Çfarë ndodh me mediet në Maqedoni?

Nga sot nuk do del më gazeta “Den”, ndërsa dje u vërtetua ajo që gazetarët e thonë një kohë më të gjatë, liria e medieve në vend është në rrezik nga pushteti. Liria e mediumeve në Maqedoni ra për 22 vende në listën e organizatës “Raportuesit pa kufinj” duke zënë vendin e 116 në listë, që është edhe vlerësimi më i dobët deri tani.

Përfaqësuesit e medieve thonë që ky rangim nuk i ka habitur sepse trendi i përkeqësimit vazhdon vite me radhë.

“Indeksi i Reporterëve pa kufij vetëm se e vërteton gjendjen në të cilën ndodhet liria e shtypit. Kjo nuk është diçka e re. Gjendja e këtillë ka disa vite qe vërtetohet qoftë në raportet e Freedom House ose Reporterëve pa kufi. Ky dhe raportet paraprake janë një dëshmi se liria shtypit në Maqedoni po shënon rënie dhe për këtë arsyet janë të ndryshme, duke filluar nga varshmëria ekonomike e cila mundëson edhe ndikim politik, si dhe faktorë të tjerë shoqëror” thotë për Portalb, kryeredaktori i gazetës “Koha”, Besim Iljazi. 

“Ne kemi mentalitet i cili ndjell pasiguri dhe frikë dhe produktet mediatike në vend që të informojnë po shndërrohen në pamflete informative. Mediat shqiptare janë në një pozitë më të mirë se ata maqedonase por për shkak të barrierës gjuhësore nuk depërtojnë nëpër tërë Maqedoninë. Rangimi i tillë nuk është diçka e re dhe përderisa bizneset janë të kontrolluara nga qarqet që kanë pushtet, OJQ-të njashtu, ndërsa mediet varen nga reklamimi, nuk do të kemi gazetari të pavarur dhe profesionale” thotë për Portalb, gazetari  Nazim Rashidi.

Sipas tij, raporti është një reflektim real për atë që ndodh me mediet në vend dhe situata e tillë është një sfidë për gazetarët sidomos për disa  maqedonas të cilët janë “të verbër” dhe ende debatojnë për atë se a janë apo s’janë mediet e lira në Maqedoni.

Për këtë gjendje ku janë katandisur mediet, reagoi edhe Roberto Beliçanec nga Qendra për Zhvillimin e Mediave.

“Rangimi i RWB tregon se trendi i përkeqësimit të situatës i cili është shqetësues vite me radhë, vazhdon deri sa nesër mos të bëhemi shteti i fundit për nga liria e medieve. Mënyra e vetme për të dalë nga kjo situatë është të ndryshohet parimisht qasja e pushtetit ndaj sektorit medial për ta demokratizuar atë” tha për Portalb, Beliçanec.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani tha se institucionet qeveritare dhe partitë politikë duhet të përballen me faktin se liria e mediave është cenuar seriozisht dhe se ajo nuk mund të kurohet pa ndryshim thelbësor në sjelljen ndaj punës së mediave dhe të gazetarëve.

“Imazhi i keq i Maqedonisë në sferën e lirisë së mediave nuk do të ndryshohet për aq kohë sa Qeveria dhe partitë politike do t’i trajtojnë mediat si mjet për manipulim me opinionin dhe për larjen e hesapeve me kundërshtarët. Shqetësues është fakti që Maqedonia vlerësohet më së keqi nga të gjitha vendet e rajonit. Vetëm para katër vitesh, Maqedonia ka qenë në pozitën e 34 në këtë listë”, tha Selmani. 

Pa komentuar rangimin e RWB nuk mbeti dhe Euro-komisionari për zgjerim i BE-së, Stefan Fule i cili në profilin e tij në Twitter ka shprehur shqetësim se liria e medias mbetet një nga sfidat kryesore të vendeve partnere dhe aspirante në BE. 

“Liria e mediave është një sfidë edhe më e madhe për vendet tona partnere. Ata duhet të përmirësohen në këtë sferë. Mediat patjetër duhet të respektohen, kjo është një nga vlerat themelore të Bashkimit Evropian”, ka shkruar Fule.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button