë për film për pagesë të projekteve filmike është ndryshe prej asaj që ishte publikuar më 30 maj, kur Ministria për Kulturë e bëri publike që paratë të cilat si ndihmë në gjendje të jashtëzakonshme do t’i fitojnë filmprodhuesit do të vijnë nga Fondi për ndihmë dhe përkrahje për ballafaqim me krizën e shkaktuar nga koronavirusi KOVID- 19. Qeveria në seancën e mbajtur më 26 maj miratoi Urdhëresë me fuqi ligjore për përkrahje financiare të punonjësve filmik gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, për muaj prill dhe maj me neto shumë mujore prej 14.500 denarë.

Për një rast tjetër, kundër Tozijas është parashtruar edhe kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike, nga producenti Robert Naskov dhe shtëpia e produksionit “Partizans”. Kallëzimi ka të bëjë me filmin nga viti 2016 “Çlirimi i Shkupit”, në regji të Danillo dhe Rade Sherbexhija, ku producenti kryesor me 69 përqind është “Partizans”, ndërsa ko-producentë janë “MP film prodakshën” nga Kroacia dhe “Art films prodakshën AFP” nga Finlanda.

Filmi është incizuar në fund të vitit 2014, kurse premiera u mbajt më tetor të vitit 2016. Tozija në atë periudhë ka qenë i angazhuar si bashkëpujnëtor i jashtëm i filmit, mirëpo së bashku me ko-producentin kroat Igor Nolla, pa njohuri të producentit kryesor Naskov, ua kanë shitur të drejtat e filmit distributorëve nga Holanda dhe Italia. Në vitin 2016 “Çlirimi i Shkupit” ishte edhe kandidat për Oskar, nga Maqedonia.

Duke e pasur parasysh që Agjencia për film në vitin 2014 e ka përkrahur këtë film me 1.25 milionë euro, Naskov dhe Popovski konsiderojnë që Tozija, i cili u bë drejtor i Agjencisë më gusht të viti 2017, paraprakisht me shitjen e paautorizuar e ka dëmtuar buxhetin me mbi 20.000 euro, pasi pjesë e parave për distribuim duhet të kthehen në Agjencinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button