NAFAKA E XHEMILES DHE INATI I KUNATËS

Në lirikën tonë popullore emri i Xhemiles zë një vend të rëndësishëm, jo vetëm për faktin që kjo tërësi e pandashme e tingëllimit dhe e kuptimit ka një ndërtim të baraspeshuar të zanoreve dhe të bashkëtingëlloreve, as për qartësinë dhe lehtësinë e shqiptimit, por edhe për domethënien e vet fjalës që buron nga arabishtja dhe që në shqip do të thotë – e bukur, pra, Bukurie.

Xhemiles i është kënduar në të gjitha viset shqiptare, në Veri (Moj Xhemile ku t’xu hylli i dritës), në Shkodër (Moj Xhemile zylyfet me rrema), në Elbasan (Ke pusi moj Xhemile), në Myzeqe (Xhan o moj Xhemile), në rrethin e Gjirokastrës (Hajde mbama besën moj Xhemile), në Kosovë (Xhemile, Xhemile mos ma ban me hile), në Jug (Qan Xhemile nënës) etj. Për Xhemilen janë thurur qindra e qindra vargje sepse ajo ka qenë e bukur, e mençur, e zgjuar për të mposhtur ndjenja dhe e aftë për të thyer zemra. Kudo që është shfaqur, qoftë në Prespë, qoftë në Labëri, qoftë në Dukagjin, qoftë në Mat e gjetiu, Xhemilja ka ngjall kureshtjen e botës përreth. Ajo ka arritur që të zgjojë jo vetëm vëmendjen e beqarëve, por edhe të gëzojë simpatinë e tyre, ndërkaq, jo rrallë ka nxitur xhelozinë e fshehur mes shoqesh dhe njerëzish të afërm e të largët.

Një fryt i krijimtarisë popullore ku Xhemiles i këndohet me hipokrizi është kënga tradicionale nga treva e Pollogut “Moj Xhemile, moj kunatë!” e kënduar nga gruaja e vëllait të burrit, e cila shtiret dhe synon t’i mashtrojë të tjerët për kinse gëzimin e thellë e të papërshkrueshëm me rastin e martesës së kunatës së saj.

Kjo është një ndër këngët më tipike lirike të grave të kësaj zone, e krijuar në periudhën kur familja shqiptare ka qenë kryekëput patriarkale dhe kur kryefamiljari ka bashkëjetuar me bijtë dhe bijat e veta. Kur e ka martuar djalin e dytë ose të tretë, është kënduar kënga “Moj Xhemile, moj kunatë”, ku, ndonëse është lavdëruar statusi pasuror i familjes së dhëndrit përmes fjalëve të kunatës, në esencë është lënë të kuptohet xhelozia e fshehtë e kunatës karshi nuses se re, meqë kjo e dyta ka qenë më e pashme se kunata që tanimë ka lëshuar rrënjë në familjen ku ajo po martohej. Pra, Xhemilja sipas kunatës së saj më të madhe ka ardhur në këtë familje meqë ka pasur “nafakë” (fat).

I frymëzuar, jo vetëm nga teksti, por edhe nga melodia, e përpunova këtë këngë për kor mikst duke u përpjekur që ta ruajë idenë origjinale dhe ngjyrën muzikale.

Dëgjim të këndshëm!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button