Hoti: Takimi në Uashington, për projekte ekonomike

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se takimi i 27 qershorit në Uashington, me palën serbe, do të jetë i fokusuar në projekte ekonomike, që sipas tij, do ta kthejnë “Kosovën në qendër të aktivitetit ekonomik në rajon”, shkruan REL.

Hoti tha se me kabinetin e tij qeverisës janë duke zhvilluar ide lidhur me disa projekte infrastrukturore, qe do të mund të prezantohen në Uashington.

“Presim të rifillojmë procesin e dialogut. Fokusi siç është bërë e ditur nga zyrtarë të administratës amerikane do të jetë në bashkëpunimin ekonomik në mes të dy vendeve. Tani, bashkë me ministrin e Infrastrukturës dhe kabinetit qeveritar jemi duke i zhvilluar idetë tona, projekte madhore infrastrukturore që e ndryshojnë komplet peizazhin ekonomik në Kosovë dhe në krejt rajonin. Janë disa projekte që unë besoj që për një periudhë afatmesme do ta kthejnë Kosovën në qendër të aktivitetit ekonomik në nivel të rajonit”, tha Hoti pas një vizite që i bëri Komunës së Pejës.

Takimi i 27 qershorit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Uashington është thirrur nga i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell.

Kosova dhe Serbia takohen pas një ndërprerje të gjatë të procesit të dialogut, për shkak të vendosjes së një takse nga Prishtina zyrtare ndaj mallrave të Serbisë, në fund të vitit 2018. Kjo taksë u zëvendësua me masë të reciprocitetit, por Qeveria Hoti shfuqizoi reciprocitetin për t’i dhënë shans rifillimit të dialogut.

Gjatë vizitës në Pejë, Hoti foli edhe për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, që mbahen më 21 qershor. Hoti tha se ka lejuar që grumbullimi i votimeve të bëhet edhe në Kosovë, njësojë siç kishte ndodhur edhe më herët.

OSBE-ja është përgjegjëse për grumbullimin e votave në zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button