Hoti: Jemi të gatshëm për dialog me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se gjatë takimit që pati me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, e informoi atë për qasjen e qeverisë ndaj dialogut, i cili duhet përfundimisht të përmbyllë një marrëveshje dhe çështjet e hapura që Kosova ka me Serbinë, transmeton REL.

Ai tha që dialogu duhet të çojë te njohja reciproke dhe t’i hapë Kosovës perspektivën e integrimeve evropiane.

“Kjo marrëveshje është e rëndësishme sigurisht për Kosovën dhe për Serbinë, për qytetarët e të dy vendeve, por është e rëndësishme edhe për gjithë rajonin dhe për stabilitetin e tërësishëm të Bashkimit Evropian. Vendi ynë është brenda BE-së dhe unë jam shumë i kënaqur dhe i inkurajuar me mesazhet që zoti Lajçak na i tregoi dhe i shfaqi para nesh, për përkushtimin e tij për këtë proces, n emër të 27 vendeve të BE-së”, tha Hoti.

Ai shtoi se pret që së bashku me gjithë qeverinë sa më parë të angazhohet në këtë proces, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje paqeje me Serbinë dhe të mbyllet një kapitull i rëndësishëm ndërmjet dy vendeve dhe të sigurohet perspektiva euro-integruese.

“Unë i tregova dhe shfaqa gjithë interesimin dhe gatishmërinë tonë për të hyrë në këtë proces. Jemi përgatitur, e kemi qartësuar platformën tonë, jemi duke zhvilluar konsultime për të përfshirë të gjitha palët dhe të gjitha institucionet, në përputhje me kompetencat që ka secili prej institucioneve të vendit karshi këtij procesi”, theksoi Hoti.

Pas takimit me kryeministrin Hoti, Lajçak tha se rruga evropiane nuk mund të trasohet nga askush tjetër, pos nga Bashkimi Evopian.

Në këtë drejtim, ai tha se edhe në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në mënyrë eksplicite thuhet se përparimi i Kosovës drejt BE-së kalon përmes normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Dua po ashtu të theksoj se rruga e Kosovës drejt BE-së shkon përmes normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe kjo gjë është thënë edhe në mënyrë eksplicite në rezolutën e vitit 2010 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që është bazë e këtij dialogut. Unë dua që Kosova të përparojë në rrugën evropiane, dhe kjo nuk mund të bëhet nga askush tjetër, pos nga Bashkimi Evropian. Prandaj, BE-ja është e gatshme për të ndihmuar, për të hapur të ardhmen evropiane të Kosovës”, tha Lajçak.

Kjo është vizita e parë e Lajçakut në Kosovë, që prej se mori postin e të dërguarit të posaçëm të BE-së ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel. Në tetor të vitit 2019, SHBA-ja emëroi Richard Grenellin, si të dërguarin e tyre për bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button