Update: U mbajt Parlamenti qytetar para Parlamentit

Rreth një mijë qytetarë u mblodhën sot në Parlamentin qytetar, të cilin në mesditë e organizoi opozita e bashkur para ndërtesës së Kuvendit. Në të njëjtën kohë, brenda në Kuvend, deputetët e shumicës u parashtronin pyetje ministrave të qeverisë. 
I pari në foltoren e Parlamentit qytetar foli politikologu Dane Taleski, i cili tha se anketat nuk e pastrojnë fytyrën e politikanëve të pushtetit.
– Askush nuk e miraton largimin e gazetarëve dhe të deputetëve nga Kuvendi. Ai 24 dhjetor nuk do të harrohet kurrë. Trajko Veljanovski e shkeli rregulloren e Kuvendit, gjë që nuk e ka bërë askush deri tani. Ai e shkeli demokracinë. E ftoj publikisht që të tregojë se kush e ka urdhëruar që ta shkelë Kushtetutën dhe demokracinë – potencoi Talevski.
– Pas 24 dhjetorit vendosa të bëhem pjesë e juaja. Nga raporti i “Raportuesve pa kufinj” u pa se jemi fiqnj me Venecuelën. Ata që tani janë brenda në Kuvend e shkelën demokracinë, tha gazetari Petrit Saraqini. 
– Në vitin 2007, brenda në Kuvend u rreh një gazetar i një redaksie shqiptare. Ai rast u fsheh. Para do kohësh, kryeredaktori i një të përditshmeje, për shkak se iu tërhoq teksti para se të shtypet gazeta, dha dorëheqje. Kjo është, të dashur qytetarë, censurë. Kjo duhet të përfundojë një ditë – tha Saraqini.
Profesori i Fakultetit ekonomik, Vanço Uzunov, në Parlamentin e sotëm qytetar tha se 16 herë me radhë, ekonomia e Maqedonisë është në rënie. 
– Kjo, miq të mi, nuk është krizë. Kjo është katastrofë që shkon drejt kataklizmës. Prodhimi industrial është në rënie të vazhdueshme që nga viti 2005. Sikur edhe një fëmijë të kishte lindur atë vit, deri tani do të shkonte në shkollë, e ne kemi mbetur në vend në krahasim me atë vit. Qeveria thotë se kriza ekonomike evropiane na shkakton probleme. Kjo deri diku është e vërtetë, por qeveria na ngarkon me borxhe, dhe gjithçka tjetër është vetëm alibi e saj. Qeveria nuk ka plan se çka do të ndodh me shtetin në të ardhmen – theksoi profesori Uzunov.
Ndërsa kolegia e tij, profesoresha universitare, Mimoza Ristova, tha se ndryshimet ligjore në arsimin e lartë në pjesën më të madhe janë kundër-kushtetuese dhe çojnë drejt diktaturës në arsimin e lartë. /Portalb

* * * * * * * * * *

Sot në Parlamentin e Maqedonisë është e paraparë të ketë seancë me pyetjet e deputetetëve. Nga ana tjetër, Opozita e bashkuar maqedonase,  do të mbajë Parlament qytetar mu para Kuvendit të RM-së në kohën e njëjtë kur Kuvendi do ta fillojë mbledhjen ku në rend dite janë pyetjet e deputetëve. 

Nga “Bashkimi për ardhmërinë” njoftojnë se sot nuk do të ketë protesta 30-minutëshe në tre udhëkryqet e Shkupit, por të gjithë ata që dëshirojnë të parashtrojnë ndonjë pyetje në vendin e vërtetë, këtë mund ta bëjnë në Parlamentin qytetar. 

Deputetja e LSDM-së, Vesna Bendevska, dje tha se se populli në Kuvend do të mund të shohë teatër të pushtetit, për shkak se kryeparlamentari Trajko Veljanovski ka caktuar mbledhje për pyetjet e deputetëve.

“Pushteti vetë do të parashtrojë pyetje dhe pastaj vetë do të përgjigjet në to. Deputetët e opozitës nuk do të marrin pjesë në këtë mbledhje. Ne deputetët të cilëtë në “të hënën e zezë” u larguam me dhunë nga Kuvendi, nuk e kemi ndërmend të kthehemi në këtë përbërje parlamentare, por nuk do të heqin dorë nga qëllimi që të parashtrojmë pyetje, dhe këtë do ta bëjmë në Parlamentin qytetar që do të mbahet në orën 12 para ndërtesës së Kuvendit, ndërsa të gjithë ne që duam demokraci, në vend që të shkojmë në protesta të qeta, do të jemi në vendin e vërtetë ” tha dje Bendevska në protestën e opozitës në rrugët e Shkupit. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button