Xhaferi e nënshkroi vendimin për shpalljen e zgjedhjeve më 15 korrik

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, kumtoi se mbrëmë e ka nënshkruar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Data konsensuale e pushtetit dhe opozitës, siç njofton Xhaferi, është 15 korrik 2020, njofton Portalb.mk.

“Duke marrë parasysh atë se kushtet e imponuara, jonatyrore me Kovid-19, e anuluan mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të caktuara paraprakisht për më 12 prill 2020, ju informoj se kemi situatë të re. Në të vërtetë, siç e keni të njohur, liderët politikë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, arritën marrëveshje për caktimin e datës së re për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Data konsensuale e pushtetit dhe opozitës është 15 korrik 2020. Këto zgjedhje do të jenë të pazakonta, pasi nuk do të ketë fushatë të zakonshme zgjedhore, megjithatë, ajo që është më me rëndësi dhe në të cilën ne duhet të gjithë të përmbahemi në mënyrën më të disiplinuar, janë masat dhe rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, me qëllim që të mbrohet shëndeti dhe jeta e qytetarëve”, tha Xhaferi.

Vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, më 15 korrik të vitit 2020, është arkivuar dhe i është dërguar  Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Drejtësisë, me çka respektohen afatet për ditët e konfirmuara në Kushtetutë.

Presidenti Stevo Pendarovski mbrëmë, me propozim të Qeverisë, shpalli gjendje të jashtëzakonshme prej tetë ditësh në territorin e tërë vendit të Maqedonisë së Veriut, që të mundësojë përgatitje të zgjedhjeve parlamentare pa pengesa. Vendimi është marrë në bazë të nenit 125 dhe nenit 126 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, pas propozimit të paraqitur nga Qeveria, dhe do të zgjatë tetë ditë, duke filluar nga 15 qershori i vitit 2020.

Ndryshe, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe ai i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, dje kanë arritur marrëveshje për datën e zgjedhjeve. Këtë e ka konfirmuar  Zaev në konferencë për media, ku tha se 15 korriku do të jetë data përfundimtare për mbajtje të zgjedhjeve. Ai tha se për këtë ka biseduar me liderin opozitar dhe i njëjti i ka konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhje më 15 korrik.

Kujtojmë se, zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin paraparë që të mbaheshin më 12 prill, por u anuluan për shkak të paraqitjes së koronavirusit. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button