7 vite

Shkëlqimi dhe rënia e prokurores speciale, Katica Janeva përfundoi me vendim të shkallës së parë i cili parasheh dënim me burg në kohëzgjatje prej 7 vitesh për rastin “Shantazhi”, ku i akuzuari kryesor u dënua me 9 vjet burgim. Çfarë është shumë e çfarë është pak sa u përket viteve të dënimit është çështje relative. Dikujt ky dënim mund t’i duket i pamjaftueshëm e dikujt tepër i ashpër.

Në aspektin juridiko-penal ky është një dënim tipik mesatar për këtë vepër penale. As drakonik dhe as i lehtë. Në të drejtën penale çdo vepër penale e dënuar me burg efektiv mbi 3 vjet burg konsiderohet vepër e rëndë penale, për të cilën nuk ekzistojnë alternativa të burgut. Dënimet deri në 3 vjet burg mund të zëvendësohen me dënime të tjera dhe kanë pasoja më të vogla për të dënuarin. Ndërsa ato mbi 3 vjet burg kanë pasoja më të rënda dhe rehabilitimi nga ato zgjat më shumë, ndërsa pasojat ndjehen edhe vite pasi ka mbaruar vuajtja e dënimit.

Ajo që duhet pasur parasysh është se ky është vendim i shkallës së parë dhe i njëjti nuk është ende i plotfuqishëm. I tillë do të bëhet vetëm pasi të konfirmohet në Gjykatën e Apelit, pas të cilit konfirmim duhet të pasojë fillimi i vuajtjes së dënimit.

Shtatë vite nuk kalojnë lehtë në burg. Gjatë atyre 7 viteve personi ka mundësi pafund të reflektojë mbi atë që ka bërë dhe mbi arsyen pse gjendet në vuajtje të atij dënimi. Shtatë vite të gjata në burgun e femrave në Idrizovë janë një periudhë e gjatë reflektimi mbi rrugën e kaluar “Per astra ad aspera” apo “Nga yjet tek ferrat”.

Tani, më e dënuara në shkallë të parë Janeva do të ketë mundësi të mendojë thellë dhe në retrospektivë për vitet e fundit ku ajo nga një heroinë që duhej të sillte drejtësinë u shndërrua vetë në një të dënuar. Të kujtohemi që i krye-akuzuari nga Prokuroria Speciale që kryesohej nga Janeva, ish-kryeministri Nikolla Gruevski, mori dënim me dy vite burg, dhe të njëjtin asnjëherë nuk filloi ta vuajë sepse u arratis. Edhe të akuzuarit tjerë janë ende në liri përveç disa emrave të paktë që shkuan në vuajtje të dënimit, por ata kryesorët, ose janë në arrati, ose edhe më tej janë krijues të politikave ditore në vend.

Janeva është shembull tipik i rregullës së pashkruar në drejtësinë penale, nëse nuk i burgos keqbërësit ata do të burgosin ty. Veçanërisht nëse vet përfshihesh në gjëra të cilat në fakt duhet t’i ndjekësh e jo të përfitosh prej tyre në mënyrë të paligjshme.

Shtatë vite do të jenë të mjaftueshme për Janevën për të menduar mbi atë se si është ndjenja të jesh njëherit shpresë për vendosjen e drejtësisë në vend dhe po ashtu të jesh shkaktare e humbjes së asaj shprese. Por shtatë vjet dënim me burg janë po ashtu të mjaftueshme për të gjithë ata që duhet të nxjerrin mësim nga kjo situatë dhe të shohin sa shpejt dikush mund të rrokulliset nga majat e pushtetit deri pas grilave të burgut, të humbasë statusin e respektuar dhe ta zëvendësojë atë me statusin e kriminelit.

Le të jetë rasti “Reket” mësim për të gjithë. Asgjë nuk është e përjetshme në këtë botë, as fama as fuqia dhe gjithçka mund të rrokulliset sa hap e mbyll sytë, e veçanërisht kur dikush vendos të kalojë në anën e errët të ligjit dhe ndërgjegjes.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button