Në detin Jon kapet peshkaqeni me peshë 350 kg

Kapet peshkaqeni i parë për këtë vit në ujërat shqiptare të Jonit. Anija e peshkimit “Pavarësia”, drejtuar nga Sali Saliaj, solli dje në bregun e Vlorës peshkaqenin me peshë 350 kg dhe gjatësi 4 metra.

Për ekuipazhin e kësaj peshkarexhe është hera e tretë që në rrjetat e tyre bie “egërsira” e detit. Sipas peshkatarëve, peshkaqeni u kap rreth 2 milje larg ishullit të Sazanit, në një thellësi prej 120 metrash.

Ata i kishin hedhur rrjetat gjatë natës së të hënës por, kur i kanë mbledhur, konstatuan se pesha ishte shumë e madhe. Me vështirësi e kanë ngritur rrjetën, e cila ishte dëmtuar në disa vende nga tentativa e peshkaqenit për të dalë prej saj. Ky peshkaqen, i cilësuar si i llojit “pëllumb”, për peshkatarët qëndron në ujërat e thella. Me ndryshimet klimatike dhe kërkimin e ushqimit ata janë afruar në brendësi të ujërave shqiptare.

Brenda 1 viti në Jon janë kapur 5 peshkaqenë, të llojeve “tigër” dhe “pëllumb”.

Lajme të ngjashme

Back to top button