Balada për Hari Xheksonin dhe bishat e Arkanit

Ai ishte ëndërrimtari i paepur dhe i papërsëritshëm. Jetoi në botën e vetësajuar, ashtu sikurse kalorësi i arratisur i Servantesit. Eci kundër rrymës dhe nuk u bë pjesë e shoqërisë së skematizuar. Nuk i honepsi nëpunësit dhe elitarët mendjefyçkë. Refuzoi të aktronte në “filma me partizanë”, përkundër ofertave të majme. Emri i tij është Hari Xhekson (1944 – 1999) dhe njihet si regjisori, producenti dhe aktori i parë i filmave uestern në ish – Jugosllavi.

Ai lindi në fshatin Poroj të Tetovës. Në moshën shtatëvjeçare, kur ende quhej Alush Musliu, familja e tij u vendos në Bijelinë të Bosnjës. Aty punoi si fotograf dhe e realizoi ëndrrën jetësore pa përkrahjen e asnjë shtëpie kinematografike. I udhëhequr nga ëndrra dhe pasioni, Hari xhiroi filma me kamerën, rekuizitat dhe paratë e tij. Në këta filma aktronin miqtë e ngushtë. Romët nga rrethina i luanin rolet e meksikanëve dhe indianëve. Kuajt i huazonte nga fshatarët. Drejtuesit e trenit “i korruptonte” me qebapë e birra. Ata duhej ta ngadalësonin shpejtësinë e trenit që ai t’i xhironte skenat e filmave të tij uestern. Disa nga filmat e tij me metrazh të shkurtër, janë: “Varja e Hari Xheksonit”, “Pastruesit e arit”, “Në gjurmë të krimit”. Me filmin “Hakmarrja e Hari Xheksonit” fitoi një çmim në festivalin e filmit të shkurtër në Zagreb, në vitin 1979. Filmin e fundit, “Luftëtari i drejtësisë”, e xhiroi në vitin 1984.

Për Harin Xheksonin janë xhiruar disa dokumentarë dhe kanë shkruar shumë gazeta e revista të kohës. Emir Kusturica u pranua në Akademinë e Filmit në Pragë me një dokumentar për të. Kusturica, më pas, u bë njëri prej megafonave të regjimit të Millosheviqit dhe kriminelëve të luftës. U bë një “lavire intelektuale”, sikurse e quan poeti Marko Veshoviqi. Regjisorja Jasmina Durakoviq e xhiroi filmin e shkurtër “Arizona, versioni boshnjak” (1998), duke u frymëzuar nga jeta e Harit, i cili aktroi edhe në filmin “Aroma e luleve të fushës” (1978) të Goran Paskaleviqit,

Kur Bijelina u përfshi nga flakët e luftës, Hari i fshehu shiritat e filmave që kishte xhiruar, të cilët ende nuk janë gjetur. Mbase do të shfaqet një kauboj tjetër dhe do ta gjejë këtë pasuri të çmuar.

Në këtë kohë një gazetar e pyeti se si do të vepronte “Hari hakmarrësi” në mbrojtje të së drejtës dhe të së vërtetës. Hari u përgjigj: “Nuk e di. Janë shumë. Ata nuk e durojnë dyluftimin. Gjuajnë pas shpine. I dërgojnë të tjerët në pritë dhe nuk e njohin nderin”.

Pasi e strehoi familjen në vend të sigurt, duke paguar një shumë të konsiderueshme parash, vetë u kthye në Bijelinë. Kur e bija, tashmë e vendosur në Gjermani, e luti që ta lëshonte qytetin, Hari ia ktheu: “Jo bijë, do të qëndroj në Bijelinë dhe do ta pres drejtësinë”. Ishte kauboj. E kaubojt janë krahasuar me kalorësit e fisëm mesjetarë që luftonin kundër padrejtësive. Hari ende besonte në idenë themeltare të filmave uestern: shpëtimin e të pafajshmit dhe dënimin e kriminelit.

Ai nuk u frikësua as nga bishat e Arkanit. Çdo ditë e nxirrte radion para shtëpisë dhe e lëshonte me zë të lartë Radio – Sarajevën. Një çetniku trupshkurtër, që e kishte njohur më parë, i tha: “Ku je o pleh?“ Kur ai e kërcënoi se do t’ia shkurtonte kokën, Hari ia ktheu me gjakftohtësi: “Shoh, se të kanë shkurtuar”. Pastaj i hodhën bombë në shtëpi. E arrestuan. Disa herë e rrahën barbarisht. E mobilizuan në ushtri, por Hari dezertoi. I dha një dajak të mirë pjesëtarit të shërbimit sekret serb, i cili ia kishte uzurpuar shtëpinë. Pas kësaj ndodhie, për shumë kohë, nuk dihej asgjë për fatin e tij.

Në fund të jetës, pasi i kishte mbijetuar luftës, Hari ishte vetëm një bohem i zhgënjyer. Bota e tij plot ëndrra ishte përmbysur. Në botën e vërtetë nuk kishte mbetur asgjë nga kodi i nderit në të cilin besoi kauboji i fundit.

Në një skenë filmi e bija e lut babanë e vrarë që të zgjohet. Hari e ngre kokën dhe i thotë: “Virgjinia, bija ime, ky është vetëm film”. Hari e jetoi jetën si në film deri në çastin kur iku nga kjo botë.

Një personazh i filmit “Arizona, versioni boshnjak” pyet nëse Hari është gjallë (kur u xhirua filmi nuk dihej asgjë për fatin e tij), ndërkaq tjetri i përgjigjet: “Unë mendoj se është gjallë, sepse legjendat nuk vdesin”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button