Reisi Fetahu u betua se do të bashkëpunojë me gazetarët, nuk dihet ende pse u shkarkua Rexhepi

Reisi i ri, Shaqir efendi Fetahu, sot ka mbajtur konferencë për shtyp kushtuar bashkëpunimit me gazetarët dhe premtoi se Bashkësia Fetare Islame në periudhën që vjen do të jetë e hapur me të gjitha mediat, pa përjashtime, njofton Portalb.mk.

“Institucioni ynë ka obligim fetar, moral dhe ligjor të respektoj rregullat e transparencës dhe në çdo çast dhe në çdo rast të sigurojë informata burimore që ata t’i kryejnë obligimet e tyre. Duke u zotuar për transparencë të plotë ne dëshirojmë të themi se kemi pasur dhe do të kemi qëndrim të njëjtë për të gjitha mediat. Ja ku jemi, do të jeni të mirëseardhur, do të jeni të mirëpritur në këtë shtëpi që me të gjitha organet e veta do t’u sigurojë informata dhe fakte”, deklaroi reisi.

Në pyetjen e Portalb.mk, se a do ta publikojnë gjendjen financiare të BFI-së, ai tha se premton se gjithçka që do të jetë e vërtetë do ta publikojnë.

“Ne premtojmë se gjithçka do të jetë e vërtetë dhe e argumentuar ne jemi këtë situatë. Që të formojmë një bashkësi fetare islame e cila do të jetë e shëndoshë dhe e suksesshme dhe e cila do të jetë bartëse e vërtetë e jetës fetare islame”, tha Fetahu.

Reisi nuk dha as sot përgjigje në lidhje me atë se pse u shkarkua ish reisi, Sulejman Rexhepi, gjegjësisht nëse arsyeja ishte për keqpërdorime financiare apo për çështje private.

“Jemi në fazën e analizave administrative, financiare, të organizimit të jetës fetare dhe momentalisht nuk mund të flasim pa argumente. Ne do të jemi opsioni i argumentit dhe jo i bisedave të rrugës dhe atyre shpifëse”, deklaroi reisi Fetahu.

Për dallim nga parapraku i tij, i cili në ditën e Bajramit e shpalli virusin korona të vdekur, reisi Fetahu bëri apel për seriozitet pasi që virusi ekziston.

“Kjo sëmundje ekziston, të gjitha autoritetet dhe institucionet kompetente në botë kanë konfirmuar se ekziston. Ne jemi institucion fetare dhe nuk jemi kompetent të flasim nëse ekziston ose jo. Institucionet profesionale kanë konfirmuar se virusi ekziston, dhe veçanërisht në kohët e fundit, korona po përhapet me shpejtësi në Maqedoni. Unë ju bëj thirrje të jemi serioz, t’i përmbaheni të gjitha masave të përcaktuara nga autoritetet dhe të kontribuojmë që të dalim sa më shpejt nga kjo situatë. Ne si BFI kemi hyrë në këtë luftë me fjalët “frikë jo, por vetëdije të madhe kundër kësaj sëmundje po”. Duhet të luftojmë me të gjitha forcat për të tejkaluar këtë sfidë”, tha Fetahu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button