Osmani i kërkoi Lajçakut dialog ku s’diskutohet për territore

Kryeparlamentarja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me Përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi ka thënë se në këtë proces nuk duhet të ketë negocim për territore, transmeton Koha.net.

Në konferencën për media, Osmani ka shtuar se Qeveria është e vetmja që duhet ta përfaqësojë Kosovën në dialog e se Kuvendi duhet ta mbikëqyrë.

“Shpreha gatishmërinë që të kemi rol sa më mbikëqyrës mbi Qeverinë që është e vetmja që duhet ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces. Presim të ketë dialog mes dy palësh të barabarta dhe se ka kuptim vetëm nëse përfundon me njohje të ndërsjellë. Si Kuvend kemi miratuar shumë rezoluta që presim të respektohen nga Qeveria, që s’ka negocim për territorin, sovranitetin e rendin tonë të brendshëm. Duhet të jenë tri parime udhëheqëse mbi të cilat ndërtohet procesi i dialogut, përndryshe do të kishte rezultat të paimplementueshëm në terren”, ka thënë Osmani.

Në anën tjetër, Lajçak ka thënë se ka informuar Osmanin për planet dhe metodologjinë me të cilat synon të vazhdojë procesi i dialogut.

Një ditë pasi u konfirmua se më 27 qershor në Washington do të takohen Kosova e Serbia, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se pret bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në për këtë çështje.

Ai ka thënë se ende nuk e di nëse do të jetë pjesë e takimit në Washington.

“Gjithçka që është arritur në dialog është rezultat i punës së përbashkët dhe të ngushtë mes SHBA-së dhe BE-së dhe pikërisht është kjo ambicie që të vazhdojmë në këtë mënyrë dhe presim bashkëpunim shumë të ngushtë me SHBA-në”, ka thënë Lajçak pas takimit me Thaçin.

“Mandati im është shumë i qartë, të ndihmoj në arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese mes Kosovë dhe Serbisë që do të normalizojë marrëdhëniet dhe do të zgjidhë të gjitha problemet dhe do të jetë e pranueshme për vendet e rajonit dhe vendet anëtare të BE-së. Unë pres të mbyll këtë proces që ka nisur më 2011 me një konkluzion të suksesshëm dhe kjo është pikërisht ajo që dua ta bëj. Takimi im me Thaçin ishte konstruktiv, i dobishëm lidhur me planet dhe idetë me afatet dhe metodologjinë dhe ne do të vazhdojmë sigurisht komunikimin tonë. Do t’i takoj edhe përfaqësuesit e partive të Kosovës, kryetaren e Kuvendit, kryeministrin dhe përfaqësuesit e partive politike dhe më pas do vazhdoj me vizitën time në Beograd që të nisim përgatitet për dialogun dhe ne presim që dialogu të rinisë në Bruksel shume shpejt”, ka thënë tutje Lajçak.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button