Kosova dhe Shqipëria me platformë të përbashkët turistike

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka pritur në takim ministrin e Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi, së bashku me kryetarët e disa bashkive dhe përfaqësues të bizneseve, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë takim, ministrat kanë diskutuar kryesisht për çështjet e bashkëpunimit në turizëm, për të ardhmen midis Kosovës dhe Shqipërisë në kohë krize të turizmit në gjithë rajonin për shkak të pandemisë me koronavirusin e ri (COVID-19).

Ministri Krasniqi tha se me ministrin Klosi janë pajtuar për krijimin e një platformë të përbashkët me pikat turistike të të dyja vendeve.

“U dakorduam që në një të ardhme të afërt, në fillim të korrikut të bëjmë hapjen e sezonit të verës, e gjithashtu nga fundi i nëntorit apo fillimi i tetorit të bëjmë hapjen e sezonit dimëror këtu në Kosovë. Pastaj të dyja palët u dakorduam që të krijojmë një platformë të përbashkët mbi pikat turistike të të dyja vendeve për shtetet evropiane”, tha Krasniqi.

Ministri Klosi, tha se me këtë platformë të përbashkët duan të dalin me një ofertë jo vetëm për shqiptarët e të dyja vendeve, por edhe për turistët nga vendet e tjera, në kohë kur turizmi po përballet me problem të shkaktuara nga pandemia me koronavirusi.

“Me ministrin Krasniqi diskutuam për turizmin, si një degë e re e ekonomisë për të dyja vendet tona, por, si një promotor i jashtëzakonshëm i ekonomisë së shqiptarisë”, theksoi Klosi.

Duke folur rreth platformës së përbashkët turistike, Klosi tha se ajo “nuk është vetëm platformë për turizmin e ashtuquajtur patriotik”, turizëm i cili sipas tij nuk ka nevojë të promovohet por ka nevojë vetëm të afrohet, “si mundësi për të realizuar një turizëm të suksesshëm edhe në vitin 2020, në vitin e krizës së madhe për turizmin”.

Ministri Klosi tha se të dyja vendet e dëshmuan se me sistemet shëndetësore mund ta menaxhojnë koronavirusin, teksa shtoi se gjatë këtij sezoni turistik “rregullat do të zbatohen me rigorozitet dhe kushtet e ruajtjes së distancimit social dhe mundësive për të larguar infektimin e pushuesve dhe qytetarëve do të jenë shumë strikte në të dyja anët e bjeshkëve”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button