Strugë, RDK-ja e pavendosur për kandidaturën

Dega e RDK-së në Strugë akoma nuk mund të konfirmojë kandidaturën e kësaj partie për Strugën në zgjedhjet lokale të Marsit. Vetë kryetari i RDK-së në Strugë Ardian Demiri njofton për Portalb.mk se diskutimet në parti për kandidatin që do të garojë në Strugë akoma po zhvillohen.

“Jemi duke u konsultuar në lidhje me qëndrimin tonë përfundimtar për garimin tonë në zgjedhjet e Marsit. Gjatë kësaj jave do të kemi një takim të rëndësishëm me strukturat e partisë, ku veç tjerash do të diskutohet edhe për këtë çështje dhe besoj se maksimum deri në date 10 shkurt gjithçka do të jetë e qartë” tha Demiri për Portalb.mk.

Demiri njoftoi se RDK-ja në Strugë është duke përpiluar listën e këshilltarëve ku siç konfirmoi edhe vetë, kryesuesi i listës do të jetë nga qyteti i Strugës.

Kryetari i degës së RDK-së tha gjithashtu se nuk përjashton ndonjë koalicion të mundshëm me partitë tjera madje konfirmoi se ekzistojnë kontakte në këtë drejtim.

“Sigurisht që jemi të hapur për bashkëpunim, ne kemi pasur kontakte me të dyja partitë politike shqiptare në Strugë, edhe me individë të këtyre partive, por akoma nuk mund të them asgjë përfundimtare” shtoi Ardian Demiri.

Kujtojmë se kandidati i shpallur por i pa konfirmuar përfundimisht nga RDK-ja për Strugën ishte z Gajur Kaba, por siç duket ky propozim me shumë gjasa nuk do të përfaqësojë RDK-në nëse kjo e fundit do të marrë vendim që të garojë me kandidatin e tyre në këtë komunë.

Lajme të ngjashme

Back to top button