Pasojat e distancës fizike (sociale) në aspektin e socializimit

Me distancë nënkuptojmë hapsirën personale, e cila mund të jetë: Distanca intime, kur është hapësira nga 0 deri më 45 cm. Distanca personale nënkupton kur kemi një hapësirë nga 45 cm deri më 1.2 m. Distanca sociale kur ekziston hapësirë midis 1.2 m deri më 3.6 m. Llojit i fundit është distanca publike në rast kur ka hapësirë nga 3.6 m e më shumë ndërmjet personit dhe të tjerëve. Këto janë rregullat e distancës në komunikim, sidomos janë të njohura në shkencën e komunikimit kur flitet për komunikimin joverbal, (komunikim pa të folur por me lëvizje të trupit, mimikave, duarëve, syve apo diçka tjetër).

Organizata botërore e shëndetësisë (OBSH) me paraqitjen e virusit Covid 19 në vend të termit “distancë sociale” ka filluar të përdor nocionin apo termin “distancë fizike” me çka është mirëpritur nga ekspert të ndryshëm e në rradhë të parë nga shkencëtarët e komunikimit. “Distancimi social tingëllon sikur njerëzit duhet të ndalojnë komunikimin …” shprehet Xheremi Fries profesor i sociologjisë Stenfford në SHBA.

Njeriu mbi të gjitha është qenie sociale. Socializimi në kuptim të shoqërizimit është proces që fillon në familje, zhvillohet në shoqëri dhe në institucione të ndryshme, sidomos në çerdhe për të vazhduar në shkollë. Si proces është i rëndësishëm dhe jo i lehtë, është i varur dhe i ndikuar nga shumë faktor. Siç më duket tani, në këtë kohë pandemie, jemi bërë të huaj për njëri- tjetrin, siç shkruan A.Kamy në romanin e tij të njohur “I huaji”. Rrethanat dhe mënyra e të jetuarit në kushte me Covid 19 patjetër do t’na imponoj të mendojmë dhe të përgaditemi për metodologji të re për procesin e socializimit, në rradhë të parë në grup moshat më të vogla për të vazhduar në institucionet arsimore me nxënës dhe të rritur.

E kam thënë më herët se globalizmi e ka bërë individualist njeriun, por pandemia e ka bërë individualist të tepruar qenien njerëzore.

Sigurishtë, e ardhmja me këtë mënyrë të jetesës do të jetë shumë e vështirë duke respektuar distancën fizike, e për pasojë do të kemi edhe distancimin social e kulturor deri në largimin nga njëri tjetëri. Në çdo kohë e kemi obligim të interesohemi dhe të kemi brengë gjendjen e të tjerëve, sepse njerëzimi në përgjithësi dhe besimtarët në veçanti janë si një trup i vetëm, siç shprehet i dërguari i Zotit, Muhamedi a.s: “Muslimanët janë si një trup i vetëm, kur një pjesë e tij vuan, i gjithë trupi e ndien dhembjen” (Muslimi)
Prandaj është me rëndësi afërsia sociale midis njerëzve!

Socializimi si proces përfshin disa aktorë institucional dhe kërkon një planifikim sistematik nga familja, shkolla dhe komuniteti, në mënyrë që fëmijët gradualisht të bëhen të aftë për të jetuar në bashkësinë shoqërore. Qëllimi themelor i procesit të socializimit në shkolla është nxënësi si potencial i shoqërisë, i cili përmes mësimit dhe ndërveprimit me prindërit, mësuesit dhe mjedisit publik e kulturor, të mësojnë ato lloj sjelljesh dhe marrëdhënie ndërpersonale që janë karakteristike për një kulturë të dhënë dhe të aftësohet me përshtatje ndaj kushteve të reja të jetesës.

Albert Bandura besonte në “përcaktimin reciprok”, që bota dhe sjellja e një personi ndikojnë te njëri-tjetri, ndërsa për sjelljen në thelb, thotë se mjedisi i njeriut ndikon në sjelljen e dikujt. Bandura, studioi agresionin e adoleshentëve, dhe sugjeroi se sjellja ndryshon edhe mjedisin. Më vonë, Bandura e konsideroi personalitetin si ndërveprim midis tre komponentëve: mjedisit, sjelljes dhe proceseve psikologjike. Dy proceset e socializimit janë: Socializimi primar, është socializim që zhvillohet në kuadër të familjes, në vitet e para të jetës së fëmijës. Kjo u ndihmon fëmijëve të mësohen të komunikojnë me të tjerët, çka është e pranueshme e çka nuk është. Socializimi sekondar fillon kur fëmijët vendosin kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit dhe me mjedisin jashtë shtëpisë së tyre dhe që vazhdon gjithë jetën. Socializimi sekondar i mëson fëmijët: si të komunikojnë me të rriturit që nuk janë të familjes së tij, si të komunikojnë me miqtë dhe personat e tjerë, me ‘rregullat’ e shoqërisë, çfarë është e pranueshme e çfarë nuk është e pranueshme jashtë shtëpisë.

Të gjithë të marrim përgjegjësi dhe të kontribuojmë që pasojat të jenë sa më të vogla nga distancat qoftë fizike apo sociale.

Zoti e bëftë mbarë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button