Sot përfundon gjendja e jashtëzakonshme në RMV, të mërkurën do të fillojë fushata zgjedhore

Sot përfundon gjendja e jashtëzakonshme tëtëditore në territorin e tërë vendit të Maqedonisë së Veriut, njofton Portalb.mk.

Presidenti, Stevo Pendarovski, e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, të pestën me rradhë, më 15 qershor, pas arritjes së marrëveshjes për datë të zgjedhejve mes partive politike. me qëllim të zbatimit të përgatitjeve të domosdoshme për organizim të zgjedhjeve parlamentare më 15 korrik.

Vendimi është marrë në bazë të nenit 125 dhe nenit 126 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, pas propozimit të paraqitur nga Qeveria.

“Partitë politike kanë arritur marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 15 korrik 2020. Prandaj, vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme merret me qëllim që të mundësohet përgatitja pa pengesa të zgjedhjeve, dhe veçanërisht për zbatimin e masave për mbrojtjen e shëndetit publik gjatë procesit zgjedhor, në kushtet e pandemisë së virusit korona të shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, kanë komunikuar nga presidenca.

Pendarovski pret zgjedhjet të jenë të drejta dhe demokratike, si një shtet anëtar i NATO-s dhe një shtet që hap negociatat me BE-në.

Ndërkohë, fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakoshme parlamentare të 15 korrikut, do të fillojë të mërkurën, më 24 qershor. Partitë premtuan zgjedhje të drejta dhe demokratike, për çka nënshkruan edhe kod. Paralajmëruan se do të fokusohen në fushatë e cila do të jetë e sigurt për shëndetin e qytetarëve, pa ngjarje dhe tubime të mëdha, me shfrytëzim të shtuar të rrjeteve sociale, mediumeve tradicionale, bilbordeve dhe llojit tjetër të prezantimeve onllajn.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sipas listave të parashtruara në KSHZ, do të marrin pjesë 15 koalicione dhe parti me 1.598 kandidatë.

Partitë dhe koalicionet të cilat do të marrin pjesë në zgjedhje, programet e veta do të mund t’i prezantojnë deri më 12 korrik në orën 24:00, kur përfundon fushata zgjedhore.

Kujtojmë se, zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin paraparë që të mbaheshin më 12 prill, por u anuluan për shkak të paraqitjes së koronavirusit. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button