Banja e Tetovës me mini deponi, Inspektorët Ekologjik këtë e mësojnë nga Portalb (VIDEO)

Me hapa të ngadalta por të sigurta, pjesa e lumit te Banja e Tetovës po e merr epitetin e deponisë. Edhe pse ky vend ishte i stërmbushur me mbeturina dhe kundërmonte një erë e tmerrshme, Inspektoratit Ekologjik në Tetovë këtë e mësuan nga gazetari i Portalb.mk, atyre kjo nuk i kishte rënë në sy, ata na thanë se nuk janë të njoftuar për këtë rast, shkruan Portalb.mk.

Kjo nuk është deponia e parë e as e fundit që Inspektoratit Ekologjik në Tetovë “nuk i bije në sy”, Portalb.mk vazhdimisht ka informuar për pasivitetin e këtyre inspektorëve ekologjik të Tetovës, marrë parasysh faktin se shumë raste të djegies së mbeturinave, autorët kanë ngelur të pa zbuluar.

Në lidhje me këtë mini deponi, kryeshefi i Inspektoratit Komunal në Tetovë na tha se inspektorët nuk kanë qenë të njoftuar për këtë rast dhe se do të intervenojnë.

“Nuk jemi të njoftuar për këtë rast. Do të intervenojmë edhe këtu” tha Gëzim Ganiu, kryeshef i Inspektoratit Komunal në Tetovë, për mini deponinë te Banja e Qytetit.

Megjithatë, kujtojmë se disa muaj më herët, Ganiu gazetarit të Portalb.mk i tha se inspektorët ekologjik janë nonstop në teren, madje “nga ora 10 e mëngjesit, deri në 10 në mbrëmje”. Andaj, shtrohet pyetja se si është e mundur që të jesh kaq gjatë në teren dhe të mos vërresh një deponi të tillë?

Ndërkaq, nga Ndërmarrja Publike Komunale“Tetovë” na thanë se bëhet fjalë për pronë private, për këtë arsye këta të fundit nuk janë kompetent për të intervenuar.

“Sa ju takon mbeturinave përreth lumit ju informojmë se ata do të pastrohen me pastrimin e shtratit të lumit. Ndërsa pjesa tjetër është në pronë private për të cilën NPK nuk është kompetente për pastrim” tha Xhelal Ceka nga NPK, Tetovë.

Është paradoksale se si mund që një ndër komunat më të mëdha në Maqedoninë e Veriut të ketë të angazhuar vetëm 6 inspektorë për ambient jetësor ndërsa gjatë vitit 2019 këta inspektorë kanë shqiptuar vetëm 16 dënime për ndotësit e ambientit.

Ndryshe, disa nga rastet për të cilat autorët ngelën të pazbuluar, si pasojë e paaftësisë të inspektoratit ekologjik janë djegia e deponisë së Tetovës, djegia e mbeturinave te lagjet “Bllok 70” dhe “Dardania” , djegia e mbeturinave në “Lagjen e romëve”, si dhe shumë tjera të cilat qytetarët vazhdimisht i denoncojnë në “E-report” për arsye se numri i vendosur në webfaqen e Komunës (0800-55-043) për denoncimin e këtyre rasteve, është jofunksional.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button