Sigurimi serb kontrollonte luftarët e Arkanit

Zyrtarët serbë të sigurisë, Franko Simatovici dhe Jovica Stanisic, kishin komandë të plotë mbi njësitë e liderit të famshëm paramilitar, Arkan, tha Prokuroria e Tribunalit të Hagës.

“Pa asnjë dyshim të arsyeshëm, prokuroria ka vërtetuar se të pandehurit ishin përgjegjës për aksionet e ndërmarra nga Arkani [Zeljko Raznatovic] dhe njësitë e tij”, tha prokuroria në argumentet mbyllëse në gjyqin për krime lufte të Simatovicit dhe Stanisicit.

“Është e qartë se Simatovic e dërgoi Arkanin në Sllavoninë lindore [në Kroaci], ku njësitë e tij kryen krimet më të tmerrshme të luftës”, shtoi prokuroria.

Prokurorët kërkuan dënim me burgim të përjetshëm për të dy të pandehurit, duke thënë se është e vështirë të imagjinohen krime më të rënda sesa ato që u kryen nën komandën e tyre.

Sipas aktpadisë, Simatovic dhe Stanisic ishin anëtarë të një aksioni të përbashkët kriminal që planifikoi dhe urdhëroi ekzekutimin dhe persekutimin e joserbëve në rajonet nën kontrollin serb të Kroacisë dhe Bosnjës nga prilli i vitit 1991, deri në dhjetor të vitit 1995. 

Kroatët, myslimanët boshnjakët, kroatët e Bosnjës dhe civilë të tjerë joserbë u vranë, dëbuan dhe persekutuan për lidhjet e tyre politike, racës ose fesë, thuhet në aktpadi.

Prokuroria tha se dy ish-zyrtarët e lartë nga siguria e shtetit në Serbi, DB, themeluan qendra trajnimi dhe vullnetarë ushtrie dhe rekrutë, dhe disa prej tyre që u trajnuan u dërguan më pas në njësitë e veçanta të DB-së, ose u bënë trajnerë në njësi të tjera të lidhura me DB-në.

Ajo tha gjithashtu se këto njësi speciale u krijuan në mënyrë sekrete nga ose me ndihmën e DB-së nga prilli i vitit 1991 dhe më tej dhe ndërmorën operacione ushtarake në Bosnjë dhe Kroaci, deri në dhjetor të vitit 1995. 

Njësitë sulmuan dhe morën kontroll të qyteteve dhe fshatrave në Bosnjë dhe Kroaci nga viti 1991 deri në vitin 1995, tha prokuroria. 

Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi, ICTY, e paditi Arkanin në vitin 1999, por vetëm për krimet e kryera në vitin 1995 në zonën e Sanski Mostit në veriperëndim të Bosnjës.

Kreu i paramilitarëve nuk u paraqit para gjykatës, sepse u vra nga mafia në Beograd në vitin 2000. 

Simatovic dhe Stanisic u arrestuan të dy në vitin 2003 në Serbi dhe u transferuan në Tribunalin e Hagës, menjëherë më pas. Gjyqi i tyre filloi në vitin 2008. 

Fjalët përmbyllëse do të vazhdojnë sot. /Gazetajnk

Lajme të ngjashme

Back to top button