Dimova: Injoranca është bllokuesi më i madh i agjendës evropiane të Maqedonisë së Veriut

Zbardhja e rastit të keqpërdorimeve të një pjese të fondeve të BE-së, që është denoncuar edhe në Bruksel, do të nënkuptonte se në vend funksion lufta kundër korrupsionit, kështu tha në intervistën për Portalb.mk, drejtoresha e Agjencisë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet, Lidija Dimova. Sipas saj, publikimi i këtij skandali do të ndikojë pozitivisht ndaj vendit, por edhe ndaj ndarjeve të mëtutjeshme të mjeteve financiare. Dimova në këtë intervistë ka folur edhe për procesin e anëtarësimit të vendit në BE, për të cilin tha se do t’i sjell sistemit shumë ndryshime.

Nga Teuta Buçi

Portalb: Para disa ditëve keni publikuar se një pjesë e mjeteve financiare të BE- së të dedikuara për programin Erazmus, janë keqpërdorur nga qeveria e kaluar. Si e keni zbuluar skandalin? Pse pikërisht tani e keni publikuar në fushatë parazgjedhore?

Dimova: Me procesin e vendosjes së repartit për analiza dhe monitoring zbuluam se një numër i madh i shfrytëzuesve tanë shkojnë në programe shkëmbimi në 8 organizata në 5 shtete të BE-së. Një informatë e këtillë na nxiti që të pyesim se për çfarë bëhet fjalë. Fillimisht, kam paraqitur rastin në Bruksel, më pas duhej edhe ta hulumtoja. Hetimi na ka dëshmuar se bëhet fjalë për skemë të paramenduar mirë e cila funksionon në principin e mashtrimit me furnizime publike që është në kundërshtim me rregullat e programit Erazmus +. Lënda e hulumtuar është paraqitur në mënyrë adekuate në Prokurorinë Publike dhe Komisionit për Mbrojtje të Konkurrencës, ndërsa tani jemi duke paraqitur ankesë edhe për Drejtorinë për Mbrojtje te të Dhënave Personale.

Rastin e kam publikuar tani sepse, opozita, por edhe individë, i drejtojnë sulme të pabaza Agjencisë Nacionale, të cilët janë të përfshirë në mënyrë direkte, të cilët vazhdimisht denoncojnë “keqpërdorime” në Policinë Financiare, që të  përkeqësojnë gjërat. Agjencia Nacionale, thjesht nuk ka zgjedhje tjetër, përpos të mbrohet publikisht!

Bashkimi Evropian - Maqedonia e Veriut, eurointegrime, bisedime, negociata, BE, RMV, Arbnora
Bashkimi Evropian – Maqedonia e Veriut

Portalb: Kush qëndron konkretisht pas këtyre keqpërdorimeve? A mendoni se do të mbajnë përgjegjësi?

Dimova: Për shkak të presupozimit të pafajësisë, nuk guxoj të përmendi emra. Pushteti gjyqësor do të duhet të kryej punën e tij. Por, një gjë jam e sigurt – duhet të ketë epilog për shkak se do të fillojnë negociatat, ndërsa në Bruksel rasti është paraqitur që në vitin 2018. Unë sinqerisht shpresoj se do të dëshmojmë se pandëshkueshmëria nuk do të jetë pasqyrë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Portalb: A mundet të ndikojnë skandalet e këtilla ndaj politikës së BE-së që të ndërpriten ose të reduktohet mjetet për projektet e këtilla ose të ngjashme?

Lidija Dimova

Dimova: Jo? Pse? Për shkak të disa arsyeve:

  • Ky është një shembull i shkëlqyer për luftën kundër korrupsionit,
  • Rasti është zbuluar duke ndjekur hapat e sistemit që tashmë është vendosur nga Brukseli – që do të thotë se është konfirmim se sistemi funksionon,
  • Do të ndikojë pozitivisht ndaj gjithë shtetit sepse, do të rritet numri i shfrytëzuesve. Përkatësisht, deri më tani ka funksionuar praktika – numër sa më të vogël të shfrytëzuesve me grante sa më të mëdha. Unë kam ndryshuar atë praktikë dhe tani kemi bazë më të madhe të shfrytëzuesve, përkatësisht numër sa më të madh të shfrytëzuesve me grante më të vogla për shkak të rritjes së inkluzivitetit të programit.
  • Një qajse e këtillë ndërton kapacitetet e shumë subjekteve në shtet, ndërsa me atë i përgatit për punë me mjete shumë më të mëdha që do të fitohen pas anëtarësimit në BE.

Portalb: A mendoni se institucionet kompetente në Maqedoni ndjekin në mënyrë të suksesshme se si harxhohen fondet evropiane në vend?

Dimova: Pasi që jemi në proces të anëtarësimit, tani programimi, implementimi dhe monitoringu i mjeteve të BE-së bëhen në partneritet me Delegacionin e BE-së në Shkup. Nisur nga kjo, ka mjaft mekanizma të mirë për ndjekje adekuate të përdorimit të tyre, por edhe për efektet e tyre.

Portalb: Me që jeni njohëse e mirë dhe keni shumë përvojë me eurointegrime në vend, do të dëshironim t’u parashtrojmë edhe pyetje të tjera:

Pritet që Maqedonia e Veriut të merr kornizë negociuese, sa është vendi i gatshëm për fillim të negociatave për anëtarësim në BE?

Lidija Dimova

Dimova: Shteti nuk është as më i mirë as më i dobët nga të gjitha shtetet tjera që kanë filluar negociatat qasëse. Por, është fakt se vet negociatat do të kërkojnë ndërtim shtesë të kapaciteteve dhe ndryshim të shumë shprehive dhe vlerave. Por, jam e sigurt për një gjë – na pret rrugë e gjatë dhe e mundimshme, por gjithashtu edhe shumë interesante me shumë pasiguri dhe leksione për të mësuar!

Portalb: Kuvendi ka miratuar një sërë ligjesh me flamur të BE-së, por sa realisht ato zbatohen?

Dimova: Të gjitha raportet evropiane tregojnë se nuk i zbatojmë ligjet. Atë që nuk e tregojnë dhe opinioni nuk e di, është se ligjet e miratuara nuk janë punë e përfunduar. Përkatësisht, nëse në ndërkohë BE ka ndryshuar ndonjë direktivë apo rregullore (ndërsa i ndryshon çdo 7 vjet me miratimin e kornizës financiare 7 vjeçare), atëherë ne jemi përsëri në fillim. Nisur nga kjo, nuk jam shumë e sigurt se sa punë shtesë na pret dhe për këtë na duhet patjetër Kuvend funksional.

Portalb: Sipas jush, kush është bllokuesi më i madh i agjendës tonë të BE-së?

Dimova: Injoranca… apo që të shprehem më butë, njohja sipërfaqësore e gjërave që pjesërisht është rezultat i arsimit, ndërsa pjesërisht e realitetit politik. Fakt është se procesi i negociatave do të na vendos në binare, por para asaj ajo do të na “zhvendos” nga zona jonë e komfortit!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button