Marrëveshjet paqësore si kontrata të reja për në BE

Kremtimi i dy vjetorit të Marrëveshjes së Prespës (MP) po kalon në Maqedoninë Veriore (MV) nën hijen e rritjes së numrit të rasteve dhe vdekjeve nga Covid-19. Rëndësia e marrëveshjeve dhe zgjidhjes së konflikteve në mënyrë paqësore tashmë është një trend i ri në Ballkanin Perëndimor. Dhe kjo ka një shpjegim: lidhet me diplomatët e rinj amerikanë që sollën një enregji të re në Departamentin e Shtetit dhe njohuritë e tyre për Ballkanin.

Me ardhjen e diplomatit amerikan Wess A. Mitchell në Departamentin e Shtetit, i cili më vonë dha dorëheqje, Shkupi dhe Athina në kuadër të fqinjësisë së mirë dhe politikave të BE-së për një të ardhme stabile në Ballkan, i hynë rrugës së vështirë të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve që më vonë do të sjellnin një paqe të qëndrueshme rajonale që kur konflikti i vitit 2001 përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit.

Në fakt, të dyja palët ngecën mëse 27 vjet në rrugën e bllokuar europiane e sidomos për MV drejt anëtarësimit në NATO dhe në BE. Në mes të qershorit të vitit 2018-tës të ngujuar në propozimet në baza nacionale të dyja shtetet pothuajse ishin afër dështimit të negociatave për emrin. Mirëpo, ndërhyrja amerikane nëpërmjet diplomatit Wess A. Mitchell, krijoi një rast të ri për të dy shtetet, duke shkuar drejt zgjidhjes përfundimtare të kontekstit historik me një version të ri të marrëveshjes që përmbante propozim emrin Maqedonia Veriore. Më vonë Sh.B.A. do t’ua linte europianëve dhe shteteve përkatëse që ta vazhdojnë procesin e nënshkrimit dhe implementimit të Marrëveshjes së Prespës.

Duhet bërë një prerje historike të ngjarjeve se pse nuk u arrit marrëveshja dy palëshe në fillim të viteve të 90-ta, por e njëjta u bë në dekadën e dytë të shek XXI. Do të filloja nga historia e marrëdhënieve ndërkombëtare e cila na mëson aq shumë për të sotmen dhe të ardhmen që na pret. Historia politike zakonisht përbëhet nga individë dhe grupe që bëjnë atë që duhet të bëjnë në rrethana të caktuara shoqërore. Ata në të vërtetë nuk bëjnë histori. Historia i bën ato. Ky moment na kujton “Princin” e Nikollo Makijavelit.“Një princ duhet të bëjë atë që është e nevojshme në kohë ose ai do të harrohet e të qenit princ dhe do të fshihet nga historia”.“Ndërsa një tjetër, më pak i shpejtë, e bën atë që duhet të bëhet”.

Kjo pritje dhe maksimë politike nga koha e Renesancës italiane dhe teoria e shkencave politike, ka gjetur zbatim tek lëvizjet e fundit në Ballkanin Perëndimor për marrëveshje apo kontrata të reja në mes popujve dikur të armiqësuar të rajonit dhe një lidershipi që ka lëvizur shpejtë dhe në kohën e duhur për t’i zgjidhur problemet e trashiguara të luftërave ballkanike, botërore dhe ato post komuniste.

Në krahasim me shekullin e kaluar ku Fuqitë e Mëdha më tepër luanin rolin e nxitësit të zënkave ballkanike, sot në marrëdhëniet e jashtme, Sh.B.A. dhe BE-ja vepruan ndryshe dhe kjo vlen më shumë për europianët që asnjëherë nuk flasin me një gjuhë të përbashkët për problemet e Ballkanit.

Nuk ka mbaruar historia e konflikteve ballkanike me Marrëveshjen e Prespës, Ohrit, Kumanovës apo të Dejtonit. Një hije e zezë në Ballkan qëndron nga konflikti i ngrirë në veri të Kosovës dhe marrëdhëniet e tendosura serbo-kosovare që nga Beteja e Kosovës (1389), Kriza Lindore (1875), Traktati i Shën Stefanit (mars, 1878), luftërat ballkanike e deri në luftën e fundit të vitit 1999.

Aktualisht administrata amerikane dhe BE-ja po bëjnë përpjekje që Prishtina dhe Beogradi të nënshkruajnë një marrëveshje paqësore. Skeptikë të marrëveshjeve thonë se kjo do të përfundojë më shkëmbime territoriale dhe në dëm të sovranitetit territorial të Kosovës, ndërsa autorë të tjerë që favorizojnë marrëveshjet e shpejta e thonë të kundërtën që liderët kosovarë dhe serbë duhet të sillen si ato të MV-së dhe Greqisë.

Megjithatë, duhet pranuar se nuk ka ngjajshmëri në mes rastit të MV-së me Greqinë dhe atë të Kosovës me Serbinë. Por, një gjë duhet kuptuar, se perspektiva ekonomike dhe zhdukja e krimit të organizuar në Ballkan, nuk mund të bëhet me liderët aktualë që i shfrytëzojnë konfliktet etnike si bazë për oligarkët dhe kleptokratët ballkanikë.

Andaj, Marrëveshja e Presëps edhe pse ka nxitur debate të brendshme në MV, në mes vetë maqedonasëve dhe tek shqiptarët e MV-së përshkak të mos involvimit të thellë në procesin e negociatave me Greqinë, marrëveshja ka shërbyer si nxitje që mund të replikohet në vendet tjera të rajonit vetëm në nivel të nismave diplomatike, por jo si formë për t’ju dhënë fund konflikteve shekullore.

Historikisht që nga Kongresi i Berlinit (qershor, 1878) e deri në Marrëveshjen e Prespës, ka pasur forca që kanë qenë kundër paqës në Ballkan. Tani, përgjatë normalizimit të raporteve serbo-kosovare do të ketë ulje dhe ngritje, deri në nënshkrimin e marrëveshjes historike. Marrëveshja është në duart e liderëve të Kosovës dhe Serbisë. Ndikimin negativ të marrëveshjes së mundshme në terren duhet parë nëse do të këtë shkëmbime territori dhe si popullata lokale do të lëvizë përgjatë linjave kufitare.

Marrëveshjet duhet të jenë në pajtueshmëri më të drejtën historike dhe të mos lënë vend për tendosje në të ardhmen. Nuk është lehtë të bëhet paqë në kohën kur lojtarët e jashtëm si Rusia e Putinit i ka ngulur këmbët në Serbi dhe po bëhet pjesë e (mos) suksesit të marrëveshjes. Edhe në kohën para referendumit në Maqedoninë Veriore, Rusia dhe shërbimet inteligjente ruse ishin aktive në MV dhe në rajon për të dështuar referendumi dhe ratifikimi i saj në Shkup. Marrëveshjet, konfliktet, vendosmëria e lidershipit dhe loja e fuqive të jashtme do të jetë pjesë e tregimit për një Ballkan të ri me marrëveshje të qëndrueshme dhe afatgjate në rrugën drejt BE-së.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button