SHBA-ja dhe BE-ja mirëpresin marrëveshjen për mbajtjen e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut

Kejt Bërns, ambasadorja amerikane në Shkup dhe Josep Borrell, përfaqësuesi për politikë të jashtme dhe siguri në BE, e mirëpritën marrëveshjen ndërmjet Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 15 korrik, transmeton Portalb.mk.

“E përshëndesim lajmin se zgjedhjet janë planifikuar për 15 korrik. Parlamenti dhe Qeveria e radhës  përballen me përgjegjësi të jashtëzakonshme dhe që do të ndikojnë mbi të ardhmen e shtetit, duke e përfshirë edhe Kovid-19, si dhe negociatat aderuese me BE-në. Po pres me padurim të vazhdojë dhe thellohet partneriteti ynë”, deklaroi Bërns.

Marrëveshja që zhbllokoi zhvillimin e procesit zgjedhor në Maqedoninë e Veriut, si një vend që pritet të hap negociatat për anëtarësim në BE, u mirëprit edhe nga përfaqësuesi I BE-së, Josep Borrell.

“E mirëpres  marrëveshjen e arritur ndërmjet partive politike në Maqedoninë e Veriut për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare më 15 korrik. Shpresoj në zgjedhje të besueshme dhe shpresoj se vendi do të vazhdojë të lëvizë përpara në rrugën evropiane”, deklaroi Borrelli.

Oliver Varheji, Komisioneri evropian për zgjerim dhe politikë fqinjësore, ka reaguar menjëherë pas arritjes së kësaj marrëveshjeje.

“E mirëpres ngrohtësisht marrëveshjen e sotme të partive kryesore politike në RMV për mbajtjen e zgjedhjeve më 15 korrik.Sinjal i rëndësishëm për vendin, qytetarët e tij dhe rrugën drejt BE-së, kjo marrëveshje e trason rrugën drejt zgjedhjeve të lira, korrekte dhe inkluzive nga OSBE/ODIHR”, deklaroi Varheji.

Ndryshe, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe ai i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sot kanë arritur marrëveshje për datën e zgjedhjeve. Këtë e ka konfirmuar sot Zaev në konferencë për media, ku tha se 15 korriku do të jetë data përfundimtare për mbajtje të zgjedhjeve. Ai tha se për këtë ka biseduar me liderin opozitar dhe i njëjti i ka konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhje më 15 korrik.

Kjo marrëveshje është përshëndetur edhe nga Stevo Pendarovski, presidenti i Maqedonisë së Veriut, duke shpresuar në zgjedhje fer dhe demokratike. Oliver Spasovski, kryeministri teknik i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut gjithashtu e vlerësoi të rëndësishme këtë marrëveshje.

Gjithashtu sot Qeveria e Maqedonisë së Veriut zhvilloi takim me anëtarët e Komisionit Shtetëror për Zgjedhje (KSHZ) për përgatitjen e procedurave për mbajtjen e zgjedhjeve, që pritet të mbahen më 15 korrik, pas mbarimit të gjendjes së jashtëzakonshme dhe marrëveshjes ndërmjet liderëve. Qeveria pret që KSHZ-ja t’i aktivizojë veprimet zgjedhore.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button