Korrupsioni në arsimin (pa) pagesë në RMV, nxënësve ju merren para në mënyrë të jashtëligjshme

Disa nga 50 denarë e tjerat nga 100, kështu, sipas nxënësve, me vite disa shkolla të mesme në Maqedoninë e Veriut kanë marrë para në formë të kundërligjshme prej nxënësve, me qëllim pranimin e dëftesës. Edhe pse të gjithë drejtorët e kontaktuar e mohojnë një gjë të tillë, Portalb.mk siguroi mesazhin e një profesori i cili kërkon para nga nxënësit për këtë, biseduam edhe me disa nxënës, për ata kjo praktikë veçse ishte “normalizuar” dhe nuk ishin të informuar se paratë ju merren në mënyrë të jashtëligjshme. Qazimi nga Sektori për Arsim në Tetovë inkurajon nxënësit që këto raste t’i denoncojnë, njofton Portalb.mk.

Çfarë dimë ne?

Nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme (UNSHM) dje publikuan një shkrim ku publikisht denonconin disa shkolla të mesme, të cilat ndër vite kanë marrë para nga nxënësit për pranimin e dëftesës gjatë fundit të vitit shkollor akademik.

“Javën e kaluar, Unioni i nxënësve të shkollave të mesme ka pranuar ankesa, nga nxënës të shkollave të mesme në disa qytete në vend, se shkollat ​​e tyre i kanë ngarkuar të paguajnë taksa për lëshimin e dëftesave. Kjo është skandaloze dhe problematike për disa arsye. Më e rëndësishmja, kërkesa për para prej nxënësve e kërcënon karakterin publik dhe falas të arsimit publik. Përkatësisht, Unioni në faqet e medieve sociale pranon informacione nga nxënës të shkollave të mesme, të cilët e informojnë Unionin për këtë praktikë, por gjithashtu ankohen për faktin se ata duhet të paguajnë tarifa në shkollë për gjëra që nuk janë opsionale, gjegjësisht dëftesa. Gjimnazet e Tetovës “7 Marsi” dhe “Kirill Pejçinoviq”, shkolla e mesme ekonomike “8 Shtatori”, si dhe shkollat ​​e mesme profesionale “Mosha Pijade” dhe “Goce Stojçevski” arkëtojnë nga 50 denarë prej nxënësve të tyre për lëshimin e dëftesave. Nxënësit duhet të paguajnë këtë shumë gjatë muajit qershor. Shkolla e mesme e mjekësisë në Tetovë arkëton madje 100 denarë për të lëshuar një dëftese” thuhet në mes të tjerash në postimin e USHM-së.

Nga kjo organizatë informojnë se kjo praktikë përdoret në të gjitha shkollat e Maqedonisë së Veriut, ata shtojnë se ka denoncime edhe për shkollën “Zef Lush Marku” në Shkup, “Goce Delcev” në Kumanovë e kështu me radhë.

Foto screenshot nga "WhatsApp".
Foto screenshot nga “WhatsApp”.

Përveç kësaj, gazetari i Portalb.mk siguroi një fotografi ku një nga mësimdhënësit e njërës nga shkollat e mesme në Tetovë kërkon nga 50 denarë për dëftesat, përshkak të parimit të prezumimit të pafajësisë, vendosëm që emrin e profesorit ta mbajmë të fshehur derisa një gjë e tillë të vërtetohet nga institucionet përkatëse.

Në bisedë e sipër me një nga nxënëset e cila për shkak të frikës nga kërcënimet dëshiroi të ngelet anonime, ajo në mes të tjerash nuk ishte e informuar se kjo që po ndodh është e kundërligjshme.

“Realisht secilin vit paguajmë nga 50 denarë në fund të vitit, respektivisht kur i marrim diplomat. Ashtu është me ligj, fillimisht paratë i merr kujdestari i klasës dhe më pas i njëjti ia dorëzon sekretarit të shkollës” tha një nga nxënëset, e cila vendosi të qëndroj anonime.

