Opozita nesër organizon Parlament qytetar para Parlamentit

Opozita e bashkuar nesër, para Kuvendit të RM-së do të mbajë Parlament qytetar, në kohën e njëjtë kur Kuvendi do ta fillojë mbledhjen ku në rend dite janë pyetjet e deputetëve. 

Nga “Bashkimi për ardhmërinë” njoftojnë se nesër nuk do të ketë protesta 30-minutëshe në tre udhëkryqet e Shkupit, por të gjithë ata që dëshirojnë të parashtrojnë ndonjë pyetje në vendin e vërtetë, këtë mund ta bëjnë në Parlamentin qytetar. 

Deputetja e LSDM-së, Vesna Bendevska, në protestën e sotme tha se populli nesër në Kuvend do të mund të shohë teatër të pushtetit, për shkak se kryeparlamentari Trajko Veljanovski ka caktuar mbledhje për pyetjet e deputetëve.

– Pushteti vetë do të parashtrojë pyetje dhe pastaj vetë do të përgjigjet në to. Deputetët e opozitës nuk do të marrin pjesë në këtë mbledhje. Ne deputetët të cilëtë në “të hënën e zezë” u larguam me dhunë nga Kuvendi, nuk e kemi ndërmend të kthehemi në këtë përbërje parlamentare, por nuk do të heqin dorë nga qëllimi që të parashtrojmë pyetje, dhe këtë do ta bëjmë në Parlamentin qytetar që do të mbahet në orën 12 para ndërtesës së Kuvendit, ndërsa të gjithë ne që duam demokraci, në vend që të shkojmë në protesta të qeta, do të jemi në vendin e vërtetë – thotë Bendevska.

Ajo thotë se populli kërkon përgjigje nga pushteti se kur do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, në të cilat mu populli dëshiron të vendosë për fatin e regjimit totalitar dhe diktaturës së këtij pushteti.

Deputeti Safet Bishevac thotë se Trajko Veljanovski e ka turpëruar vendin më 24 dhjetor dhe i ka shkelur ligjet dhe Kushtetutën e Maqedonisë, kur e ka realizuar idenë e çmendur të Gruevski që t’i largojë nga Kuvendi deputetët që përfaqësojnë 370.000 qytetarë të vendit.

– Historia asnjëherë nuk do ta harrojë atë 24 dhjetor, që është një ditë e zezë në historinë tonë më të re, por e di se asnjëherë, askujt nuk do t’i lejohet që të sillet në atë mënyrë siç u sollën Veljanovski dhe Gruevski – potencoi deputeti Bishevac. 

Ai thotë se kryeministri nuk e ka ndërmend ta zgjidhë problemin me emrin, edhe pse paralajmëroi se nëse ka ndonjë propozim, ai do të shpallë referendum që populli të vendosë për propozimin. 

– Pse të shpallë referendum kur ai nuk e përkrah atë. Për të nuk janë me rëndësi interesat e qytetarëve ose ardhmëria e vendit. Pres që pozitat e tyre aktuale t’i mbrojnë me të gjitha forcat. Një gjë është e qartë. Opozita nuk do të dalë në zgjedhje lokale pa mos u shpallur edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare – shtoi Bishevac. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button