Erdhi Daçiqi e nuk u pamë!

Aty ku e la Tomisllav Nikoliqi vjet, e vazhdoi Daçiqi të hënën. Tre muaj pas vizitës së Kryetarit serb, Shkupi e gostiti edhe konkurrentin e tij politik, Kryeministrin Ivica Daçiq, gjerësisht i njohur si Slloba i vogël. Frekuenca e vizitave dhe porositë e dërguara nga Serbia fqinje janë po aq interesante, sa edhe ‘dorëzimi’ i pushtetarëve shqiptarë, që duket se treten në tokë gjatë vizitave serbe. Pse ndodh kjo?

Që në fillim duhet thënë qartë – nuk ka asgjë të keqe në vizitat dhe takimet ndërshtetërore. Meqë ne jemi këtu ku jemi dhe ata janë pranë nesh, është e gabueshme të pretendojmë se nuk ekzistojnë ose të shtirremi se mund ta injorojmë realitetin duke u izoluar nga ngjarjet reale. Kjo më së miri dëshmohet me takimet tashmë të rregullta të Kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi me kolegun e tij serb Daçiq, që sipas raportimeve kanë kaluar në fazën e avancuar të komunikimit, atë të shakave dhe batutave në prani të zyrtarëve evropianë. Një shembull tjetër që nuk ka gjë të keqe në takimet ndërshtetërore, është edhe vizita e Ministrit të jashtëm serb në Tiranë gjatë tetorit të vitit të kaluar.

Tashmë kur dihen kontaktet publike mes përfaqësuesve shqiptarë dhe atyre serbë, për të mos ndërhyrë në bizneset gjysëm-sekrete, parashtrohet pyetja se pse zyrtarët shqiptarë në Maqedoni i ikin këtyre takimeve? Mos janë ata më patriotë se të shumë-adhuruarit Hashim Thaçi ose Sali Berisha?

Mendimi i parë që shkrepet logjikisht është se zyrtarët shqiptarë e kanë pështirë të takojnë përfaqësuesit serbë, të cilët jo vetëm që e kanë mbrojtur me zell regjimin gjenocidik të Sllobodan Millosheviçit, por madje as sot nuk marrin guximin për të kërkuar falje. Por, si arsyetohet atëherë takimi i Ministrit të mbrojtjes, Fatmir Besimi me Shefin e Shtatmadhorisë serbe, Ljubisha Dikoviq para një viti në Beograd? Personi që edhe nga organizatat serbe të të drejtave të njeriut akuzohet për krime lufte, për një moment kaloi në normale duke takuar një përfaqësues shqiptar në rolin e ministrit të shtetit fqinj. Kulmi i takimit u arrit me fotografitë ku ish-Komandanti i forcave tokësore serbe në Kosovë i dhuron edhe një libër Ministrit nga radhët e BDI-së, të titulluar “Ushtria e Serbisë”, ku me siguri nuk janë harruar edhe të bëmat ushtarake gjatë fushatës së pastrimit etnik në Kosovë. 

Në mungesë të arsyetimit për ndjenjën e neveritshme nga shtërngimi i duarve, mbetet vetëm opcioni sa sfidues aq edhe dështak – ai i dorëzimit të përfaqësuesve të zgjedhur për mbrojtjen e interesave të votuesve, që rregullisht joshen me patriotizëm në mungesë të rezultateve të prekshme.  

Si funksionarë të zgjedhur në zgjedhje, nuk është patriotizëm të mos jesh i pranishëm në mbledhjet qeveritare ku diskutohet për ‘integrime evropiane dhe bashkëpunim rajonal’. Përkundrazi, mungesa tregon mosinteresim ose edhe më keq – kufizim të hapësirës nga partneri madhor i koalicionit, që ka gjykuar se nuk kanë çka kërkojnë shqiptarët në takimin maqedono-serb. Mbi të gjitha, shqiptarët janë humbës edhe për arsyen se Kryeministri i Maqedonisë morri pjesë në manifestimin e bashkësisë serbe, ndërkohë që nuk i nderoi kolegët e tij nga Shqipëria dhe Kosova në shënimin partiako-mëhallor të 100 Vjetorit të Shtetit Shqiptar në Shkup. Po të kishte qenë ndryshe, të paktën e kishim mësuar sa të holla janë derdhur prej buxhetit shtetëror të Maqedonisë për 28 nëntorin, krahas patronazhit shtetëror për festën e bashkësisë serbe në Maqedoni. Për më tepër, zyrtarët shqiptarë ndoshta e kishin kuptuar kalimthi se pse Maqedonia e ka mbështetur Vuk Jeremiqin për pozitën e tij në OKB.

Kjo as rastësisht nuk i amniston të tjerët – patriotizëm nuk është as heshtja e opozitës ose gjumi i shoqërisë civile shqiptare, nëse ekziston një e tillë. Mbetet të shohim nëse do të ketë takime qeveritare edhe me katër fqinjët tjerë dhe ku do të jenë të pranishëm zyrtarët shqiptarë, që fitojnë faktorizim vetëm atëherë kur komunikohet me Tiranën ose Prishtinën.  

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button