Këshilltari amerikan Robert O’Brien mirëpret takimin mes zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, ka thënë se mirëpret takimin mes liderëve të Serbisë dhe Kosovës, më vonë gjatë këtij muaji në Shtëpinë e Bardhë.

“Shtetet e Bashkuara mezi presin këto diskutime të rëndësishme”, ka thënë O’Brien përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, transmeton REL.

Ai i është referuar takimit mes zyrtarëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë më 27 qershor në Uashington, dhe të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes këtyre dy shteteve, Richard Grenell.
Të martën, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se shpreson që ky takim mund të rrisë shpresat për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë në po të njëjtën ditë se, temë e takimit nuk do të jetë pranimi i pavarësisë së Kosovës, por çështjet ekonomike.

Kujtojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button