Egoja dhe kompletimi i figurave publike

Egoja mjaftë e theksuar e politikanëve të sotëm, tani për tani, ka hapur hendekun e ndasive dhe përçarjeve të rrezikshme në Kosovë. Nëpër këtë rrëpirë të thellë të turbulencave dhe lojërave politike kalojnë vërshime të mëdha mosbesimesh e inatesh për njëri-tjetrin. Ata harrojnë ta njohin kohën nëpër të cilën u sosen sekondat, minutat, orët, ditët, javët, muajt dhe vitet. Harrojnë se disa prej tyre akoma kanë qëllime personale të ngritjes së vetes në vendin ku nuk e meritojnë.

Kurse koha e nevojshme në jetë ka vlerën dhe peshën e vet të rëndësishme, bashkë me përfaqësuesit e përzgjedhur dhe vepruesit e saj elitarë, nëse momentet e ngjeshura politike shfrytëzohen gjithnjë me vetëdije dhe ndërgjegje të pastër. Ata individë që marrin hise të udhëheqin popullin e vet e kanë përgjegjësinë më të madhe se sa njerëzit e rëndomtë të shoqërisë që anojnë symbyllas nga ata. Secili njeri që lakmon të jetë në krye të një dimensioni mendor politik, duhet ta kuptojë se e humb, para së gjithash, lirinë personale dhe paqen me veten. Ai duhet ta di se para vetes ka detyra të mëdha dhe duhet të jap llogari për veprimet që merr për gjërat që janë në interes të përgjithshëm kombëtarë.

Të marrish përgjegjësinë e të qeverisësh një popull nuk është peshqesh i leverdishëm që mund ta pranoj gjithsecili. Ajo ka peshën e vetë të llogaridhënies së përhershme në kohën që vepron dhe aktron politikisht. Koha është dëshmitare më e mirë e të arriturave të politikanëve gjatë historisë së këtij populli. Ajo dëshmon se si kanë vepruar dhe pësuar politikanët gjatë viteve të ikura. Sepse koha është vlerë e hapur për të gjithë, që në kandarin e saj peshohen vlerat dhe jo vlerat e gjithsecilit. Sot kush di këtë kohë ta shfrytëzoj në mënyrë racionale, suksesi dhe fati i tyre, pa dyshim, do të reflektojë gëzueshëm brenda jetës së tyre.

Këtë më së miri e ka thënë në dy librat e tij Erich From, Die Kunst des Lebens (1956) dhe libri tjetër është Haben oder Sein (1976). Janë libra brilant që na orientojnë më së miri për t’u larguar nga iluzionet e mbrapshta që kemi në vete, si njerëz, kryesisht për t’u kyçur drejtë vlerave të një shoqërie normale e moderne nëpër etapa të ndryshme kohore.

Para së gjithash duhet të kihet parasysh se secili njeri në vete ka të strehuar lakminë dhe, kush më pakë e kush më shumë, kalërohet me këtë ndjenjë të ndërtuar personale, për të pasur e për të qenë më shumë se sa e meriton në jetë. Vetia e lakmisë bëhet përherë pengesa kryesore për të jetuar i qetë dhe në harmoni të përhershme. Kjo ndjenjë e stimuluar në mënyra të ndryshme, haset te të gjitha moshat dhe te të gjitha gjinitë e shoqërisë njerëzore.

Por ky fenomen sot është më i dukshëm se kurrë te njerëzit publik, sepse shkaku i të arriturave teknologjike ata bien më shumë në sy te të tjerët me angazhimet e tyre. Bile ata në vete mendojnë e ngulmojnë se janë më të përzgjedhurit e kohës qe veprojnë për të mirën e shoqërisë. Formimi tyre ka një prapavijë që lë shembuj pozitiv apo negativ te të tjerët, bile lë shembull edukues për të mos lakmuar gjithçka që nuk na takon. Në këtë mënyrë ndërtohet një vetëdije kulturore e qëndrueshme e personalitetit.

Gjithsesi se këtë fenomen të lakmisë dhe egos e hasim në familje, rrugë, shkollë, institucione, politikë etj,. Të kuptohemi drejtë se ky manifestim psikologjik i theksuar njerëzor na shfaqet nëpër të gjitha segmentet e jetës. Kur smadhohet kjo veti individuale mund të shëndrohet edhe në narcizoizëm.

