Komuna e Aerodromit nuk lejon ndërtimin e Xhamisë

Kërkesa për ndërtimin e Xhamisë në komunën e Aerodromit në lagjen Lisiçe të epërme, është refuzuar nga autoritetet lokale. Ndonëse sipas të dhënave të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFI), në atë komunë ka mbi 6000 banorë të cilët i takojnë konfesionit fetar Islam, Komuna përkatëse ka refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se kjo komunë është e banuar prej 99% ortodoks.

Toka e cila është pronë e BFI-së në atë komunë, është ofruar për ndërtim të xhamisë, mirëpo edhe kjo nuk ishte e mjaftueshme për të ndryshuar qëndrimin e komunës, gjegjësisht të prefektit Ivica Konevski, thonë për Portalb nga BFI.

Ndërkaq, qytetarët mysliman në atë vend theksojnë se ideja për ndërtim të xhamisë është e kamotshme, dhe se kjo komunë bën diskriminim ndaj banorëve mysliman të cilët janë pakicë.

“Ideja për xhami në rrethin tonë qarkullon një kohë të gjatë, mirëpo hapi i parë konkret për këtë që është bërë , me sa di unë është ky i fundit gjegjësisht kërkesa tek autoritetet për ndërtimin e xhamisë. Nevoja për xhami është tejet e madhe, ndonëse jetojmë në një komunë kryesisht e banuar me ortodoks, edhe ne myslimanët jemi në numër të konsiderueshëm në këto vendbanime dhe ndjehet nevoja për ndërtimin e një xhamie”, tha për Portalb banori i kësaj komune.

“Neve duhet të udhëtojmë deri në çarshi të Shkupit për t’u falur në xhami, dhe kjo na kushton shumë ekonomikisht por edhe kohë. Pse të mos kemi edhe neve xhami sikur se kanë ata kisha”, tha një banor tjetër.

I kontaktuar disa herë nga Portalb Konevski ka refuzuar të përgjigjet ndërsa ai për ka komentuar se ka disa qindra qytetarë-mysliman, mirëpo ai punon në shërbim të qytetarëve.

“Këtu 99% i numrit të përgjithshëm të banorëve është ortodoks. Ata duhet të vendosin se vallë a ka nevojë të ndërtohet ndonjë objekt fetar apo jo. Ne do zbatojmë atë të cilën do ta zgjedhin qytetarët. Ne nuk jemi kundër ndërtimit të objekteve fetare për ato vende të cilat ka nevojë të ndërtohen”, ka thënë Konevski duke theksuar se në atë vend nuk është planifikuar të ndërtohet asnjë objekt.

Zëdhënësi i Bashkësisë fetare Islame Abaz Islami, tha se myslimanët e kësaj komune janë të diskriminuar, dhe se deklarata e Konevskit është absurde.

“Është e domosdoshme që ata qytetarë  të kenë një xhami  ku do të munden të kryejnë obligimet fetare për çdo ditë. Nuk e di se si mund të thotë ai ashtu, kur ajo komunë është stërmbushur me kisha të cilat janë ndërtuar në çdo skaj, madje edhe në parqe, ndërsa një xhami e vetme, që duam të ndërtohet në tokën e cila është pronë e BFI-së, të mos jetë e përfshirë në atë plan urbanistik?! Si mund të parashihet diçka tjetër në tokë e cila është pronë e huaj. Ne do ti përgjigjemi qytetarëve mysliman të atij vendi, edhe pse kjo nuk i pëlqen prefektit të komunës” tha Islami.

Ai më tej shtoi se si bashkësi fetare Islame, njoftojnë se nëse nuk u mundësohet ndërtimi i xhamisë myslimanëve të asaj komunë, do të kërkojmë nga komunat të cilat janë të banuara kryesisht me mysliman, si komuna e Çairit, Tetovës, Gostivarit dhe shumë komunave tjera, të mos u jepet leje ndërtimi për kisha, që edhe ato komuna të banuara me mysliman të përgjigjen në mënyrë të njëjtë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button