Çfarë thonë institucionet për këtë?

Sipas drejtorit të shkollës së mesme “Mosha Pijade” në Tetovë, mësimdhënësit nuk guxojnë të fitojnë para në kurriz të nxënësve, ai beri thirrje institucioneve të hetojnë rastet e tilla.

“Për këtë vit ende nuk kemi filluar me shpërndarjen e dëftesave, andaj më duket pak simptomatike kjo. Megjithatë, ne si shkollë mbajmë qëndrimin se nuk duhet marrë para për dëftesat. Në qoftë se ka raste të tilla, u bëj thirrje institucioneve të ndërmarrin masa. Nxënësit assesi nuk duhet të dëmtohen apo keqpërdoren, në qoftë se ka dëshmi për një gjë të tillë, institucionet duhet të veprojnë” tha Nebojsha Trkovski, drejtor i shkollës së mesme “Mosha Pijade”.

Drejtorët e shkollave të mesme “7 Marsi” (Miqerem Rizai), “8 Shtatori”(Mirjeta Iljazi) dhe “Nikolla Shtejn”(Isan Emini), gazetarit të Portalb.mk në mënyrë absolute ia mohuan një gjë të tillë, ata një zëri thane se “kjo gjë nuk ka ndodhë dhe procesi i shpërndarjes së dëftesave për këtë vit ende nuk ka filluar”.

Ahmed Qazimi nga Sektori për Arsim, Tetovë.
Ahmed Qazimi nga Sektori për Arsim, Tetovë.

Ndërsa nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës thanë se nuk kanë informacion për një gjë të tillë, megjithatë, udhëheqësi i këtij sektori i inkurajon nxënësit të cilët posedojnë dëshmi se janë marrë para nga ata, të ju drejtohen institucioneve kompetente.

“Procesi i shpërndarjes së dëftesave për këtë vit ende nuk ka filluar, për shkak se të njëjtat ende nuk na kanë arritur nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit, dëftesat shpërndahen pa pagesë dhe i gjithë ky proces duhet të zhvillohet pa pagesë. Nuk kam informacione të tilla se janë mbledhur të holla prej nxënësve. I inkurajoj nxënësit dhe institucionet të ndërmarrin hapa në qoftë se kjo dukuri ekziston dhe personat të cilët kanë keqpërdor detyrën zyrtare të përgjigjen para institucioneve përkatëse dhe para ligjit” tha Ahmed Qazimi, udhëheqës i Sektorit për Arsim në Tetovë.

Çfarë thotë ligji?

Ligjin për Shkollë të Mesme nuk theksohet specifikisht çështja e dëftesave, megjithatë thuhet se arsimi i mesëm është i obligueshëm, gjë që automatikisht obligon shtetin që qytetarëve të ua mundësoje një gjë të tillë plotësisht.

“Arsimi i mesëm është i obligueshëm për të gjithë qytetarët e RMV-së, me kushte të barabarta të cilat parashihen me këtë ligj” thuhet në reshtin e parë të nenit 3 të ligjit për shkollë të mesme.

“Arsimi i mesëm është pa pagesë” thuhet në nenin 3 të ligjit për shkollë të mesme.

Se nuk guxon askush të mare para nga nxënësit gjatë arsimimit publik fillor dhe të mesëm, parashihet edhe në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, nënshkruese ku është edhe Maqedonia e Veriut.

“Të gjithë duhet ta gëzojnë të drejtën e edukimit. Edukimi duhet të jetë pa pagesë” thuhet në nenin 26 të kësaj konvente ndërkombëtare.

Ndryshe, veprimet e tilla rrezikojnë karakterin publik të arsimit i cili sipas ndryshimeve ligjore të vitit 2008 në Maqedoninë e Veriut, është i paraparë të jetë pa pagesë. Përveç kësaj, marrja e parave nga nxënësit është shkelje e ligjit dhe autori mund të dënohet për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button