Meqë sot shoqëria jonë demokratike është shumë e politizuar dhe polarizuar, ky lloj fenomeni i lakmisë rrezaton dhe ndikon më së shumti te qytetari. Bëhet piramidë e dukshme dhe e lartë që nuk mund të tejkalohet lehtë. Shumë politikan nuk e kanë të ndërtuar mirë dhe mjaftueshëm karakterin e orientimit personal adekuat, madje disa nga ata nuk shohin fare se me veprimet e tyre kulturore nuk janë produktiv dhe duan të mbeten ende të preferuar në kërkesat e tyre në shoqëri. Bëhen formalist dhe interesxhinj të mëdhenj. Të tillët harrojnë se kanë kaluar shekuj dhe qenia shqiptare në trojet e veta etnike nuk është qetësuar ende si duhet. Politikanët duhet të vetëdijesohen sa më parë, se gjërat kyçe për vendin e tyre u përsëriten dhe marrin kahjen e ndasisë dhe përkeqësimit të hidhur. Përçarjet dhe mosbesimet shihen në të gjitha poret e jetës.

Ato manifestohen dhe sjellin imazhin e keq çdo kund. Intoleranca ka marrë formën e vet të jetesës së vrazhdë njerëzore. Dyshimet dhe mosbesimet janë të mëdha brenda llojit të vet. Madje, kundërthëniet e nevojshme apo të pa nevojshme, krijojnë definimin e strukturës së identitetit personal dhe shoqëror të një etnie. Këto reaksione apo ofendimeve dukshme i takojmë për çdo ditë në shtëpi, rrugë, shkollë, punëtori, facebook, media etj. Ngandonjëherë janë veprime ndasie shumë të rrezikshme, që e ngarkojnë rëndë jetën dhe situatën politike në vend. Ne, spontanisht dhe më lehtësisht, i konsumojmë për çdo ditë këto agresivitete e rrethana të pa pëlqyeshme. Ato shfaqen në jetën tonë të përditshme në forma të ndryshme. Ato pothuaj se e pengojnë rrugëtimin demokratik të nevojshëm, çdo kund e në çdo situatë.

Gjendja e krijuar kështu keq, ka faktet e veta që dëshmon për të vërtetën ekzistuese të qenies sonë. Çfarë sharjesh dhe ofendimesh shohim e dëgjojmë në mesin tonë të përditshëm, shembujt e shumtë flasin për kulturën tonë të ndërtuar keq. Frustrime të panevojshme derdhen për të nënçmuar tjetrin. Kurrë nuk merremi me esencën e çështjes apo me gjendjen faktike të shkakut dhe problemit ekzistues, për ta zgjidhur dhe definuar një problem kyç apo atë të drejtë qytetare që kemi nevojë. I ikim të vërtetës së duhur se duam të veprojmë rrejshëm dhe me formalitet manipulues në rrethin ku jetojmë. Shitemi dhe krekosemi sikur jemi të suksesshëm, por në realitet nuk jemi në gjendje gjërat më elementare ti zgjidhim për veten.

Egon personale e zbatojmë dhe imponojmë në mënyra të ndryshme në skenë të dukshme, kurse vlerën dhe mossuksesin tonë e matin saktë të tjerët që na perceptojnë. Kurrë nuk e frenojmë veten nga hovi që marrim për gjërat që nuk i dimë dhe nuk mund t’i zbatojmë si duhet në praktikë. Këto elemente karakteresh njerëzore janë gjëra kyçe të rendit shoqëror që i posedon çdo etapë kohore. Kjo është kulturë që na identifikon si qytetarë të suksesshëm apo të pa suksesshëm. Dhe tani ne jetojmë të vëzhguar dhe me një standard kulture të caktuar. Nga mungesa e kulturës, dijes dhe urtësisë, njerëzve të pa përmbajtur më lehtë u vjen të derdhin agresivitet se sa urtësi nga goja e tyre e pa frenuar.

Ata ose ato, bura e gra, zonja dhe zotërinj të politizuar, që përpara publikut apo opinionit të gjerë hedhin fjalë me stërkala virusesh e sharje infektuese për t’ua infektuar dhe trishtuar keq kohën, hapësirën dhe shoqërinë, rëndohen në trupin e tyre nga egoja e tepruar. Shumë njerëz të politikës nga brendia e tyre nxjerrin agresivitet imponues dhe nuk bëhen fare të kujdesshëm se me veprimet e tyre lëndojnë dhe ua humbin perspektivën të tjerëve. Në këto dukuri ndikuese ka diçka faktike të trashëguar keq, e që ekziston si ves në vete, e cila, padyshim, duhet të perceptohet seriozisht dhe të analizohet thellë nga profesionistët e lëndëve përkatëse. Duhet psikoterapi e sofistikuar që të ndalohen anomalitë që nuk i sheh vetja.  Mosnjohja e vetes bëhet pengesë e vetëbesimit dhe sjelljes së pahijshme.

