Kush na vret më shumë, varfëria apo virusi Korona?

Kush na vret më shumë, virusi Korona apo varfëria, kjo është pyetja thelbësore në kohën që jetojmë, në situatën e kushteve tona! Dy fenomene që na bëjnë të mendojmë, se si të mbijetojmë. E para virusi, që në përmbajtje ka mikrobet, bakteret dhe bën që të rrojmë në një garë evolutive me organizma-parazitet dhe nuk krijon asnjë siguri se do të jemi ne të mbijetuarit. Dhe tjetra, varfëria, forma më e keqe e dhunës. Nëse bëjmë një gërshetim të të dyjave del se, në këtë luftë (të pandemisë), të varfrit humbin, të pasurit  mbijetojnë. Dhe, kur t’i shtohet kësaj edhe fakti që mafiozët përparojnë, atëherë bota synon të bëhet e maskarenjve! Historia na tregon se vetëm në dy muajt që pasuan revolucionin, kapitalistët grabitën gjithë Rusinë. (Luksoziteti shkatërron demokracitë!)

Por, te ne ngrihet një dilemë se çfarë po ndodh në kohën kur epidemia ka “paralizuar” çdo institucion, biznes, OJQ, dhe veprimtarinë e individit? A do të grabiten institucionet, a do të shuhen bizneset, a do të ndalohet zëri i aktivistëve dhe, a do të mohohet kapitali intelektual në vendet e punës, që sot thuajse janë bosh. Një e vërtet e madhe që ekziston është se, të gjithë Frikësohemi. Fakt ky që mbështetet edhe nga krerët e shtetit. I pari i partisë në pushtet, LSDM, që deri dje trumbetonte për rritjen e mirëqenies ekonomike – shoqërore, në një kohë që kishte nxjerr syth virusi, bëri apel për përgjysmimin e pagave të punëtorëve. Por, kundërshtuan shumë të tjerë, ku edhe ndërmorën masa për t’i ndihmuar qytetarët, me aq kapacitet që ka ky vend.

Por, populli  ka nevojë për më shumë ndihmë. Kjo tregon që më se një dekade e pavarësisë ekonomike, nuk ka arritur që Maqedonia ta nivelojë pozitën ekonomike (me atë që kishte në vitin 1990). Ndërsa, dihet se shteti ka planifikuar të realizojë të hyra më shumë  për vitin 2020. Dhe se shumë nga (ne) ekonomistët, besojnë se të hyrat do të pësojnë rënie drastike edhe në muajt në vazhdim, nëse mbetet mes nesh distanca me punën, veçmas me prodhimtarinë.

Maqedonia, vazhdon të duket vend i varfër. Edhe pse përpjekjet e faktorit ndërkombëtar, pas një dekade, për ta nxjerrë vendin tonë nga tranzicioni me sa më pak tronditje, duke e përkrahur me aranzhmane dhe donacione financiare, me ndihmë teknike e profesionale, me kredi zhvillimore afatgjate, etj. Shteti është i varfër për vetë faktin që, në rrugët tona shihen njerëz, të cilët mbijetojnë me bizneset e tyre modeste. Këto biznese që për një kohë të gjatë, ku vepron virusi, iu ndalua veprimtaria, pësuan humbje financiare. Edhe në lejimin e hapjes së tyre ata humbën klientët, të cilët respektonin masat e rekomanduara nga pushteti. Disa muaj pa ekzistencë (Dhe sa?!). Shkalla e mesme bëhet e varfër. Fukarenjve  nuk u dihet fati, mbase ata janë viktimat e para të kësaj sëmundje të padukshme, që vret më shumë imunitetin e dobët të njeriut.
Në fakt, këta i ka vrarë fati më herët se sa virusi Korona. Dhe nga të mbijetuarit shpresa e vetme është premtimi i politikanëve që nxjerrin  një fjalë për vazhdën e ndihmave, ndaj tyre. Është fakt që politika është përgjegjëse për problemet e shoqërisë. E vërtetë është se, të gjitha problemet zvogëlohen kur ballafaqoheni me ato se sa t’ju ikni. Gjithsesi, nuk mund të zgjidhen problemet e të varfrit me masat e njëjta, të cilat janë përdorur kur i kanë krijuar ato. Në ditët tona, koha e pandemisë, si pengesa më e madhe, është dekurajuese dhe mbetet e pashmangshme. Por mënyra se si angazhohen përgjegjësit dhe se si mendojnë për problemet, ndikon në mënyrën direkte në aftësinë për t’i zgjidhur problemet e qytetarëve, të cilët për çdo ditë varfërohen. Aq e vërtetë është kjo, saqë shëndeti mbahet me ushqime të shëndetshme.

Sot lypësi i shëndetshëm është më i lumtur se sa një mbret shëndetlig. Sëmundja mund ta vret të varfrin, por varfëria kurrë të pasurin. I varfëri mund të protestojë edhe në kohë pandemie, i cili kërcënohet nga virusi. Por, parandalimi i sëmundjes është më i mirë se terapia, që i pasuri mund ta blejë dhe i varfëri asnjëherë. Paraja ndonjëherë kushton shumë. Vdekja i kushtëzon të gjithë. Por të varfrit nuk janë frikacakë, ata janë shumë para nesh. Frikacakët vdesin shumë herë para vdekjes së tyre. Kush vdiq në kohë e epidemisë, është dëshmor i saj. Kush i mbijetoi është hero i saj. Por, një gjë dihet se, epidemia dhe varfëria pengojnë përparimin e vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button