Spasovski: Marrëveshja e liderëve është interes i rëndësishëm

Oliver Spasovski, kryeministri teknik i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut e vlerësoi të rëndësishme marrëveshjen ndërmjet Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 15 korrik, transmeton Portalb.mk.

“Marrëveshja e arritur ndërmjet liderëve të partive politike, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 15 korrik, është interes i rëndësishëm për qytetarët dhe për perspektivat e vendit tonë.”, deklaroi Spasovski.

Ai vlerësoi se ky është një hap drejt organizimit të zgjedhjeve gjithëpërfshirëse, fer dhe demokratike.

Spasovski i garantoi qytetarëve se zgjedhjet në vendin tonë do të realizohen në kushte të sigurta.

Ndryshe, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe ai i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sot kanë arritur marrëveshje për datën e zgjedhjeve. Këtë e ka konfirmuar sot Zaev në konferencë për media, ku tha se 15 korriku do të jetë data përfundimtare për mbajtje të zgjedhjeve. Ai tha se për këtë ka biseduar me liderin opozitar dhe i njëjti i ka konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhje më 15 korrik.

Kjo marrëveshje është përshëndetur edhe nga Stevo Pendarovski, presidenti i Maqedonisë së Veriut, duke shpresuar në zgjedhje fer dhe demokratike.

Gjithashtu sot Qeveria e Maqedonisë së Veriut zhvilloi takim me anëtarët e Komisionit Shtetëror për Zgjedhje (KSHZ) për përgatitjen e procedurave për mbajtjen e zgjedhjeve, që pritet të mbahen më 15 korrik, pas mbarimit të gjendjes së jashtëzakonshme dhe marrëveshjes ndërmjet liderëve. Qeveria pret që KSHZ-ja t’i aktivizojë veprimet zgjedhore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button