Pa njohur veten nuk mund t’i njohësh të tjerët. Ne si qenie jetojmë me ngarkesa e mungesa të mëdha shpirtërore, kulturore ekonomike dhe politike. Janë pengesa që na ngatërrojnë gjatë kohë në rrugë e sipër të zhvillimit standard shoqëror. Ngarkesat shfaqen në ne në forma energjike negative dhe pozitive, të gjitha këto dukuri e kundërshti i bartë trupi jonë me dëshirë dhe lakmi të pakontrolluar. Ne jemi të rënduar nga rrethanat që ndërtojmë në rrethin tonë. Lumi i mendimeve dhe ideve që derdhet brenda nesh, mund të marrin edhe drejtime të gabueshme gjatë rrjedhës së tyre në hapësirë dhe kohë.

Hapësira e këtyre fjalëve dhe ideve që shpalojmë brenda nesh, është më e rëndësishme se sa vet qëllimi i tyre për të thënë diçka të qëndrueshme. Egoja e tepruar na mbanë peng në synimin e pretenduar. Nëse jemi (bëhemi) të vërtetë, qëllimi jonë nuk do të jetë i mjegulluar dhe i penguar, por gjatë këtij shtegtimi do të shpalohet një ndriçim subtil që do tua ndriçoj kahen (shtegun) edhe të tjerëve. Kjo do të duket qartë kur do të jemi të vërtetë dhe të rreshtuar drejtë në kohë dhe hapësirë.

Politikanët tanë kanë nevojë të madhe për spiritualitet, ta frenojnë egon dhe reflektimin e tyre egoist, që e shfaqin vend e pa vend dhe në mënyrë të pa kontrolluar. Ata duhet ta transformojnë veten drejtë urtësisë dhe vetëdijesimit, se janë në fokus të vëzhgimit të përhershëm. Kultivimi i egos bëhet helm i keq që mund ta ndajë qenien tonë nga dëshirat dhe nevoja për të jetuar afër njëri me tjetrin në harmoni dhe lumturi. Për t’i ikur mbulesës së egos ne duhet të shfaqim para të tjerëve vetëm atë çka ndjejmë dhe atë që posedojmë të vlefshme në brendinë tonë. Nuk duhet të merren formalisht me gjërat që nuk mund t’i zbatojnë në një afat të caktuar qeverisës.

Gjërat e pa merituara dhe gënjeshtrat nxitin konflikt, kurse konflikti ia ngushton jetën dhe kohën gjithsecilit. Sa më të gatshëm bëhemi ta përjashtojmë nga hapësira e mendjes sonë egon, aq më të madhe do ta kemi oazën e paqes sonë në vete. Sa më shumë të kemi durimin ta dëgjojmë kur flet tjetri, aq më sublime bëhen mendimet dhe idetë në brendinë tonë. Njeriu modern duhet të ketë kujdes me gjuhën e komunikimit që përdor, sepse ajo është vlerë që në esencë ta ngrit ose ta ulë autoritetin. Edukimi është shkollë e hapur për të gjithë, ku mund çdo individ ta transformoj veten sa më mirë.

Vjelja e gjërave pozitive na e lehtëson trupin dhe shpirtin. Rrotën e kohës duhet ta largojmë nga mbrapshtitë e përjetuara dhe imponuara. Me vetëdije të mësojmë nga gabimet e bëra dhe gjërat e lëshuara të jetës. Gabimet tona më pak i shohim dhe më shumë i arsyetojmë. Njeriu ndryshon për të mirë vetëm atëherë kur i vëren dhe nuk i bën gabimet e tjetrit. Për të ta transformuar veten duhet kondicion durimi e shprese. Kurse shpresë është njohja e vetes në thellësi. Rrugëtimi ndritur është qëllimi jonë, për të jetuar njeriu si njeri, dhe ky qëllim i dëshiruar nëpër kohën që kalojmë duhet të veshë veten me teshat e dijes dhe urtësisë. Urtësia nuk ka kufizime, sepse ajo është forca e së ardhmes dhe kulturës sonë të ndritur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button