Thaçi i kërkoi Lajçakut liberalizimin e vizave dhe njohje nga Serbia

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, ka thënë se pozicioni zyrtar i Kosovës është që në këtë proces duhet të fillohet me liberalizim të vizave e të përmbyllet sa më shpejt me njohje reciproke mes dy shteteve, transmeton Koha.net.

“Kosova ka një të ardhme dhe alternativë të vetme që të jetë pjesë e familjes evropiane. Diskutuam edhe për angazhimet që do ti ketë Lajcak në çështjen e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë çdo përpjekje që çon drejt normalizimit të plotë mes Kosovës dhe Serbisë është e mirëseardhur. Unë dua të besoj qe do kemi veprime konkrete dhe dobiprurëse për dy popujt nga ky angazhim. Pozicioni zyrtar i shtetit të Kosovës në këtë proces është që duhet të fillojë me liberalizimin e vizave dhe duhet të përmbyllet sa më shpejt qe është e mundur me një njohje reciproke”, ka thënë Thaçi në konferencën për media pas takimit.

Në anën tjetër, Lajçak ka thënë se emërimi i tij tregon se “BE-ja është shumë serioze kur vjen tek çështjet e rajonit”.

“Ne do të vazhdojmë komunikimin. Do të vazhdoj të takoj përfaqësuesit tjerë dhe do të vazhdoj vizitën time edhe në Serbi”, ka thënë Lajçaku.

Lajçak ka arritur sot në Prishtinë për një vizitë treditore ku do të takojë krerët e institucioneve të Kosovës për të diskutuar rreth rifillimit të dialogut.

Diplomati sllovak do të takohet sot edhe me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Avdullah Hoti.

Sot në mëngjes, Thaçi kishte thënë se nuk do ta takojë Lajçakun nëse s’ka diçka konkrete për të thënë.

Kjo është vizita e parë e emisarit evropian për dialogun në Kosovë pas marrjes së detyrës dhe ajo zhvillohet një ditë pasi emisari amerikan Richard Grenell bëri të ditur rifillimin e dialogut për 27 qershor në Washington.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button