Ngritja dhe rënia e “Perandorisë” së Katica Janevës, shpresa për drejtësi u burgos

Gjykata Penale sot e shpalli aktgjykimin për rastin “Reket”, sipas të cilit, Bojan Jovanovski – Boki 13 dhe ish kryeprokurorja speciale Katica Janeva u shpallën fajtorë në lëndën “Zhvatja”. Kush ishte ish prokurorja speciale dhe cili ishte misioni i saj në krye të ish Prokurorisë Speciale?

Misioni i Katica Janevës

Ish prokurorja speciale, Katica Janeva u zgjodh në krye të ish Prokurorisë Speciale në vitin 2015, pas një krize të thellë politike disavjeçare në të cilën ndodhej shteti. Kriza kishte filluar në vitin 2010, kur inspektorët financiarë bashkë me policinë mbyllën televizionin A1, i cili në atë kohë vlente për kritikues të qeverisë, duke u shfaqur në këtë mënyrë shenjat e para të një regjimit që po shndërrohej në autoritar. Kriza u thelluar në vitin 2012 , kur pas polemikave të ashpra mes deputetëve opozitarë dhe atyre të pushtetit në seancën ku diskutohej për buxhetin, situata u përshkallëzua në përleshje fizike mes tyre dhe sigurimi i parlamentit nxori me dhunë nga atje deputetët opozitarë bashkë me gazetarët, shkruan Portalb.mk.

Kriza vazhdoi me daljen e opozitës nga Parlamenti, gjegjësisht me bojkotimin që ja bënë shtëpisë ligjvënëse. Ndërkohë, më 9 shkurt, të vitit 2015, lideri i LSDM-së nga selia partiake i zbardhi bisedat e përgjuara të ashtuquajtura “bomba” me çka edhe filloi projekti “E Vërteta për Maqedoninë”, qëllimi i të cilit ishte të zbulohet mënyra e sundimit të Nikolla Gruevskit. Ky ishte edhe momenti që shënoi fillimin e “luftës” për të rrëzuar qeverinë e Gruevskit.

Prokuroria Speciale Publike

PSP u formua pas akuzave serioze nga opozita për punën e prokurorit të atëhershëm shtetëror Marko Zvrlevski. Dorëheqja e tij ishte një nga kërkesat kryesore nga LSDM, por pasi nuk u ndërmor një hap i tillë, u vendos për opsionin që të formohet një Prokurori speciale publike.

Janeva u vendos në krye të Prokurorisë Speciale, për të zbardhur keqpërdorimet e pushtetit 10 vjeçar të Qeverisë së Grueveskit të cilat u publikuan përmes përgjimeve, për të sjellë para drejtësisë të gjithë funksionarët e lartë shtetëror për të cilët kishte dyshime se janë përfshirë në krim dhe korrupsion për të kthyer besimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor.

Në këtë mënyrë, Janeva së bashku me ekipin e saj të prokurorëve, u bë simbol i luftës për sundimin e ligjit dhe shtetit ligjor, si dhe i luftës kundër regjimit represiv autoritar. Katica ishte personi kyç që premtonte kthimin e demokracisë në vend, që i kishte kushtuar vendit me bllokim të proceseve euro-atlantike dhe izolim nga bota perëndimore.

Në një ndër intervistat e saja të para të dhënë pas  marrjes së postit, ajo deklaroi se biografia e saj është e hapur dhe në dispozicion që ta lexojnë të gjithë si dhe veprat që do të bëjë ajo në këtë detyrë do të jenë biografia e saj.

“Spektakli” i PSP-së

Me konferencat e para për shtyp të treshes së prokuroreve më të ekspozuar në media – Katica Janeva, Lençe Ristoska dhe Fatime Fetai filloi të rritet edhe përkrahja për ta.

Hyrja për të kryer kontrolle  në TV Kanal 5,  hyrja me dhunë me urdhër të gjykatës në ambientet e Sigurisë dhe Inteligjencës për inspektim të të dhënave kompjuterike të DSK për rastin “Puç”, bastisja në zyrën e gjykatësit Vlladimir Pançevski ishin disa nga momentet me të cilat Katica bindi opinionin për guximin e saj dhe vendosmërinë për të luftuar në mënyrë të pakompromistë krimin dhe korrupsionin. Ajo, ndër tjera, hapi lëndë edhe për Ali Ahmeti dhe Nikolla Gruevski.

Mbështetja ndërkombëtare

Shkrimi në “Spiegel”

Janeva tani më shihej si një ikonë heroike edhe në mesin e mediave prestigjioze ndërkombëtare. Revista e njohur gjermane “Der Spiegel” i kushtoi një shkrim prokuroreve ‘speciale’ në Maqedoni, duke e paraqitur luftën e tyre të pa kompromis ndaj shtetit mafioz dhe kriminal.

Tri prokuroret kryesore janë popullarizuar për guximin e tyre, shkruante gazeta, në të artikull me titull “ Prokuroret e paprekura kundër shtetit mafioz në Maqedoni”.

Gazeta Financial Times prokuroren speciale e përshkruante si “kamxhik për elitën korruptuese të Maqedonisë dhe ikonë e pazakontë e protestave gjatë kohës së krizës politike”. Gazeta londineze shkruante se Janeva si prokurore speciale është hedhur në tollovinë që u shkaktua në Maqedoni, e cila ka për detyrë t’i ndjekë personalitetet politike të dyshuar për vjedhje të zgjedhjeve, korrupsion po edhe se i kanë përdorur shërbimet e inteligjencës për

Ndërkohë, Instituti Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Afërt dhe Ballkanit (IFIMES) kryeprokurores së Prokurorisë Speciale Publike të Republikës së Maqedonisë, Katica Janeva në vitin 2017 ia ndau mirënjohjen e lartë “Kryeprokurorja më e mirë e Ballkanit”, njëherit, Prokurorisë Speciale Publike të Republikës së Maqedonisë (PSP) ia ndau mirënjohjen e lartë “Prokuroria më e mirë e Ballkanit”.

Zhgënjimi

Por, vendosmëria për të kryer me sukses misionin e saj dhe për të luftuar krimin, filluan të zbeheshin. Nga nëntori i vitit 2018 fillojnë edhe veprimet për “tregti me ndikim” për rastin “Reket” që e zbardhi Prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar.  Prokuroria Speciale Publike (PSP) hapi  hetim të ri me emrin e koduar “Perandoria”, në të cilën prokuroria kishte dyshime për krim të rëndë 10 milionë euro dhe të dyshuar ishin biznesmeni kontrovers Orce Jordan Kamçev, ish shefi i shërbimit sekret të DSK-së Sasho Mijallkov.

Katica Janeva
Katica Janeva

Në fund të vitit 2019, prokuroria njoftoi rreth dyshimeve se Boki 13 dhe Zoran Milevski në nëntor të 2019, kanë filluar të kërkojnë para nga Kamçev, nëpërmjet ndikimit të Janevës, për të ndërprerë procedurën penale ose i dyshuari të fitojë rrethana lehtësuese.

Përfshirja e Janevës në një vepër të këtillë penale, shkaktoi reagime dhe zhgënjim të thellë në opinion. Sistemi gjyqësor mori një goditje të rëndë, ndërsa besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë u shua sërish.

Janeva dha dorëheqje nga funksioni Prokurore Speciale më 17 korrik të vitit të kaluar, ndërkohë mandati i Prokurorisë Speciale, që po diskutohej nga partitë politike, nuk u vazhdua më.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button