Dita Botërore e Refugjatëve, aktivistja humanitare Zdravkin: Rruga e tyre është shumë e vështirë

Lufta dhe konflikti në Lindjen e Mesme kanë detyruar miliona njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre në vitet e fundit dhe të nisen në “rrugën e tyre të shpresës”, duke shpresuar të shpëtojnë jetën e tyre dhe të kenë një të ardhme më të mirë.

Pjesë e rrugës së vështirë për refugjatët është e ashtuquajtura “Rrugë Ballkanike”, e cila përfshin Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku arrijnë nga Greqia dhe përpiqen të kalojnë territorin e vendit për të arritur në Serbi, në mënyrë që të vazhdojnë më tej drejt vendeve të Evropës Perëndimore.

Velesi, një qytet në qendër të vendit, është një pikë e pashmangshme në rrugën e refugjatëve që udhëtojnë nga kufiri jugor drejt kufirit verior të vendit.

Pikërisht në këtë qytet jeton aktivistja humanitare, Lençe Zdravkin, e cila për vite me radhë ka mirëpritur në shtëpinë e saj refugjatët dhe migrantët që kalojnë nëpër qytetin e Velesit rrugës drejt kufirit verior të Maqedonisë së Veriut. Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), ajo flet për ndodhitë me refugjatët, mënyrën se si i ndihmon, si dhe të gjitha vështirësitë e tyre dhe golgotën nëpër të cilën kalojnë me shpresën se do të kenë një të nesërme më të mirë.

Lençe Zdravkin, foto: Anadolu Agency

Siç sqaron aktivistja humanitare Zdravkin, ajo jeton pranë linjës hekurudhore ku kalojnë trena të shumtë dhe në to shpesh ka refugjatë dhe migrantë për të cilët thotë se është e pamundur të mos i vësh re. Gjatë bisedës, ajo kujton se si filloi t’i vërejë këta njerëz, veçanërisht në periudhën prej para më shumë se 5 vitesh, kur refugjatët në grupe më të mëdha ecnin në këmbë.

“Para syve të mi filluan të kalojnë grupet e para të refugjatëve dhe ishte e qartë se ata njerëz me të vërtetë kishin nevojë për ndihmë. Në ditët e para, duke mos ditur se kush ishin apo çfarë ishin, nuk pyesja aspak, por gjendja e tyre shëndetësore, rraskapitja e tyre tregonte qartë se këta djem të rinj kanë nevojë për ndihmë njerëzore”, thotë Zdravkin.

Siç thotë ajo, ndihma për këta njerëz ka qenë gjithmonë e mirëseardhur për ta, pasi rrugëtimi i tyre është i gjatë dhe i vështirë. Kështu që, kur i ka vërejtur se ata kalojnë pranë, ajo i ka pranuar në oborrin dhe shtëpinë e saj dhe u ka ofruar ndihmë, duke u dhënë atyre rroba, ushqim dhe shpesh edhe ilaçe, ndërsa më pas ata kanë vazhduar rrugëtimin.

Lençe Zdravkin, foto: Anadolu Agency

Zdravkin thotë se pasi refugjatët pushonin pak, ata kanë rrëfyer për udhëtimin e tyre, problemet me të cilat janë përballur gjatë udhëtimit.

“Më gëzon edhe fakti që vitet e fundit vetëdija e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut me të vërtetë është rritur, andaj refugjatët dinë të tregojnë dhe të flasin edhe për anën e bukur dhe kjo do të thotë shumë për mua sepse besoj se Maqedoninë e Veriut do ta bartin edhe atje ku do të arrijnë në tokën e tyre të premtuar”, tha Zdravkin.

Ajo kujton ditët në vitin 2015 kur të gjithë ata që njohin gjendjen e refugjatëve e pritën me kënaqësi momentin kur refugjatët në vend u lejuan të udhëtojnë me tren nga kufiri jugor drejt kufirit verior, duke e bërë më të lehtë udhëtimin e tyre. Megjithatë, siç thotë ajo, pasi “Rruga Ballkanike” u mbyll në mars, refugjatët dhe migrantët kanë hyrë në vend në mënyrë të paligjshme në përpjekje për të kaluar në Evropë.

Aktivistja humanitare Zdavkin sqaron se refugjatët kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme dhe se ata “janë pre shumë e lehtë” për kontrabandistët që i takojnë ato nëpër rrugë, u marrin paratë e tyre dhe nuk i çojnë në destinacionin për të cilin kanë paguar migrantët, por i zbarkojnë gjatë rrugës.

Sipas saj, kushtet klimatike në këtë periudhë të vitit lejojnë që refugjatët të udhëtojnë dhe numri pritet të rritet.

“Ka refugjatë, ata janë duke lëvizur, nuk është një proces që mund të ndalet aq thjesht. E keqja është se ata përdorin trenat e mallrave, ka shumë aksidente këtu, ata mund të rrëzohen nga treni, të bien. Tre deri në katër orë nga kufiri jugor në atë verior të mbaheni ngjitur në një tren mallrash nga jashtë nuk është aq e lehtë dhe e thjeshtë”, tha Zdravkin.

