Ditari elektronik, angazhim i dyfishtë për mësimdhënësit e RMV-së

Arsimtarët kanë mbajtur evidencën e duhur në ditarët elektronik, përveç kësaj edhe në ditarin klasik, janë detyruar. Përmes ditarit elektronik, arsimtarët kanë njoftuar dhe kanë evidentuar edhe e-mailat e prindërve, si dhe kanë marrë pëlqimet e prindërve për informimin nga ditari elektronik për rregullshmërinë dhe suksesin e fëmijëve të tyre. Mirëpo, për shumë mësimdhënës plotësimi i orëve të mësimit në ditarin elektronik, por në të njëjtën kohë edhe në ditarin klasik (shkrim me stilolaps), përbën angazhim të dyfishtë, shkruan Portalb.mk.

Pedagogët me përvojë disa vjeçare në arsim, nuk e shohin të arsyeshme që një punë të punohet dy herë. Dhe për këtë një metodë e këtillë duhet të largohet, sepse humb kohën e tyre. Dhe se ditari elektronik është punë administrative, që i preokupon mësimdhënësit. Mirëpo, nuk përjashtojnë faktin se është thelbësore që mësuesit të përdorin evidenca për të nxënit për t’u siguruar nëse nxënësit po përparojnë. Evidencat këto që janë të ndryshme në varësi të llojit të të nxënit që do të vlerësohet dhe plotësohen në mënyrë të vazhdueshme, periodike për detyra specifike, punë të nxënësve, aktivitete, teste etj. Por, mësimdhënësit më shumë mbeten besnik të punëve dhe ditarit klasik, ndërsa ditari elektronik mbetet detyrim i tyre.

“Pra në përgjithësi ditari klasik mbetet i pazëvendësueshëm, ka rëndësinë për mbajtjen e evidencës pedagogjike, por ka rëndësinë e aparencës së arsimtarit duke u futur në klasë. Nga përvoja e them bindshëm se ditari klasik mbetet më praktik. Ditari elektronik është shpikje jo e qëlluar e mendjes së njeriut. Ndoshta mund t’i shërbente administratës, pra le ta kryente këtë punë administrata. Për arsimtarin ditari elektronik është punë e dyfishtë, e lodhshme dhe e pa motivuar. Jam i mendimi që sa më shpejtë të largohet, të tërhiqet nga procesi edukativo – arsimor. Ditari elektronik le t’i mbetet një të kaluare, le t’i mbetet një eksperimenti të dështuar në sferën e arsimit”, tha për Portalb, mësimdhënësi  Xheladin Muça, nga shkolla e mesme komunale, gjimnazi “Ibrahim Temo”, në Strugë.

Këtë mendim e ndajnë edhe mësimdhënësit e tjerë, ku edhe pse ditari elektronik tani më është bërë pjesë e pandashme e shkollave të tyre ata angazhohen dyfish me punë ‘administrative’. Por, problemin nuk e shohin vetëm te preokupimi për përmbushjen edhe të ditarit elektronik, por edhe te rrjeti i dobët i internetit, që shpesh ndalon procedurën e punës së tyre.

“Mendimi im është se është punë e dyfishtë. Dhe për këtë mund të them se forma më praktike është ditari klasik, disi më duket si emblemë e arsimtarit. Në kohët moderne kemi shpesh ngarkesë në rrjet ose hakerimi të të dhënave. Ditari klasik është shumë më i sigurt. Unë çdoherë e shpreh kështu, më tepër më tërheqë një libër, se sa të lexoj një libër ose informacione, në rrjetet sociale, dua të shoh dhe ta kem në duar librin, po ashtu edhe ditarin klasik”, tha për Portalb, pedagogu Rexhep Bajrami nga SHFK  “Gjergj Kastrioti -Skënderbeu”, Haraçinë.

Mbajtja e evidencave në ditarin elektronik mbetet edhe sot, më problematike për mësimdhënësit me përvojë të gjatë në arsim, gjegjësisht ata më të moshuarit. Ku, shpesh për plotësimin e orëve mësimore dhe evidencave kërkojnë ndihmë nga më të rinjtë, ose familjarët e tyre.

Përndryshe, plotësimi i e-ditarit është obligim i secilit mësimdhënësi në shkollat e Maqedonisë. Veç asaj, edhe pse gjendja me virusin korona në Maqedoninë e Veriut po rëndohet dita-ditës, mësimdhënësit janë të detyruar që aktivitetet për përmbylljen e vitit shkollor, të shkojnë fizikisht që t’i përmbushin në objektet e shkollave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button