Presidenti Pendarovski shpalli gjendje të jashtëzakonshme në RMV, do të zgjatë tetë ditë

Presidenti Stevo Pendarovski e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në territorin e tërë vendit të Maqedonisë së Veriut, njofton Portalb.mk. Vendimi, siç kumtojnë nga kabineti i presidentit, do të mundësojë përgatitje të zgjedhjeve parlamentare pa pengesa.

Vendimi është marrë në bazë të nenit 125 dhe nenit 126 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, pas propozimit të paraqitur nga Qeveria, dhe do të zgjatë tetë ditë, duke filluar nga 15 qershori i vitit 2020.

“Partitë politike kanë arritur marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 15 korrik 2020. Prandaj, vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme merret me qëllim që të mundësohet përgatitja pa pengesa të zgjedhjeve, dhe veçanërisht për zbatimin e masave për mbrojtjen e shëndetit publik gjatë procesit zgjedhor, në kushtet e pandemisë së virusit korona të shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, deklaron komunikata.

Më herët, Qeveria e RMV-së, në seancën e 67-të miratoi konkluzë t’i shtrojë propozim presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski, në bazë të nenit 125 të Kushtetutës, të përcaktojë ekzistimin e gjendjes së jashtëzakonshme për periudhë prej tetë ditësh, gjegjësisht të zgjasë prej sot (15 qershor) deri më 22 qershor.

Më herët Pendarovski ka përshëndetur marrëveshjen ndërmjet Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit që zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut të mbahen më 15 korrik, duke shpresuar në zgjedhje fer dhe demokratike, transmeton Portalb.mk.

“Presidenti Stevo Pendarovski e përshëndet marrëveshjen e arritur ndërmjet liderëve të partive politike, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen sivjet më 15 korrik”, raportojnë nga presidenca.

Ai theksoi se pret zgjedhjet të jenë të drejta dhe demokratike, si një shtet anëtar i NATO-s dhe një shtet që hap negociatat me BE-në.

Ndryshe, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe ai i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sot kanë arritur marrëveshje për datën e zgjedhjeve. Këtë e ka konfirmuar sot Zaev në konferencë për media, ku tha se 15 korriku do të jetë data përfundimtare për mbajtje të zgjedhjeve. Ai tha se për këtë ka biseduar me liderin opozitar dhe i njëjti i ka konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhje më 15 korrik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button