Të mbathurat e refugjatëve, foto: Anadolu Agency

Ajo thotë se migrantët ngjiten në pjesën e jashtme të trenave të mallrave në përpjekje për të shkurtuar dhe lehtësuar rrugën e tyre, që shpesh mund të jetë fatale për ta, pasi ndjehen të lodhur dhe të rraskapitur, pa ushqim, ujë dhe veshje të duhura për udhëtim. Ajo rikujton se ka pasur aksidente të shumta hekurudhore në të cilat refugjatët janë lënduar dhe kanë humbur jetën në linjat hekurudhore pranë Velesit.

“Më vjen keq që disa ditë më parë treni goditi një refugjat nga Pakistani, një djalë i ri që është varrosur këtu në varrezat e Velesit. Të vështira janë ato momente për t’u zbatuar këto, për t’i përjetuar, e më pas është periudha e kërkimit të komunikimit, gjetjes së familjes, si t’i informosh ato, me të vërtetë nuk është e lehtë”, thotë Zdravkin.

Rruga e refugjatëve është e vështirë dhe e rrezikshme, por ata ende tentojnë të udhëtojnë. Siç thotë ajo, edhe kur nuk arrijnë të kalojnë kufirin e Maqedonisë së Veriut, ata janë këmbëngulës dhe përpiqen ta bëjnë këtë disa herë.

Refugjat, emigrantë, sirianë
Foto lilustrim

“Policia po i rikthen në Greqi, por ne kemi grupe refugjatësh që 10 apo 15 herë janë duke kaluar kufirin. Ata e thonë edhe vetë, policia do t’i kthejë dhe brenda disa ditësh do të bëjnë një përpjekje tjetër, ata do ta kalojnë kufirin përsëri”, tha Zdravkin.

Ajo tregon se shpesh në biseda me refugjatët, ata thonë se gjithçka është shkatërruar në vendet e tyre, familjet e tyre janë vrarë dhe nuk kanë ku të kthehen.

Sipas saj, çdo ditë me refugjatët dhe migrantët është një histori e re, por shumica e këtyre historive jetësore janë të dhimbshme. Ajo thotë se është dëshmitare edhe e lumturisë dhe lotëve të gëzimit së refugjatëve kur ata u lajmërohen familjarëve të tyre pas disa ditëve apo muajve.

“Ato momente me të vërtetë i dëgjoj kur flasin me nënat e tyre, edhe mua më rrjedhin lotët në sy, sepse e di se si është të mos dëgjosh fëmijën tënd me muaj, nuk e di nëse ai është gjallë apo mirë i ushqyer”, tha ajo.

Me rastin e 20 qershorit – Ditës Botërore të Refugjatëve, ajo porosit njerëzit sa herë që të munden të ndihmojnë refugjatët në çfarëdo mënyre të mundshme dhe të përpiqen të jenë fija e shpresës në rrugën e tyre të vështirë drejt një jete më të mirë dhe më të sigurtë.

“Unë gjithmonë apeloj dhe i sqaroj rrethinës time, bashkëqytetarëve të mi, se ata janë njerëz si të gjithë ne, se ata janë djem të rinj si fëmijët tanë, fëmijë inteligjentë, të cilët deri dje kanë studiuar, se kanë një ëndërr të bëhen njerëz të pavarur një ditë”, tha Zdravkin.

Ajo thekson se udhëtimi i refugjatëve është i vështirë dhe u bën thirrje njerëzve të ndihmojnë këta njerëz kudo që i takojnë, në mënyrë që t’ua lehtësojnë udhëtimin e tyre.

Qendra e refugjatëve në Tabanovcë, foto: Anadolu Agency

– Situata me migrantët në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Situata emergjente në kufirin jugor dhe verior të vendit është zgjatur deri më 30 qershor të këtij viti. Kjo është zgjatja e nëntë e vendimit për ekzistencën e situatës emergjente për shkak të rritjes së numrit të migrantëve që hyjnë dhe kalojnë territorin e vendit, vendim i cili u miratua në gusht të vitit 2015.

Në mars të vitit 2016, Rruga Ballkanike është mbyllur, ndërsa migrimi i paligjshëm përmes territorit të Maqedonisë së Veriut vazhdoi. Nga viti 2016 deri në fund të vitit 2019, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të vendit, janë kapur gjithsej 172.953 migrantë të paligjshëm.

Sipas të dhënave të publikuara nga MPB, gjithsej 127.358 migrantë të paligjshëm u kapën në vitin 2016, ku bën pjesë edhe numri i çertifikatave të lëshuara gjatë krizës së migrantëve.

Qendra e refugjatëve në Tabanovcë, foto: Anadolu Agency

Në vitin 2017 janë kapur 4.129 migrantë të paligjshëm, 16.895 në vitin 2018 dhe në vitin 2019 numri i migrantëve ilegalë të kapur ishte 24.601.

Sa i përket të dhënave nga muajt mars, prill dhe një pjesë të muajit maj nga viti 2020, sipas të dhënave të MPB-së, janë parandaluar 1.699 përpjekje për kalime të paligjshme. Shumica e migrantëve të kapur janë nga Afganistani, Pakistani, Libia, Siria dhe Algjeria.

Aktualisht në qendrën e refugjatëve në Gjevgjeli, në kufirin jugor, ka 37 refugjatë, ndërsa në Tabanoc në kufirin verior nuk ka asnjë refugjat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button